Seanca e shqyrtimit fillestar për sulmin terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit” është shtyrë shkaku i kërkesës së avokatit të Jovan Viqentijeviqit për përjashtim të prokurorit. Mbrojtësit e vëllezërve Viqentijeviq thanë se prokurori i rastit nuk i ka përfillur kërkesat e tyre gjatë fazës hetimore. Atyre iu kundërpërgjigj prokurori duke rikujtuar se sulmi ishte profesional dhe cenoi sigurinë kombëtare të Kosovës
Të akuzuarit për kryerje të veprës terroriste në kanalin e “Ibër-Lepencit”, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, i akuzuari për posedim të paautorizuar të armëve, nuk mundën të deklaroheshin mbi fajësinë, siç ishte paraparë të bëhej në seancën e së mërkurës.
Kjo pasi seanca e shqyrtimit fillestar u shty meqë mbrojtësi i Jovan Viqentijeviqit njoftoi se ka bërë kërkesë në Prokurorinë Speciale për përjashtim nga rasti të prokurorit Bekim Kodraliu.
Avokati Nebojsha Vllajiq tha se prokurori i ka shpërfillur detyrimet e tij për t’i marrë për bazë provat shfajësuese dhe, sipas tij, kjo është hera e parë që e bën një kërkesë të tillë pas gati 30 vjetësh si avokat.
“Kam propozuar që të merren pamjet e kamerave të dy objekteve, që të intervistohen edhe katër njerëz, që të bëhen analizat në baza të antenave telefonike, të vërtetohet se prej cilave antena ka pasur sinjal Jovani në kohën kritike. Kjo do ta tregonte se ku ka qenë e në asnjë mënyrë nuk është vepruar kështu”, ka thënë Vllajiq.
Me këtë propozim u pajtua edhe avokati Milosh Deleviq, i cili tha se prokurori nuk ia aprovoi as kërkesat gjatë fazës së hetimit.
“Kam kërkuar të mblidhen videoincizimet e kamerave, të bankës KEP në Zubin-Potok dhe të Stacionit Policor në Zubin-Potok një orë para dhe një orë pas shpërthimit. Deri më sot prokurori special nuk ka vepruar sipas kërkesës sime”, ka thënë Deleviq.
Prokurori special Bekim Kodraliu tha se janë pesë arsye që i parasheh kodi i procedurës penale, por asnjë nga këto nuk i ka argumentuar mbrojtja gjatë kërkesave që ka shtruar.
Kodraliu tha se sulmi ka qenë profesional, ndërsa hetimi është zhvilluar edhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Ndoshta nuk u pëlqen hetimi që unë e kam zhvilluar në këtë rast, por i njoftoj palët që sulmi terrorist ka qenë sulm profesional. Ka qenë i koordinuar në mënyrë të përsosur”, ka thënë prokurori Kodraliu. “Ka qenë sulm që e ka cenuar drejtpërsëdrejti sigurinë kombëtare dhe ne nuk kemi mundur në atë fazë të vlerësonim se kush mund të jetë dëshmitar dhe i dyshuar në këtë rast. Hetimet i kemi zhvilluar edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”.
Ai tha se ka bërë edhe përpjekje për t’i marrë komunikimet e të pandehurve me telefonat me kartela të Serbisë, porse ato nuk i janë dorëzuar kurrë nga autoritetet serbe.
Gjyqtari Vesel Ismaili tha se duhet ta ndërpresë seancën deri në shqyrtimin e kërkesës së Vllajiqit nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale.
Vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit u janë gjetur baltë në çizme që përputhet për nga struktura, ngjyra dhe përbërja me atë që është gjetur në vendin ku është kryer sulmi terrorist me eksploziv.