LAJMET E MBRËMJES

Avokati dhe familja kërkojnë përjashtimin e prokurorit Shefkiu nga rasti “Dehari”

Kërkesë për përjashtimin e prokurorit, Afrim Shefkiu, nga hetimet mbi rastin e vdekjes së Astrit Deharit, kanë paraqitur të premten avokati dhe familjarët e tij. Prindërit e Deharit e kanë arsyetuar kërkesën me mosinformimin prej anës së prokurorit mbi ecurinë e rastit. Ndërkaq, avokati Tomë Gashi ka akuzuar prokurorin për heshtje rreth dërgimit në Institutin zviceran të provave të dëmtuara dhe të papërdorshme

Përjashtimin e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, nga hetimi për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në burg rreth gjashtë vjet më parë, e kanë kërkuar të premten avokati dhe familjarët e të ndjerit.

Si arsye për kërkesën e adresuar, nëna e Deharit, Xhemile Dehari, ka numëruar mungesën e ofrimit të informata nga ana e prokurorit mbi ecurinë e hetimeve. Ajo ka theksuar gjatë një konference për shtyp se këto informata prokurori Shefkiu nuk i ka siguruar, me gjithë kërkesat e adresuara nga avokati i familjes.

“Jo që e kemi zgjedhur ne. Ne as që e kemi dërguar, e as që e kemi zgjedhur. Por puna e tij na ka detyruar që ta bëjmë një kërkesë të tillë, pasi që për katër vjet jemi duke e pritur e as katër fjalë s’i kemi prej tij për atë se çfarë po bëhet, se si po veprohet. Kemi shkuar edhe një herë dhe kemi biseduar. Nuk na ka dhënë kurrfarë sqarimi. Nuk na thërret kurrë, nuk bisedon kurrë. Nuk jemi armiq, jemi njerëz që duam ta zgjidhim rastin që na ka ndodhur në duart e tyre”, ka thënë Xhemile Dehari, gjatë konferencës.
Zhgënjimin me punën e prokurorit e ka shprehur edhe babai i të ndjerit dhe njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje. Duke u shprehur i mllefosur për punën e Shekiut, Avni Dehari ka kujtuar kohën kur familja ishte gëzuar që rasti rreth vdekjes së të birit të tyre ishte bartur nga Prokuroria Themelore në Prizren te Prokuroria Speciale. Megjithëkëtë, ai ka akuzuar prokurorin edhe për manipulim të opinionit rreth raportit të mëhershëm të nxjerrë nga Instituti mjekoligjor në Zvicër.
“Në vend që të na dërgojnë, neve si familje, ia kanë dërguar (raportin e Institutit nga Zvicra) vetëm avokatit, pa na i dërguar neve dhe kanë dalë… edhe prokurori ka nxjerrë menjëherë në media dy pika të raportit, me të cilat ka synuar ta manipulojë opinionin për vetëvrasje”, ka thënë Dehari.

Tomë Gashi, avokat i familjes, gjatë konferencës për kumtimin e kërkesës së familjes Dehari rreth prokurorit, ka paraqitur edhe një fotografi të plagëve në kokën e Deharit. Këto plagë, ai ka thënë se përbëjnë dëshmi për vrasjen e tij në burg.

“Faktikisht, janë konstatuar plagë të cilat i ngjajnë goditjes me boks (v.j hekuri) dhe kjo është kjo. Prokurori nuk deklarohet fare në kërkesë të protokolluar që t’i ftojë ekspertët e mjekësisë ligjore”, ka thënë Gashi.
Avokati Gashi është ankuar gjithashtu se prokurori ka heshtur rreth dërgimit të provave të dëmtuara dhe të papërdorshme për ekspertizën e mëhershme nga Instituti në Zvicër.

“Prokurori, në vend që të kërkojë hetim penal për personat që i kanë dërguar këto prova në Zvicër, sepse prokurori është përgjegjës, ai hesht. Unë më 22.04 të këtij viti, 10 ditë pas marrjes së ekspertizës, kam paraqitur për hetim penal që prokurori t’i identifikojë me emra dhe me mbiemra personat kompetentë, personat përgjegjës, kush i ka dërguar në Zvicër provat e manipuluara, prova të papërdorshme, prova me të cilat nuk mund të arrihet kurrfarë rezultati shkencor, sepse thjesht ato janë dëmtuar në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Ai ka bërë të ditur se që prej vitit të shkuar e deri më tani, prokurorit Shefkiu i është bërë kërkesë për t’ia siguruar kërkesë-urdhëresat që ai i ka bërë në Institutin zviceran të mjekësisë ligjore për hetimin e provave të papërdorshme, për hetimin dhe për identifikimin e zyrtarëve që e kishin transferuar Astrit Deharin nga burgu, si dhe një kërkesë për sqarime rreth plagëve në kokën e të ndjerit.

Nga Prokuroria Speciale nuk është lëshuar gjatë së premtes ndonjë komunikatë apo reagim lidhur me çështjet e ngritura në konferencën e avokatit dhe të familjes Dehari.
Astrit Dehari, një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte vdekur në Burgun e Prizrenit, më 5 nëntor të vitit 2016. Pas vdekjes së tij në moshën 26-vjeçare, nga institucionet ishin adresuar deklarata kontradiktore lidhur me shkaktarin e vdekjes.