LAJMET E MBRËMJES

Blinken e Von der Leyen i kërkojnë Kurtit shtensionim të situatës në veri dhe kthim në dialog

Kërkesa identike kanë shtruar ndaj kryeministrit Albin Kurti sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në bisedë telefonike me të, kanë kërkuar shtensionim të situatës në veri nëpërmjet zbatimit të kërkesave të BE-së, si dhe kthim të menjëhershëm në dialog.

Plani trepikësh i Bashkimit Evropian, është rruga më e mirë drejt zgjidhjes së krizës në veri të Kosovës, ka thënë të martën sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

Në bisedën telefonike që Blinken ka zhvilluar një ditë më parë me kryeministrin Albin Kurti, ka kërkuar shtensionimin e situatës në veri dhe kthimin e palëve në dialog.

“Sot kam folur me kryeministrin kosovar Albin Kurti për të kërkuar shtensionimin në veri të Kosovës dhe kthimin e menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara”, tha Blinken.

Me kryeministrin Kurtin, të martën ka biseduar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Edhe ajo ka shtruar kërkesa të ngjashme me të Blinkenit.

“Theksova nevojën urgjente për shtensionim dhe kthim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve me Serbinë. Do të flas sot më vonë me presidentin Vuçiq”, tha Von der Leyen.

Por, në njoftimin e Qeverisë për këtë bisedë telefonike, nuk është treguar nëse kërkesat e Von der Leyen do të merren parasysh. Në të është theksuar gatishmëria për ta zvogëluar prezencën e policisë, paralelisht me vendosjen e rendit në veri.

“Më tej, kryeministri Kurti e informoi presidenten e Komisionit Evropian për konfiskimin e armatimit të shumtë para katër ditëve në Zveçan në një veturë me targa të Beogradit, në vendin ku para katër javëve u ushtrua dhunë brutale mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët. Ai shprehu gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

Në funksion të shtensionimit të situatës në veri, Bashkimi Evropian ka kërkuar që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë detyrën nga lokacione alternative, që Njësia Speciale të largohet nga objektet qendrore të komunave dhe që sa më parë të mbahen zgjedhjet e reja.