Qytetarë serbë e shqiptarë shpalosën qëndrimet e tyre në debatin e organizuar të enjten në Mitrovicë, lidhur me paralajmërimin për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve. Derisa serbët, ndonëse të pakët në numër, u shprehën të shqetësuar për sigurinë, shqiptarët u ankuan për qëndrimin e ndërkombëtarëve, që po e kundërshtojnë hapjen e urës, pa marrëveshje në dialog
Shqiptarë e serbë u bënë bashkë të enjten në sallën e Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut.
Ata iu përgjigjen thirrjes së autoriteteve qendrore për të diskutuar në lidhje me shqetësimet eventuale të tyre për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.
Para se t’i dëgjonin qytetarët, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore folën për rëndësinë e hapjes së urës.
Zv.drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se nuk ka asnjë problem në aspektin e sigurisë.
"Duke marrë parasysh që merremi me aspektin e sigurisë nuk kemi çka me thënë asgjë më shumë përveç asaj që edhe ne e pyesim veten se pse kjo urë është e mbyllur. Nga aspekti i sigurisë nuk ka ndonjë arsye", tha Elshani.
Më shumë se sa për urën, një qytetar serb ankesa pati për jetesën në veri. U ankua për papunësi, por edhe për prani të shtuar të policisë, sipas tij.
“Kam udhëtuar deri në Graçanicë dhe Prizren, në drejtim të Merdares nuk shihni asnjë patrullë, ndërsa në drejtim të pikave kufitare në veri mund të shihni me dhjetëra patrulla. Ky është represion”, tha një qytetar serb.
Për vetë temën e diskutimit, hapjen e urës, qytetarët shfaqën qëndrime të ndryshme.
“Ne nga Demokracie Serbe nuk e përkrahim hapjen e urës. E kam një pyetje, të thjeshtë për ju: Si udhëheqësi, a e merrni përgjegjësinë e plotë nëse ndodhë ndonjë incident”, tha një qytetar serb.
“Në vendet e juve ku jeni shumë ma demokratike, ju duhet me ngrit si çështje për hapjen e urës por ju keni dalë kundër. Pse serbët po kalojnë të lirë te ura të etc…?” – pyeti një qytetar shqiptar.
Ofrim të sigurisë për qytetarët, kur të hapet ura, ofruan institucionet qendrore.
“Po, shteti garanton që do të jetë në krye të detyrës që siguria publike në secilin cep të Kosovës të jetë në nivel që qytetarët të jenë të sigurt. Këtu ka një histori edhe të trazirave, kërcënimeve edhe të nxitjeve, por urat kanë një qëllim që ndërtohen: t’i bashkojnë pjesët që ndahen”, tha ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Përveç qytetarëve, të cilit ishin të pakët në numër, në debat morën pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile si dhe pjesëtarë të misioneve EULEX e KFOR.