Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Abbott: E kaluara nuk duhet harruar, por Kosova e Serbia duhet të bëjnë kompromise

E kaluara nuk mund të harrohet, porse Kosova e Serbia duhet të bëjnë kompromise, tha të martën ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

Ai gjatë një bashkëbisedimi me studentë në Fakultetin Filozofik theksoi se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është kontributi më i fuqishëm që Kosova mund të ofrojë për sigurinë evropiane.

“Kontributi më i fuqishëm që Kosova mund të japë për sigurinë evropiane tani është të bëjë përparim në një marrëveshje me Serbinë, një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet dhe siguron pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj kombëtar. E di që nuk do të jetë e lehtë.... Kjo nuk do të thotë se Kosova dhe Serbia do të lënë anash të gjitha dallimet mes tyre, as të harrojnë të kaluarën, por do të kërkojë kompromis dhe mbi të gjitha prioritizimin e mirëqenies afatgjatë të qytetarëve”, tha Abbott.

Abbott e kualifikoi si urgjente ndërmarrjen e hapave të nevojshëm nga Kosova për sigurimin e të ardhmes së saj evropiane, me gjithë shtetet e BE-së që ende nuk ia njohin shtetësinë.

“Fatkeqësisht, është fakt se 23 vjet pas përfundimit të luftës dhe 14 vjet pas pavarësisë, Republika e Kosovës është ende e panjohur nga pjesa më e madhe e botës. Ajo duhej të luftonte në çdo hap të rrugës për çdo njohje, për çdo anëtarësim. Jam krenar që Britania e Madhe ka qenë krah për krah me ju në çdo hap të atij rrugëtimi. Miqësia jonë është e pakushtëzuar. Tani është koha për të shikuar përpara”, tha Abbott.

Ambasadori britanik tha, po ashtu, se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të vërë në dyshim të ardhmen evropiane.

Edhe Abbott: Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise Arbëri Abbott: Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise

“Në Ballkanin Perëndimor asnjë komb nuk duhet ta injorojë pyetjen se çfarë të ardhme dëshiron. A janë ata për liri dhe prosperitet apo dëshirojnë të mbeten pas autokratëve dhe kriminelëve”, tha Abbott.

Abbott i shprehu mirënjohje Kosovës për ndihmën e ofruar Ukrainës, pas agresionit të Rusisë, ndërsa si problematikë të veçantë e numëroi migrimin e shqiptarëve drejt Britanisë.