LAJMET E MBRËMJES

Bonne: U bënë shumë gabime gjatë dënimit të Mustafës me 26 vjet burgim

Gjatë seancës së Apelit, avokati i Mustafës, Julius Von Bonne, ka thënë se kundërshtimi i vendimit të shkallës së parë po bëhet, si për shkak të gabimeve në zbatim të ligjeve, edhe në konstatimin e gjendjes faktike, dhe në përcaktimin e lartësisë së dënimit

Mbrojtja e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, ka numëruar të enjten një sërë gabimesh gjyqësore dhe shkeljesh kushtetuese që ka pretenduar se janë bërë nga trupi gjykues i Gjykatës Themelores në Hagë, kur e ka dënuar atë për krime lufte me 26 vjet burgim.

Gjatë seancës së Apelit, avokati i Mustafës, Julius Von Bonne, ka thënë se kundërshtimi i vendimit të shkallës së parë po bëhet, si për shkak të gabimeve në zbatim të ligjeve, por edhe në konstatimin e gjendjes faktike dhe në përcaktimin e lartësisë së dënimit.

Mustafa është dënuar edhe për një vrasje, ndërkaq avokati Bonne ka theksuar se as nuk është përcaktuar shkaku i vdekjes së viktimës dhe as nuk dihet se kur dhe ku saktësisht ka vdekur ai.

“Është fakt i pamohueshëm në këtë lëndë që asnjë autopsi nuk ka pasur dhe as nuk është bërë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS). Trupi gjykues, në mungesë të kërkesës nga ZPS-ja, duhet në çdo rrethanë ta përcaktojë të vërtetën e rastit e mund ta bëjë këtë përmes mjeteve të ndryshme”, ka thënë Bonne.

Sipas tij, për akuzat për ndalim dhe për torturë nuk janë faktuar vendi i saktë dhe koha e saktë e kryerjes së krimit.

“Ata thanë se kishin thasë të vënë në kokë. Konstatimet e trupit gjykues se këta tre persona kanë pasur mundësinë ta identifikojnë vendin e ndalimit të tyre nuk përputhen me faktet e dëshmuara nga këta tre dëshmitarë”, ka thënë avokati i Mustafës.

Prokurori i ZPS-së, Cezary Michalczuk, i ka kundërshtuar këto pretendime dhe ka insistuar që kërkesat e mbrojtjes të refuzohen si të pabazuara.

“Të akuzuarit iu ofrua një gjykim i drejtë. Kishte mundësinë të vlerësonte dhe të kundërshtonte dëshmitë e paraqitura kundër tij dhe gjithashtu ju lejua që t’i prezantonte të gjitha dëshmitë në mbështetje të çështjes së tij”, ka thënë prokurori.

Gjykata e shkallës së parë në Hagë ia ka shqiptuar Mustafës 26 vjet burgim, që e bën këtë dënimin më të lartë për krime lufte të kryera në Kosovë, të shqiptuar qoftë nga gjykata në Kosovë apo edhe nga Tribunali i Hagës.