LAJMET E MBRËMJES

Agjencia për Menaxhimin Emergjent thotë se ka kaluar rreziku për jetë e pasuri të banorëve në Prevallë

Janë duke vazhduar ende përpjekjet për ta lokalizuar zjarrin i cili ka nisur në bjeshkët e Prevallës tash e tri ditë. Agjencia për Menaxhimin Emergjent ka bërë të ditur se ka kaluar rreziku për jetë dhe pasuri të banorëve derisa njësitë e zjarrfikësve janë duke bërë përpjekje të fikin zjarrin nga toka. Për shuarjen e zjarrit është kërkuar ndihmë edhe nga KFOR-i, por që ajo është refuzuar.

Zjarri i nisur në orët e hershme të së dielës në bjeshkët e Prevallës ende nuk është shuar, ndonëse ka kaluar rreziku për jetë dhe pasuri të banorëve në Prevallë.

Për lokalizimin e zjarrit të nisur tash e tri ditë, drejtori i DAPK Sharri, Bajram Kafexholli, ka bërë të ditur se tash e sa ditë është kërkuar nga KFOR-i intervenimi me helikopter për shuarjen e tij, por që është refuzuar.

Agjencia për Menaxhimin Emergjent ka bërë të ditur se Njësia e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit nga Prizreni dhe e komunave të tjera janë duke vazhduar përpjekjet për shuarjen e zjarrit. E për të parë nga afër situatën e krijuar nga zjarri ishte edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Ai ka ripërsëritur se rreziku është më i ulët dhe se nuk pritet të ketë eskalim të situatës.

“Meqenëse kemi të bëjmë me Park Nacional, nënkuptohet se edhe institucionet e nivelit kombëtar, por edhe ndërkombëtar si KFOR-i, kanë obligime dhe shtabi është në koordinim të plotë me të gjithë akterët e autorizuar që po merren me këtë çështje, derisa gjendja po monitorohet dhe nuk pritet eskalim.  Sot planifikojmë intervenim dhe lokalizim të zjarrit për ta pasur nën kontroll dhe për t’i minimizuar pasojat eventuale”, tha Totaj.

Të pranishëm në operacionin për shuarjen e zjarrit në Prevallë janë edhe Policia e Kosovës, pjesëtarë të parkut nacional e shërbimi emergjent mjekësor nga Prizreni dhe disa vullnetarë.

Javëve të fundit në të gjithë vendin është shënuar një numër i madh i zjarreve, për çka javën e kaluar kryeministri Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë.