James Covey, ish-zëvendësues i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, ka përfunduar ditën e parë të dëshmisë në rastin më të madh të Speciales. Covey tek ka folur për takimet mes UNMIK-ut, KFOR-it dhe UÇK-së, ka thënë se komandantët nuk kishin respekt për Hashim Thaçin. Kjo, sipas tij, e bënte që të mendonte se nuk ka gjasa që ata të merrnin urdhra apo udhëzime prej tij
James Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, gjatë dëshmisë në Hagë, ka thënë se UNMIK-u nuk e ka trajtuar Hashim Thaçin si komandant.
Covey tek ka folur të martën për takimet mes UNMIK-ut, KFOR-it dhe UÇK-së, ka thënë se komandantët nuk kishin respekt për Thaçin.
E tek u është përgjigjur pyetjeve të avokatit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, Covey ka thënë se pjesëmarrja e Thaçit nuk ishte e domosdoshme në takimet ku flitej për krijimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
Thaçi, siç ka thënë diplomati amerikan, nuk u ka bërë përshtypje.
“Kush foli në takime në emër të UÇK-së?”, ka pyetur avokati Mishetiq, për të marrë përgjigjen e Coveyt: “Gjenerali Çeku”.
Mishetiq e ka pyetur edhe nëse kishte komandantë që bisedonin me. Thaçin.
“Jo dhe ndoshta mund të them diçka lidhur me këtë në hollësi. Kjo më kujtohet fare qartë, sepse në fakt dukej se po konfirmonte fuqishëm atë që ne e besonim që në fillim lidhur me z. Thaçi kur u njohëm me të – pra që ai kishte një marrëdhënie të ndërlikuar me komandantët në terren, komandantë të UÇK-së dhe se ata kishin shfaqur mosrespekt ndaj tij, pra s’kishin respekt për të”, ka thënë Covey.
Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të LVV-së, Rexhep Selimi, ishin në dijeni ose duhej të ishin në dijeni për krimet e luftës që i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së dhe se ata ushtronin kontroll mbi ushtarët.
Ndërkaq, mbrojta synon ta vërtetojë se ata nuk kishin kontroll efektiv mbi komandantët e zonave e as informata për ngjarjet në terren.
Përshtypje të tillë ka thënë se ka krijuar edhe Covey.
Ai u është referuar bisedimeve, ku pos tij, morën pjesë edhe eprori i tij, shefi i asaj kohe të UNMIK-ut, Bernard Kouchner, gjeneralët e KFOR-it të asaj kohe dhe komandantë të UÇK-së.
Në dëshminë e tij, Covey ka deklaruar se ka krijuar përshtypjen se komandantët nuk merrnin urdhra nga Thaçi.
“Të gjithë ishin aty, përveç z. Thaçit, i cili qëndroi aty ku ishte. E komandantët e tjerë po bisedonin me njëri-tjetrin ose nëse flisnin anglisht bisedonin me gjeneralin Clark dhe unë me qëllim nuk bisedova me z. Thaçi, as nuk kam shikuar në drejtim të tij – si vëzhgues m’u duk që sjellja e tyre ishte përçmuese ndaj tij dhe isha shumë i habitur, i çuditur. Por, kjo ma solli në kujtesë atë që ne besonim që prej fillimit, që z. Thaçi më të vërtetë nuk kishte marrëdhënie të njëmendtë apo të rëndësishme me këtë trupë të komandantëve në terren dhe që kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij, aq më pak urdhrat e tij apo që t’i raportonin për aktivitetet e tyre tek ai”, ka thënë Covey.
Dëshmitari ka konfirmuar se i mban mend edhe rastet kur Thaçi pas luftës ka dënuar publikisht krimet ndaj pjesëtarëve të pakicave, përfshirë atë për vrasjen e serbëve në Grackë të Lipjanit.
Rasti më i madh i Speciales është nga fundi. Para pak ditësh kanë nisur dhënien e dëshmive dëshmitarët e mbrojtjes.
Rasti në shkallë të parë pritet të përfundojë në dhjetor të këtij viti.