LAJMET E MBRËMJES

Deputetë të pushtetit dhe opozitës, me akuza për interesa në disa investime strategjike

Akuzat për vonesa në shqyrtim të aplikacioneve për investitorët strategjikë kanë përplasur deputetët e pushtetit me opozitën gjatë raportimit të ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari në Komisionin parlamentar për Ekonomi.

Derisa kryetari i Komisionit, Ferat Shala, ka kritikuar ministren Hajdari për vonim dhe stërzgjatje 2-vjeçare të shqyrtimit të 44 aplikacioneve për statusin e investitorit strategjik, deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja ka pyetur nëse ka interesa të drejtpërdrejta me kompaninë Maxikolumo që ka aplikuar për këtë status.

“A keni ju konflikt interesi ose interes drejtpërdrejtë te kjo kompani? Sepse në Shalën e Bajgores ku planifikohet, të gjithë mua më kanë raportuar, banorët, që ju keni interesa të drejtpërdrejta, që nga ish-asistenti juaj që është drejtor, djali i vëllait tuaj që ka bërë studimin, dhëndri i Ferat Shalës që ka dhënë lejen e pëlqimit mjedisor”, tha deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja.

Shala i ka quajtur shpifje deklaratat e deputetit Muja.

“Po nuk të përgjigjem unë ty. Këto janë krejt shpifje tuajat. Edhe nuk të përgjigjem, mjafton kaq. Shpifje tuaja dhe insinuata. S’mund të devijoni debatin nga kjo, badihava, kot e ke. Për ‘Kosmonte’ po pyes. Mos u ngutuni, deri në fund unë jam i gatshëm për të biseduar. Nuk po ikim”, tha Shala.

Edhe pse u la anash ky debat, në fund të mbledhjes kjo çështje u kthye sërish kur deputeti Muja insistoi të marrë përgjigje nga Shala, për çka tha se do ta dërgojë rastin në Agjencinë KundërKorrupsion.

“S’ka hiç, dërgoje. Nuk kam, për ata po them futi edhe shumarët (rojet e pyjeve) të Shalës së Bajgores dhe shiko mos po del ti diku aty, madje edhe më rëndë sesa kaq”, tha Shala.

Përplasje pati edhe ndërmjet deputetit Pal Lekaj të AAK-së dhe deputetit të VV-së, Driton Hyseni.

Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë këtij raportimi tha se 44 kompani kanë aplikuar për statusin e investitorit strategjik.

“Unë nuk mund të shkoj në burg për një aplikacion që është jashtëligjshëm në sektorë që nuk u përket investimeve strategjike. Unë po ofroj mundësinë që të plotësojnë kriteret dhe të vijnë në Komision. Kjo është detyrë e atij Komisioni që t’i trajtojë me kujdes, me maturi, dhe jo me një katrahurë si e kemi trashëguar”, tha ministrja Hajdari.

Kryetari i Komisionit e pyeti ministren nëse personalisht komunikon nëpërmjet Whatsappit me investitorë potencialë. Ministrja Hajdari e pohoi, po tha se e bën me qëllimin për të qenë në dispozicion me informacione për investitorët potencialë.