Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se Projektligji i Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme së shpejti do të dërgohet për miratim në Qeveri dhe më pas edhe në Kuvend. Ajo tha se pas gjetjeve të Kushtetueses, që e shpalli ligjin të pavlefshëm, janë adresuar çështjet e ngritura nga Gjykata
Ardona Popova
Ministria e Drejtësisë nuk e ka hartuar një projektligj të ri mbi Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, porse i ka bërë disa ndryshime në ligjin ekzistues, ka thënë ministrja Albulena Haxhiu, të martën.
Muaj më parë, Ligji për Byronë Shtetërore u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, që gjeti se katër nga nenet e tij janë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të shtetit.
Haxhiu, nëpërmjet një konference shtypi, bëri të ditur se projektligji së shpejti do të dërgohet për miratim në Qeveri dhe më pas edhe në Kuvend.
“Kjo është një fitore e qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që kanë abuzuar me detyrën zyrtare, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe për të gjithë ata që, duke qenë zyrtarë, kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme”, ka thënë ajo.
Ajo tha se pas aktvendimit të Gjykatës janë adresuar çështjet që kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Çështja e parë që është adresuar është retroaktiviteti i ligjit. Haxhiu tha se Kushtetuesja gjeti se shtrirja e gjatë kohore mund të krijojë sfida për palët e përfshira, duke i vendosur ato në një pozicion "të pamundësisë objektive për të siguruar prova që justifikojnë prejardhjen e pasurisë së tyre".
“Ndryshimet e saj në draftligj sigurojnë që periudhat e reja të verifikimit të pasurisë të lidhen vetëm me periudhën, kur zyrtari publik ka qenë në funksion, duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për pesë vjet pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik”, ka deklaruar ajo.
Ndryshimi i dytë ka të bëjë me qartësimin e periudhës kohore për verifikimin e pasurisë. Haxhiu tha se me ndryshimet, periudha e verifikimit do të lidhet vetëm me periudhën kohore kur një zyrtar publik ka qenë në funksion, duke lejuar që byroja të nisë verifikimin e pasurisë vetëm në periudhën deri në pesë vjet pasi një zyrtar publik ka përfunduar ushtrimin e funksionit.
Ky ndryshim, tha Haxhiu, mbron zyrtarët “nga hetimet e pafundme”.
Haxhiu tha se çështja e tretë e adresuar është ajo e Komisionit mbikëqyrës dhe ndarjes së pushteteve. Kushtetuesja ka kërkuar ndryshimin e përbërjes së komisionit. Ndryshimet e reja, sipas MD-së, kanë ristrukturuar përbërjen e komisionit, duke përfshirë tre anëtarë që do të zgjidhen nga Kuvendi, përfshirë drejtorin e Agjencisë për parandalimin e korrupsionit dhe drejtorin e njësisë së inteligjencës artificiale.
“Sapo të kemi deklaratat e Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Kosovës, që ndërlidhen me deklaratën financiare dhe nëse ligji është në përputhje me acquis communautaire, ne do ta procedojmë sërish versionin me ndryshime. Sipas njoftimeve që i kam nga kabineti, brenda javës do të kemi këto dy deklarata dhe menjëherë do ta procedojmë në Qeveri e më pas në Kuvend”, tha Haxhiu, duke kërkuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë ligj kur të dërgohet në seancë plenare.
Në fakt, deputetët e Kuvendit e miratuan Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në shkurt të 2023-s. Pak ditë më vonë, zyrtarë të Partisë Demokratike e dërguan atë për verifikim në Kushtetuese.
Gjykata e shpalli Ligjin të pavlefshëm më 26 qershor të 2024-s. Ai parashihte që të gjithë zyrtarët publikë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë po qe se ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Krahas zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe i konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, te të cilët ka dyshime se mund të jetë bartur pasuria e zyrtarëve publikë.
Kushtetuesja, në aktvendimin e saj, tha se procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’ dhe, sipas të cilit, pasuria cilësohet e pajustifikueshme nëse gjykata bazuar në prova ‘beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur sesa jo’”.
Ligji, që është shpallur i pavlefshëm, përfshinte periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.