LAJMET E MBRËMJES

Bizneset paralajmërojnë protestë të re kundër liberalizimit të tregut energjetik

Përfaqësues të bizneseve kanë paralajmëruar se më 11 qershor do të mbajnë tjetër protestë për të shprehur pakënaqësi lidhur me daljen në treg të hapur të energjisë. Pas një takimi të mbajtur të enjten, ata kanë bërë të ditur se rreth 400 fabrika janë duke e shqyrtuar mundësinë e mbylljes, si pasojë e vendimit të ZRRE-së

Rreth 400 fabrika në Kosovë janë duke e shqyrtuar mundësinë e mbylljes, si pasojë e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e detyrueshme në tregun e lirë të energjisë elektrike të bizneseve me mbi 50 punëtorë apo më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor, kanë thënë të enjten përfaqësues të odave ekonomike. 

Në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në bashkëpunim me përfaqësues tjerë të sektorit privat dhe të bizneseve anëtare e joanëtare, është dhënë paralajmërimi që në rast se Qeveria dhe ZRRE-ja nuk reflektojnë mbi kërkesën e adresuar për fazë tranzicioni, atëherë përfaqësues të bizneseve do të organizojnë më 11 qershor edhe një protestë të ngjashme sikurse javën e shkuar.

Lulzim Rafuna, kryetar i OEK-ut, ka thënë se të gjithë përfaqësuesit e bizneseve kanë shprehur kërkesë që të shtyhet afati i 1 qershorit për kalim në tregun e lirë të energjisë dhe që të përgatitet një paketë lehtësuese për këtë fazë tranzicioni.

“Të gjithë kërkuan dhe u pajtuan që t’i bëjmë thirrje prapë qeverisë që të reflektojë, ZRRE-së që të reflektojë. Të na jepet mundësia e një faze të tranzicionit, siç e kemi kërkuar më herët. Të përgatitet tregu, të përgatitet një paketë që e përcjell gjatë kësaj faze të tranzicionit lehtësimin për të dalë në treg të lirë dhe biznesi të kalojë në tregun e lirë në datën që do të dakordohemi të gjithë bashkë”, ka thënë Rafuna pas takimit.

E përfaqësues të disa bizneseve kanë thënë se, me gjithë që është duke rrjedhur faza tranzitore 60-ditore, ata janë duke u përballur me kërcënime nga Korporata Energjetike (KEK) për ndalje të energjisë elektrike po qe se nuk nënshkruajnë kontratë për treg të lirë. 

“Ftojmë KEK-un, në këtë rast, që mos të kërcënojë bizneset me ndalje të rrymës. Siç po kemi informata nga bizneset që është duke kërkuar nga bizneset që ta realizojnë një kontratë. Në të kundërtën ia ndal rrymën. KEK-u nuk ka të drejtë t’ia ndalë rrymën në këtë fazën 60-ditore”, ka thënë Skender Krasniqi, kryetar i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Ky pretendim është mohuar nga KEK-u. Në KEK kanë thënë se i kanë njoftuar bizneset me anë të komunikatave se i kanë edhe tri ditë kohë për të nënshkruar kontratat, por që nuk është kërcënuar askush.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane (OEA), e ka theksuar mungesën e përgatitjes për kalimin në tregun e liberalizuar energjetik.

“Shembulli i ‘Feronikelit’ është shembulli më konkret se cili është ndikimi i liberalizimit të tregut të papërgatitur të energjisë elektrike. Tregu në aspektin e furnizimit nuk ka qenë i përgatitur dhe këtu nuk ka asgjë prej neve që mund të bëjë. Është ZRRE-ja që është dashur të sigurohej para vendimit se tregu është funksional”, ka thënë Zeka.

E drejtori menaxhues i Klubit të Bizneseve, Ilir Ibrahimi, ka thënë se situata nuk është për të mos u marrë seriozisht.

“Patëm disa deklarime sot këtu në takimin që patëm me rreth 400 biznese, të cilat u deklaruan se janë duke konsideruar mbylljen e fabrikave të tyre. Situata nuk është qesharake, nuk është për të mos u marrë seriozisht. Jemi para mbylljes së fabrikave të këtij vendi”, ka theksuar ai.

Më 29 maj përfaqësues të bizneseve kanë dalë në protestë, e cila është mbajtur në shenjë pakënaqësie lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Në këtë protestë janë mbajtur të bllokuara me automjete hyrje-daljet në Prishtinë.

E në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë kanë reaguar të enjten lidhur me qëndrimin e shprehur nga Bashkimi Evropian (BE) sa i përket procesit të liberalizmit të energjisë elektrike në Kosovë, duke thënë se qëndrimi i bllokut evropian i vërteton deklarimet se procesi i liberalizimit është me shumë të meta.