Arbëri

Zjarri në Prevallë nuk është lokalizuar ende, s’ka rrezik për jetë

Pamje nga Parku Nacional në Prevallë sot

Pamje nga Parku Nacional në Prevallë sot

Agjencia për Menaxhimin Emergjent ka njoftuar se zjarri i përhapur në parkun nacional të Prevallës ende nuk është lokalizuar, por se nuk ka rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve të zonës.

Sipas një njoftimi në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në operacionet për fikjen e zjarrit nga toka pos zjarrfikësve dhe shpëtuesve nga Prizreni janë përfshirë edhe ata nga Gjakova, Prishtina e Ferizaj.

“Gjithashtu MPB/AME ju njofton se rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve në Prevallë nuk ka, deri sa përpjekjet për ta mbajtur nën kontroll dhe të lokalizuar zjarrin vazhdojnë nga kapacitetet e komunës së Prizrenit me Komunat në ndihmë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, pas takimit me shtabin emergjent ka thënë se situata është nën kontroll e se rreziku është më i vogël.

“Meqenëse kemi të bëjmë me Park Nacional, nënkuptohet se edhe institucionet e nivelit kombëtar, por edhe ndërkombëtar si KFOR-i, kanë obligime dhe shtabi është në koordinim të plotë me të gjithë akterët e autorizuar që po merren me këtë çështje, derisa gjendja po monitorohet dhe nuk pritet eskalim”, thuhet në një njoftim nga kabineti i Totajt.

Sipas njoftimit sot planifikohet intervenim dhe lokalizim i zjarrit për ta pasur nën kontroll dhe për t’i minimizuar pasojat eventuale.

Të pranishëm në operacion janë edhe Policia e Kosovës, pjesëtarë të parkut nacional e shërbimi emergjent mjekësor nga Prizreni.

Zjarri në bjeshkët e Prevallës ka nisur orët e hershme të së dielës. 

VIDEO: