LAJMET E MBRËMJES

Vandalizohen tabelat me emërtime edhe në shqip të vendbanimeve në veri

Në disa nga tabelat, mëngjesin e së premtes mbuluar me të zezë emrat në shqip të vendbanimeve në veriun e banuar kryesisht me serbë. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se nuk është hapur ndonjë rast, pasi që ka marrë konfirmimin nga prokurori se akti nuk përbën vepër penale

Shumica e tabelave të komunikacionit, në të cilat emërtimet e vendbanimeve në veri janë shkruar edhe në gjuhën shqipe, nuk kanë qëndruar as 24 orë në gjendjen siç janë vendosur të enjten.

Mëngjesin e së premtes, në disa nga këto tabela të vendosura në fillim dhe në mbarim të fshatrave Banjskë, Sllatinë, Graboc dhe në disa të tjera përgjatë magjistrales Mitrovicë-Leposaviq, emërtimet në shqipe janë mbuluar me ngjyrë.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, ka bërë të ditur se janë afro 25 nga mbi 40 tabelat e vendosura të enjten që janë mbuluar, porse ka shtuar që ngjyra e vendosur mbi to do të largohet nga kompania përgjegjëse e mirëmbajtjes.

Ai ka theksuar se nuk ka rast të hapur policor, pasi që, në konsultim me prokurorin, nuk është konsideruar vepër penale.

“Për neve nuk paraqet shumë rëndësi kjo, çka paraqet rëndësi që Ministria e Infrastrukturës është institucioni i vetëm, i cili i vendos këto shenja sinjalizuese të komunikacionit në rrugë magjistrale dhe ato shenja do të jenë aty tash. Nuk do të ketë shenja të tjera. Ju keni parë që ata kanë larguar me dhjetëra shenja të tjera që kanë qenë aty me vite të tëra, mirëpo nuk shohim ndonjë problem. Sidoqoftë, ne do ta monitorojmë atë rrugë dhe do të shohim, por më së shumti që mund të ketë në këtë rast është dëmtim kriminal”, ka thënë Elshani.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, i banuar kryesisht me serbë, ka thënë se zëvendësimi i tabelave me alfabet cirilik me ato në gjuhën shqipe ka vazhduar edhe gjatë së premtes. Ai ka bërë të ditur se rreth 20 syresh janë vendosur në rrugën e Bërnjakut.

E për ndërrimin e tabelave nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës ka reaguar të premten shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili ka dhënë disa sugjerime.

“Me iniciativën e fundit për zëvendësimin e tabelave zyrtare që tregojnë emrat e vendeve në veri të Kosovës, u bëj thirrje autoriteteve që ta zbatojnë procesin vetëm pas konsultimit me komisionerin e gjuhëve dhe duke interpretuar pozitivisht Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo do të thotë të merren parasysh komunitetet e prekura”, ka shkruar Szunyog në një postim në platformën X.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar të enjten se në veri dhe në tërë territorin e Kosovës do të largohen të gjitha tabelat me shenja të komunikacionit, të cilat janë në cirilike dhe se ato do të zëvendësohen me tabelat zyrtare të Kosovës.