Në fshatin Zborc të Shtimes, ku kanë nisur punimet për ndërtimin e një objekti të ri të Entit Social, banorët kanë shprehur kundërshtim lidhur me lokacionin e përcaktuar të tij. Ata thonë se objekti do të ngrihet shumë afër shtëpive të tyre dhe kërkojnë që lokacioni t’i ndërrohet. Por këtë mundësi e përjashtuan në Komunën e Shtimes
Punimet për ndërtimin e objektit të ri të Entit Social në Komunën e Shtimes, që kanë nisur një ditë më parë, kanë hasur në kundërshtimin e disa banorëve të fshatit Zborc.
Ata shprehën pakënaqësi se objekti, që është pjesë e projektit që i përfshinë katër fshatra të komunës, është paraparë të ngrihet shumë afër shtëpive të tyre dhe kanë kërkuar që lokacioni t’i ndërrohet.
“Nuk jena kundër projektit, jena kundër lokacionit. Lokacionin ka mundësi me shty bile edhe një kilometër më larg, me na e largu prej shtëpive. Pse në afërsi të fshatit tonë kur ka mundësi me dërgu më tutje, ku asnjë fshati nuk i pengon. Pse me ardhë ata me na shqetësuar ose na me i shqetësuar ata duke punuar në ara”, ka thënë Naser Mehmetaj, banor i fshatit Zborc.
Kritika për projektin ka shprehur edhe banori tjetër i fshatit, Sejdi Kadriu.
“Planin dhe projektin e kanë bërë në Komunë, e neve nuk na kanë lajmëruar hiq. As çka po bëhet? As çka po ndërtohet? Vetëm kur ka ardh puna me ia nisë punimet këtu. Nesër me na u deshtë një fushë sporti, një shkollë, një ambulantë me ndërtu, nuk kemi territor”, ka thënë ai.
Banorët patën dorëzuar më herët në Komunë një peticion me rreth 200 nënshkrime me kërkesë për ndërrimin e lokacionit. E pas një proteste që e mbajtën të hënën, ata paralajmëruan edhe të tjera po qe se Komuna nuk u jep përgjigje kërkesave të tyre.
Por kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka thënë se lokacioni nuk do të ndryshohet dhe se vendimi për të është marrë bazuar në planifikimet e bëra nga qeveria.
“Duke qenë institucion qendror, qeveria e Republikës së Kosovës e ka buxhetuar edhe e ka financuar, edhe neve na është kërkuar një hapësire prej 5 hektarësh në një zonë ku janë toka publike, mos me pas nevojë për shpronësim. Ne si Komunë e Shtimes, në mungesë të shumë pronave, ja kemi përcaktuar si lokacion atë regjion. Larg zhurmës, larg qytetarëve, larg institucioneve, komfort konditave që janë në harmoni me natyrën e sëmundjeve të atyre pacientëve”, ka thënë Aliu.
Projekti për objektin e ri të Entit Social, i cili pritet të finalizohet brenda dy vjetësh, e kap vlerën e investimit prej rreth 6 milionë eurosh.