Kryeministri Albin Kurti, tek ka njoftuar për vendimi në mbledhjen e Qeverisë, ia ka përmendur dështimin “Trepçës” për t’i siguruar pagat për minatorët. “4 milionë euro dedikuar mbështetje për “Trepçën” në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale, ku ndërmarrja nuk ka arritur t’i sigurojë pagat nga xehja e nxjerrë. Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë, për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, ka thënë ai
Qeveria ka ndarë të mërkurën 4 milionë e 14 mijë euro për mbështetje të “Trepçës”, në tejkalimin e krizës aktuale.
Paratë janë marrë prej kategorisë për subvencione dhe transfere nga pakoja e ringjalljes ekonomike.
Kryeministri Albin Kurti, tek ka njoftuar për vendimin në mbledhjen e Qeverisë, ia ka përmendur dështimin “Trepçës” për t’i siguruar pagat për minatorët.
“4 milionë euro dedikuar mbështetje për “Trepçën” në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale, ku ndërmarrja nuk ka arritur t’i sigurojë pagat nga xehja e nxjerrë. Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë, për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, ka thënë Kurti.
Pas vendimit të Qeverisë për t’i subvencionuar pagat, në Sindikatën e Pavarur të Minatorëve të “Trepçës” kanë njoftuar se janë tërhequr nga vendimi për mbajtjen e një proteste të enjten.
“Nisur nga fakti se ditën e djeshme kemi njoftuar se do të mbajmë protestë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllimin e vetëm që të kërkojmë ekzekutimin e pagave të papaguara, e duke pasur parasysh reflektimin e Qeverisë, ne tërhiqemi nga protesta që do të ndodhte nesër”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Sipas kësaj sindikate, ky ka qenë edhe qëllimi i vetëm i protestës dhe se kërkesave të minatorëve në asnjë moment nuk mund dhe nuk duhet t’u vihen ngjyrime politike.
“Minatorët nuk kanë kërkuar dhe nuk kërkojnë asgjë tjetër, përveç kushte për punë dhe paga dinjitoze. Përkushtimi ynë për punë në minierë është dhe do të mbetet përherë i palëkundur. Prandaj lusim të gjithë minatorët t’i kthehen punës”, është theksuar në komunikatën e Sindikatës.
Minatorët e ndërmarrjes publike “Trepça” në Stan Tërg nuk i kanë marrë pagat për muajin qershor dhe korrik dhe për këtë shkak edhe kanë mbajtur grevë.
Krahas për “Trepçën”, në mbledhjen e së mërkurës Qeveria ka ndarë edhe 1.77 milionë euro për shëndetësinë, me synim të funksionalizimit të Poliklinikës në Podujevë.