LAJMET E MBRËMJES

Covey: Rugova frikësohej të kthehej në Kosovë pas lufte, Thaçi u kërcënua nga komandantët

Ish-zëvendësshefi i UNMIK-ut, James Covey, e ka përmbyllur dëshminë e tij në gjykimin e ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në ditën e tretë të dëshmisë, ai për Ibrahim Rugovën ka thënë se frikësohej që të kthehej në Kosovë, teksa për Hashim Thaçin se ua ka pasur drojën komandantëve

Zëvendësshefi i misionit të UNMIK-ut, James Covey, i cili ka shërbyer menjëherë pas luftës në Kosovë, ka thënë gjatë dëshmisë së tij të së enjtes para Gjykatës Speciale në Hagë se dy prej personaliteteve kryesore politike kanë qenë të frikësuara atëkohë.

Për ish-presidentin, Ibrahim Rugova, ai ka thënë se frikësohej që të kthehej në Kosovë, ndërkaq për Hashim Thaçin se ua ka pasur drojën komandantëve.

Ish-zëvendësi i kryeadministratorit, Bernard Kouchnerit, e ka elaboruar këtë, kur është pyetur nga gjyqtari nëse tensionet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK) kanë qenë arsyeja përse Rugova nuk është kthyer nga Italia, menjëherë pas luftës.

“Sa i përket Rugovës, me kalimin e kohës mësuam përmes Bernard Kouchnerit që e takoi, se ai ishte në depresion, ndoshta me depresion klinik, pavarësisht se unë nuk jam mjek dhe në fakt kishte frikë për sigurinë e tij personale”, ka thënë dëshmitari.

Covey ka theksuar se Rugova është ndjerë i pasigurt, meqë ia kanë vrarë truprojat. Sipas tij, informata që asokohe e ka pasur misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR – ka qenë se Daut Haradinaj, si pjesëtar i UÇK-së, i ka sulmuar me armë truprojat.

“Nga bisedat me Bernard Kouchnerin dhe nga ajo që e kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam që të gjithë nga truproja e tij ishin vrarë, pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur, pasi unë nuk jam informuar për këtë çështje në mënyrë të drejtpërdrejtë, por KFOR-i besonte se vëllai i Ramushit, Daut Haradinaj, ishte personi përgjegjës për këtë sulm”, ka theksuar Covey.

Ish-zëvendësshefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë është dëshmitari i katërt i mbrojtjes, e cila synon që ta bindë gjykatën se Thaçi, dhe të akuzuarit e tjerë në Hagë - Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi - si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, nuk kanë përgjegjësi për krime potenciale lufte që mund të jenë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës.

Covey ka thënë se Thaçi ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Rugovën. Por ka theksuar se Thaçi i kishte frikë edhe komandantët e UÇK-së, për të cilët ka thënë se kanë qenë udhëheqësit e vërtetë të gueriles.

“Ishte e qartë që edhe në Rambuje ai është kërcënuar drejtpërsëdrejti. Nëse nuk pajtohej me kërkesat e komandantëve të zonave, por ishte edhe sjellja e tij në përgjithësi e qartë, mënyra se si ishte shumë i kujdesshëm sa u takon marrëdhënieve me udhëheqjen e lëvizjes së UÇK-së”, ka thënë ai.

Covey i ka përshkruar si personalitete radikale dy komandantë të zonave – Sami Lushtakun, i cili ka qenë komandant zone në Drenicë, si dhe Ramush Haradinajn, komandant i zonës së Dukagjinit.

Ky ish-zyrtar i OKB-së në Kosovë ka larguar nga Thaçi përgjegjësinë edhe për veprime të pretenduara nga struktura brenda qeverisë së përkohshme, e krijuar menjëherë pas luftës.

Aktakuza e ngritur në shkurt të 2023-tës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ngarkon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të LDK-së. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur që të jenë në dijeni për rastet e cekura në aktakuzë, shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm.