“Besoj se dje ose të paktën këto dy ditë që kam qenë këtu e kemi parë një dokument që z. Thaçi ia kishte dërguar Bernard Kouchnerit, ku kërkonte armë për disa ish-anëtarë të UÇK-së dhe ne e dinim që në atë kohë, të paktën sipas mendimit tonë kjo nuk duhej të ndodhte, por ne e kuptuam që ai ishte një urë lidhëse. Kjo ishte përshtypja jonë, po kryente detyrën që ia kishin kërkuar të tjerët. Përpiqej të mbante marrëdhënie të mira me persona që donte t’i mbronte, nuk donte t’i mërziste këta persona. Pra, ne menduam se pikërisht kjo sjellje u shfaq disa herë. Dhe më duhet të shtoj, ky është gjykimi im, ta shtoj edhe episodin që është përshkruar në librin e Mike Jackson që ishte shumë kohë më pas. Z. Thaçi nuk mori shumë pjesë në negociatat mes KFOR-it dhe udhëheqësve të lëvizjes së UÇK-së. E nuk më befason që ai e ndjente të nevojshme ta bënte të qartë përkrahjen e tij të fortë për udhëheqjen e UÇK-së. Se a do të ishte e suksesshme apo jo, kjo ishte diçka më vete atëkohë”, tha Covey.
Dëshmitari Covey tha se e ka parë një raportim që Thaçi ka bartur armë në male për komandantët në terren të UÇK-së. Ai aludoi se këtë e bëri për komandantët në terren që ishin udhëheqja e UÇK-së.
“Thjesht mund të hamendësoj, por kërkesa e tij që Jacksoni të shkonte në qytet që ta takonte asokohe ishte shumë serioze, ishte edhe qesharake njëkohësisht. Por, ky ishte një djalë i ri që po përpiqej të ishte i suksesshëm, ishte një situatë në të cilën ai s’kishte aspak përvojë. Ne nuk u befasuam aspak për këtë. Ai përpiqej të pozicionohej dhe duhet të shtoj për një histori që nuk e kam ditur asokohe, ka pasur një raport që ai bartte municione në male. Unë s’kam parë ndonjë provë që kjo të ketë ndodhur rregullisht, por ky ishte një djalë i ri, ambicioz. E bëri një herë sepse donte të arrinte diku. Sigurisht që është normale ta ketë bërë këtë sepse ai kërkonte ta çimentonte pozicionin e tij. Nuk mendoj se kjo cenon gjykimin tonë sa i përket marrëdhënies që ka pasur me komandantët e terrenit të UÇK-së dhe as nuk bie ndesh me gjërat që i ka thënë publikisht, ku ka avokuar për mos-dhunë dhe për mbrojtjen e pakicave”, u shpreh Covey.
Në këtë rast gjyqësor, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e publikuar në shkurt të 2023-tës, ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.
Diplomati Covey: Edhe në Rambuje, Thaçi trembej nga komandantët e zonave
Dëshmitari James Covey ka deklaruar se Hashim Thaçi nuk ishte një person i dhunshëm dhe as nuk kishte predispozita të tilla. Përkundrazi, ai tha se Thaçi iu trembej komandantëve të UÇK-së që ishin famëkeq për dhunë.
Por, kur u pyet nga gjyqtari Christoph Barthe, Covey tha se ishte e qartë edhe në Rambuje se Thaçi trembej nga komandantët e zonave, ku edhe ishte kërcënuar drejtpërdrejt, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Që trembej është e qartë edhe në Rambuje që ai është kërcënuar drejtpërsëdrejti që nëse ai nuk pajtohej me kërkesat e komandantëve të zonave. Por, ishte edhe sjellja e tij e qartë. Mënyra se si ishte i kujdesshëm sa i takon marrëdhënieve me udhëheqjen e lëvizjes së UÇK-së. Siç e thash edhe më herët në profesionin tonë ne nuk kemi qasje asnjëherë në informacione të plota. Ne, thjesht nxjerrim përfundime nga çka kemi parë, çka kemi dëgjuar dhe bazuar në përvojën tonë jetësore”, tha ai.
Dëshmitari Covey e mohoi se Thaçi ia kishte thënë ndonjëherë se kishte frikë.
“Jo, jo! Absolutisht, nuk e lejon krenaria ta thotë një diçka e tillë. Kjo është e kuptueshme, ne e ndjemë vetë, e pamë vetë një gjë të tillë”, tha ai.
Përveç kësaj, në sallën e gjyqit u diskutua edhe për vrasjen e 14 bujqve serbë në Grackë të Lipjanit
Dëshmitari ka thënë se Hashim Thaçi në mënyrë të hapur dhe të përsëritur i ka dënuar vrasjet në Grackë, por as ai e as ndonjë anëtar i KTK-së nuk ishte i gatshëm për ta nënshkruar një deklaratë për ta dënuar këtë ngjarje.
“Jo, ende nuk e kuptoj. Më duket që disa prej këtyre zhvillimeve nuk kanë ardhur në rendin e duhur kronologjik”, tha dëshmitari.
Covey mohoi që dikush i ka treguar se pse nuk u nënshkrua kjo deklaratë, duke përfshirë edhe Thaçin. Tha se nuk ka dijeni nëse ky i fundit e ka marrë ndonjë hap për të kuptuar se kush ka qenë përgjegjës për vrasjen e këtyre serbëve.
Covey: KFOR-i besonte se Daut Haradinaj ishte përgjegjës për vrasjen e truprojave të Rugovës
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Covey tregoi se sipas burimeve nga KFOR-i, kishte dëgjuar se pjesëtarët e mbrojtjes së Ibrahim Rugovës ishin vrarë dhe se për këtë sulm përgjegjës ishte Daut Haradinaj.
“Nga bisedat me Bernard Kouchner dhe nga ajo që kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam që të gjithë truprojat e tij ishin vrarë pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur pasi unë nuk jam informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. KFOR-i besonte që vëllai i Ramushit, Daut Haradinajn ishte përgjegjës për këtë sulm”, tha Covey.
Dëshmitari tha se në atë kohë nuk kanë pasur dijeni për këtë dhe kanë mësuar shumë më vonë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Covey tha se e di që Daut Haradinaj ka qenë pjesë e UÇK-së.
Përpara kësaj, ai ka thënë se LDK-ja ka refuzuar që të marrë pjesë në Komitetin Tranzitor të Kosovës (KTK) dhe që ata kanë menduar se kjo i referohej mungesës së Ibrahim Rugovës.
“Megjithatë, më lejoni të shtoj se në atë moment me datë 16 nuk kishim dijeni se ku ndodhej zoti Rugova vetëm se ai nuk ishte i pranishëm dhe mbase nuk ndodhej fare në Kosovë”, tha dëshmitari.
Ai theksoi se në ditët në vazhdim, LDK-ja dukej pa udhëheqje dhe e ndarë, dukej se nuk arrinte dot konsensus që t’i mundësonte të merrte pjesë në Komitet.
Dëshmitari Covey deklaroi se mendon që LDK-ja ka marrë pjesë në Qeverinë e Përkohshme. Këtë organ e quajti si “të fantazisë” pasi që nuk u funksionalizua me funksione ekzekutive.
Dëshmitari ka treguar se ka pasur tensione në mes LDK-së dhe UÇK-së. Ndërsa, gjyqtari Christoph Barthe e pyeti nëse këto tensione kanë bërë që Rugova të mos kthehej dot në Kosovë.
Covey tha se nuk do të spekulojë, por që vetëm di se anëtarët e LDK-së dukeshin se ishin pa udhëheqje.
“Më kalimin e kohës mësuam përmes Bernard Kouchner që shkoi e takoi. Ai ishte me depresion klinik pavarësisht se unë nuk jam mjek. Kishte frikë për sigurinë e tij personale dhe Bernard më shpjegoi mua që përpjekjet e tij kishin të bënin me bindjen e Rugovës se nëse vendoste të kthehej, siguria e tij do të ishte e siguruar. Kjo ishte një sfidë pasi që KFOR-i nuk mundej që të siguronte mbrojtjen e tij personale, por mund të siguronte zonën përreth tij”, tha ai.
Covey tha se Rugova u kthye pas këtyre sigurive pavarësisht nëse e ka kuptuar këtë në këtë mënyrë ose jo.
Më pas, dëshmitari u pyet se nga çfarë kishte frikë Ibrahim Rugova, dhe kjo duke u bazuar nga biseda me Kouchner. Si rrjedhojë e kësaj, dëshmitari foli për sulmin e pretenduar nga Daut Haradinaj.
Gjyqtari Christphe Barthe: Ju thoni që z. Rugova kishte frikë për sigurinë e tij personale, a mund t’iu pyes nëse nga bisedat që i keni pasur me z. Kouchner...përse kishte frikë?
Dëshmitari James Covey: Nga bisedat me Bernard Kouchnerin dhe nga ajo që e kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam që të gjithë truprojat e tij ishin vrarë, pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur pasi unë nuk jam informuar për këtë çështje në mënyrë të drejtpërdrejtë, por KFOR-i besonte se vëllai i Ramushit, Daut Haradinaj ishte personi përgjegjës për këtë sulm.
KOHA ka kontaktuar me Haradinajn për të marrë një prononcim lidhur me deklaratat e Coveyt. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.
Covey: UÇK-ja përbëhej nga njerëz me autoritet, shumica ishin të dhunshëm
Në Hagë po vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, teksa pyetjet për dëshmitarin James Covey i ka filluar trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe. Sipas deklaratës së dëshmitarit të cilën e lexoi gjyqtari, Covey kishte thënë që sipas mendimit të tij, UÇK-ja ishte një lëvizje tejet e decentralizuar dhe shpesh “pa lidhje në mes krahëve të saj”. Kishte thënë se UÇK-ja përbëhej nga persona kryesisht të fuqishëm dhe autonom, e që shumica ishin të dhunshëm.
Shumica prej këtyre personave, sipas dëshmitarit, kishin pak respekt ose fare për Thaçin, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kjo është një përshtypje që e kemi marrë nga shumë burime të cilave iu kemi besuar, ose nga raportimet e OSBE-së që kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë kohës së konfliktit, nga raportet ditore të KFOR-it dhe është një proces me osmozë i cili rezultoi në këtë përfundim me të cilin ramë dakord të gjithë”, tha Covey.
Kur u pyet se kush ishin këta persona të fuqishëm që e drejtonin UÇK-në, dëshmitari tha se ndër ta ishin Sami Lushtaku dhe Ramush Haradinaj.
“Kemi përmendur deri tani zotin Lushtaku, Ramush Haradinaj, ishte një tjetër. Këtu kemi të bëjmë me dy personalitete radikale të ndryshme. Ka patur edhe të tjerë por nuk më kujtohen të gjitha karakteret e kësaj lëvizje”, tha Covey.
Dëshmitari tha se hamendëson që vetëm një herë e ka takuar Thaçin në pranin të komandantëve të zonave.
Në dëshminë e tij që u lexua nga gjyqtari, dëshmitari kishte thënë se Thaçi ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka ndihmuar që t’i çojnë më tej synimin e paqeruajtësve duke e ndarë mendjen, pushtetin dhe meritat me personat që kishte denoncuar më parë.
“Kryesisht bëhet fjalë për zotin Rugova të cilin më parë zoti Thaçi e kishte sharë në mënyrë dramatike dhe në fillim dukej se kishte armiqësi të konsiderueshme ndaj tij. Me kalimin e kohës dhe në kuadrin e zhvillimeve ai e ndryshoi këtë sjellje në mënyrë thelbësore brenda disa muajve. Filloi të ndante pushtetin më atë, vendin më atë dhe këtu bëhej fjalë për politikan. Si të thuash ndarja e vëmendjes është e vështirë për një politikan. Pra, ai po ndante pushtetin dhe vëmendjen me atë person të cilin e kishte sharë më parë. Nuk kam dijeni që ai të ketë patur të njëjtën armiqësi ndaj zotit Qosja por unë kryesisht e kisha ndërmend zotin Rugova”, u shpreh ai.
Covey mohon se ka parë ndonjë provë që Thaçi kërkonte pushtet përmes krimeve ndaj kundërshtarëve
James Peter Covey gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të enjten mohoi se ka parë ndonjë gjë që do ta bënte të besojë ose mendojë që Hashim Thaçi po përpiqej që të merrte pushtetin në Kosovë përmes apo duke kryer krime kundër kundërshtarëve të tij, qoftë personalisht ose me anë të pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së që kryenin këto krime në interes të tij.
Covey tha se shumë shpejt kanë arritur në vlerësimet se ai nuk kishte autoritet të tillë personal, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Jo, dhe mendoj që shumë shpejt kemi arritë në vlerësime se ai nuk e kishte autoritetin personal për të bërë që dikush tjetër të bënte një gjë të tillë. Për më tepër, unë dhe ne arritëm në këtë përfundim se ai dinte se nuk e kishte këtë pushtet dhe këtë fuqi”, tha Covey.
Për Thaçin, Covey tha se e krijoi karrierën hap pas hapi, si dhe duke punuar me UNMIK-un dhe institucionet ndërkombëtare.
“Pra, ai filloi këtë karrierë duke zbuluar hap pas hapi se çfarë mund të bënte për ta krijuar rrugëtimin e tij politik. Ai ishte në të njëjtën kohë, nuk na përket neve nëse ai dëshironte me gjithë mend më të mirën për Kosovën, apo se si mund të realizoheshin ambiciet e tij në mënyrën më të mirë. Ai e gjeti vetë mënyrën për ta bërë këtë dhe ishte detyra jonë që ta ndihmonim ne në këtë rrugëtim. Pra, duke punuar me UNMIK-un, me institucionet. Kjo ka shërbyer edhe interesat e tij. Ky është angazhimi më i mirë që kërkohet nga një politikan”, tha ai.
Dëshmitari shtoi se këto veprime po i shërbenin edhe interesave të tij personale. Tha se ky nuk ishte vlerësim duke qenë naiv, por ishte vlerësim i qartë.