Arbëri

Aliu njofton për heqjen e tabelave me alfabet cirilik në veri dhe zëvendësimin me ato në gjuhën shqipe

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se ka filluar largimi i të gjitha shenjave serbe të komunikacionit të cilat janë të shkruara në alfabetin cirilik në veri dhe vendet tjera brenda Kosovës.

Aliu ka bërë të ditur se ato po zëvendësohen me shenjat zyrtare të vendbanimeve sipas ligjeve të Kosovës.

“Si MMPHI kemi marrë përsipër që në veri dhe në tërë territorin e Kosovës, të largojmë të gjitha shenjat serbe të komunikacionit që janë në cirilik, duke zëvendësuar me shenjat zyrtare të vendbanimeve konform ligjeve të Kosovës. Do të vazhdojmë edhe ditëve në vijim deri në zëvendësimin e të gjitha shenjave”, ka shkruar Aliu në Facebook.

KOHA gjatë ditës ka publikuar fotografi, ku në terren shihen duke u hequr tabelat me alfabet cirilik në veri dhe duke u zëvendësuar me ato në gjuhën shqipe.