Përveç në Serbi, zgjedhjet e mbajtura të dielën kanë nxitur reagime edhe më gjerë. Parregullsitë që kanë shoqëruar procesin kanë bërë që BE-ja të shprehet e shqetësuar me zhvillimin e tij. Hetim ka kërkuar njëra prej anëtarëve të delegacionit, që ka vëzhguar mbarëvajtjen e tyre. Në Gjermani gjetjet mbi procesin janë konsideruar të papranueshme për një shtet që ka statusin e vendit kandidat të BE-së
Procesi i zgjedhjeve në Serbi është pritur me shqetësim nga ndërkombëtarët.
Për mbarëvajtjen e tij, të martën, të shqetësuar janë shprehur në Bashkimin Evropian.
Në një deklaratë të përbashkët, shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, kërkuan ndryshme në mënyrë që të ecet para me pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Ne marrim parasysh gjetjet preliminare dhe konkluzionet e vëzhguesve ndërkombëtarë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë dhe Zyrës, për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut për zgjedhjet parlamentare serbe. Në dritë të këtyre gjetjeve, me shqetësim ne vijmë në përfundim, se procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësim dhe reforma të mëtejme, pasi që funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është thelbi i procesit të pranimit të Serbisë në BE”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Më 17 dhjetor, në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale në shumë qytete.
Parregullsitë e evidentuara nga misioni vëzhgues i OSBE-së, sipas Gjermanisë, janë të papranueshme për një vend që ka statusin e vendit kandidat të BE-së.
“Serbia ka votuar, por OSBE-ja raporton për keqpërdorime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votës. Kjo është e papranueshme për një vend me status kandidat në BE”, thuhet në reagimin e Zyrës së Jashtme Federale të Gjermanisë.
Pjesë e delegacionit për vëzhgimin e procesit zgjedhor në Serbi, ishte edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo ka kërkuar hetim ndërkombëtar mbi mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.
“Ne dëshmuam raste të sjelljes së organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësimit të votuesve. Ne prisnim absolutisht standarde më të larta demokratike nga një vend kandidat për anëtarësim në BE. Nevojitet një mbikëqyrje ndërkombëtare dhe një hetim i plotë”, ka thënë von Cramon.
Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiq, ka shpallur fitoren në të gjitha nivelet.
Por, partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” kanë kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale në Beograd, duke argumentuar se për shkak të parregullsive të shumta, rezultatet zgjedhore nuk e reflektojnë vullnetin e qytetarëve.
Partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, kanë thënë se në zgjedhjet lokale në Beograd ka pasur shumë parregullsi, dhe se rezultatet nuk e reflektojnë vullnetin e qytetarëve.
Edhe nga vëzhguesi zgjedhor serb, CRTA, kanë deklaruar se rezultatet në Beograd nuk pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Republikan Zgjedhor, lista zgjedhore “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet” ka fituar 46.71 për qind, pasuar nga lista “Serbia kundër dhunës” me 23.58 për qind.
E treta është radhitur lista “Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë” me 6.57 për qind të votave. Më pas vjen “Shpresa për Serbinë” me 5.03 për qind dhe “Ne – Zëri i Popullit” me 4.69 për qind.
Në zgjedhjet e 17 dhjetorit, banorët serbë të Kosovës kanë udhëtuar drejt Serbisë për të votuar. Kjo, pasi votimet nuk janë lejuar të mbahen në territorin e Kosovës, krahasuar me vitet më parë.
Ata kanë mundur të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë - në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Qeveria e Kosovës pati kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.