Përfaqësues të Nismës së të Rinjve për të Drejta të Njeriut, nëpërmjet një aksioni kanë ndërprenë takimin e Komisionit parlamentar për të drejta të njeriut. Pas goditjeve në tavolina e fishkëllimave, ata kërkuan dorëheqjen e kryetares së këtij komisioni, Duda Balje, e anëtares Labinotë Demi-Murtezi, shkaku i, siç thanë, gjuhës përjashtuese ndaj komunitetit LGBTIQ+
Nëpërmjet një aksioni, përfaqësues të tri organizatave joqeveritare ndërprenë të mërkurën takimin e thirrur nga Komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut, në të cilin në rend dite ishte diskutimi mbi mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Me goditjet mbi tavolina e fishkëllima, organizatat e udhëhequra nga Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR) kërkuan dorëheqjen e kryetares së Komisionit, Duda Balje, dhe të deputetes Labinotë Demi-Murtezi.
Në tavolinën e Baljes ata vendosën mbishkrimet në të cilat shkruante: “Homofobët s’kanë vend në Kuvend”.
“Duhet të fillohet me dorëheqjen e kryetares, për shkak se kryetarja përveçqë përdor gjuhë përjashtuese për personat LGBT në Republikën e Kosovës, njëkohësisht ne nuk mund të adresojmë asgjë në këtë komision për të drejtat e njeriut, duke pasur parasysh që ky komision udhëhiqet prej figurave që promovojnë gjuhën e urrejtjes dhe asnjëri nuk ka bërë distancim nga anëtarë të tjerë të grupit të komisionit mbi deklaratat e kryetares”, ka thënë aktivisti Blert Morina.
Pas aksionit, mbledhja e Komisionit është ndërprerë.
E deputetja Balje, tek është larguar nga salla, ka thënë se nuk do kërkojë falje.
Në një njoftim pasues nga Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut është kualifikuar e papranueshme gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+.
“Duda Balje publikisht deklaroi përsëri që i qëndron prapa gjuhës së saj përjashtuese dhe diskriminuese ndaj personave LGBTIQ+, nën pretekstin klasik se ‘është mendimi im personal’. Këtë deklaratë e bëri sot në diskutimin që u mbajt në Kuvend. Diskriminimi vazhdon nga deputetja Labinotë Demi-Murtezi, prezent në këtë takim, që publikisht deklaroi që ‘personat LGBTIQ+ shpërndajnë sëmundje’, deklaratë të cilën e kemi dëgjuar nga ajo edhe në seancën e 16 marsit të vitit 2022”, thuhet në njoftim.
Balje e Demi-Murtezi janë deklaruar kundër Projektkodit Civil që ka dështuar të miratohet në Kuvend marsin e vitit të shkuar. Si arsye është përmendur pika e dytë e nenit 1138, që i lejon bashkësitë civile mes personave të gjinisë së njëjtë.