Kryeministri britanik, për pavarësinë e Kosovës (KOHA Ditore, 13 dhjetor 2007)
“Unë mendoj se porosia po jepet qartë dhe zëshëm edhe për Serbinë, edhe për Rusinë se kjo është rruga që do të ndjekim dhe unë shpresoj se të gjitha partitë do ta mbështesin këtë”, ka theksuar kryeministri i Britanisë
Londër, 12 dhjetor 2007 - Një ditë paratakimit të shefave të shteteve dhe qeverive të BE-së në Bruksel, kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Brown, ka paralajmëruar në Londër se BE-ja do të marrë përgjegjësi në Kosovë dhe pret që në samit Këshilli i BE-së të thotë qartë se nga duhet të shkojë Kosova. Brown, duke nënvizuar se nuk është arritur pajtim ndërmjet palëve për marrëveshjen e statusit, ka pohuar se Kosova duhet të ketë tash pavarësinë e mbikëqyrur.
”Ne besojmë se Kosova duhet të shkojë drejt pavarësisë së mbikëqyrur. Nuk ishte e mundur të arrihej një marrëveshje ndërmjet kosovarëve dhe serbëve”, tha kryeministri Brown, duke folur në Parlamentin e Britanisë së Madhe. “Ne besojmë se Bashkimi Evropian duhet të ofrojë kapacitetet e veta për të plotësuar ato që bashkësia ndërkombëtare ka aktualisht në Kosovë dhe ne shpresojmë se mund të shkojmë drejt asaj që ne e quajmë pavarësi e mbikëqyrur. E thënë me fjalë të tjera, që të përmbushen të drejtat e kosovarëve, me kusht që të mos ketë dhunë”, ka thënë kryeministri britanik, duke shtuar se kjo çështje do të diskutohet nga BE-ja gjatë fundjavës.
Ai ka theksuar se Kosova është përgjegjësi e Bashkimit Evropian. ”Kjo është, nëse doni, zona e fundit e Ballkanit, ku ne duhet të zbatojmë në praktikë mekanizmat që do të siguronin paqe dhe stabilitet në të ardhmen. Unë personalisht besoj se serbët janë të interesuar të punojnë me Bashkimin Evropian dhe ne duhet t’i bindim që ta bëjnë një gjë të tillë, por unë mendoj se çështja më rëndësi është që ne të mbështesim pavarësinë e mbikëqyrur të popullit të Kosovës”, shtoi ai, duke paralajmëruar se kjo do të thuhet qartë edhe në takimin e BE-së nesër në Bruksel.
“Unë mendoj se porosia po jepet qartë dhe zëshëm edhe për Serbinë dhe Rusinë se kjo është rruga që do të ndjekim dhe unë shpresoj se të gjitha partitë do ta mbështesin këtë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Britanisë së Madhe i është përgjigjur edhe pyetjes së shefit të opozitës konservatore, David Cameron, që ka kërkuar që Britania e Madhe të dërgoj më shumë trupa në Kosovë tash në prag të pavarësisë për të parandaluar eskalacion eventual të dhunës. Brown ka thënë se është tepër herët që të ndërmerret një hap i tillë.
”Shpresoj se për hapat që ne po ndërmarrim për këtë, do të ketë mbështetje nga të gjitha partitë”, ka thënë kryeministri i Britanisë së Madhe Gordon Brown.
Britania e Madhe ka qenë në krye të vendeve perëndimore që tash e disa vite angazhohen për pavarësinë e Kosovës. Për këtë ishte angazhuar më parë shumë ish-kryeministri Tony Blair. Por edhe pas largimit të tij, Gordon Brown dhe ministrat e tij kanë vazhduar rreth Kosovës të ndjekin të njëjtën rrugë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës ashtu si e ka propozuar Martti Ahtisaari.
Edhe opozita britanike mbështet pavarësinë e Kosovës. Lideri i opozitës, David Cameron, gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës, duke thënë se Rusia nuk mund ta parandalojë zgjidhjen e një problemi aq të rëndësishëm në Evropë, siç është Kosova.
Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: