LAJMET E MBRËMJES

Bakoyannisi nis misionin faktmbledhës për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Ish-diplomatja greke e raportuese e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, ka nisur të enjten vizitën faktmbledhëse në Kosovë, me ç’rast mbajti takime me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti. Përderisa presidentja ia shprehu pritjen që ky këshill t’ia hapë Kosovës derën e anëtarësimit vitin e ardhshëm, kryeministri ia shpalosi veprimet e ndërmarra drejt jetësimit të këtij synimi

Si prioritet për Kosovën e domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të mirëqenies së të gjithë qytetarëve e ka kualifikuar presidentja Vjosa Osmani anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në takimin me raportuesen e Asamblesë Parlamentare të këtij këshilli, Dora Bokayannis, Osmani shprehu pritjen që Këshilli i Evropës të hapë derën për anëtarësimin e Kosovës vitin e ardhshëm.

“Kosova është e përkushtuar që t’i përmbushë të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për anëtarësim. Kushtetuta e Kosovës veçse ka përfshirë konventat kyçe të Këshillit të Evropës, duke i bërë ato të zbatueshme në Kosovë. Në këtë frymë, Kosova është e përkushtuar fuqimisht ndaj vlerave evropiane, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, deklaroi Osmani.

Bakoyannisi, që të enjten e nisin vizitën faktmbledhëse në Kosovë, mbajti takim edhe me kryeministrin Albin Kurti. Në këtë takim ajo i numëroi ndryshimet që i vërejti në Prishtinë që prej vizitës së fundit, vite më parë.

“Isha shumë kohë më parë, në vitin 2003 dhe 2009, shoh një qytet tjetër, një ndryshim komplet. Është madhështore”, tha ajo.

E kryeministri Kurti i foli për angazhimin në drejtim të anëtarësimit në këtë Këshill.

“Është proces historik për shtetin tonë, çështja e Këshillit të Evropës. Ne besojmë se jemi në rrugën e duhur dhe jemi duke u munduar me të gjitha njohuritë e aftësitë tona që të bëjmë më të mirën për vlerat bazike të demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit që të gjitha fazat deri në anëtarësim të shkojnë mirë”, u shpreh ai.

Pas vizitës së raportueses kryesore Bakoyannis, nga Ministria e Punëve të Jashtme njoftuar se në fillimdhjetor Kosovën do ta vizitojnë edhe dy raportues të komiteteve të tjera të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.