LAJMET E MBRËMJES

Kryetarja e Speciales: Dënimi më i lartë për krime lufte, burgimi i përjetshëm

Pas vonesës shkaku i protestës kundër Gjykatës Speciale, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, iu përgjigj një morie pyetjesh të gazetarëve, të mërkurën. Kryetarja e Speciales tha se gjykata mund të marrë parasysh edhe vendimet e gjykatave të tjera që kanë të bëjnë me krimet e luftës në Kosovë, derisa ia faturoi edhe mbrojtjes së të akuzuarve mbylljen e seancave për publikun

Me vonesë prej mbi 20 minutash nisi konferenca e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, shkaku i gazit lotsjellës që depërtoi në hotelin ku u mbajt kjo ngjarje të mërkurën.

Protestën kundër vizitës së saj në Kosovë nuk e komentoi, por kur u kollit në fillim të konferencës, nguli këmbë se nuk e ka prej gazit lotsjellës.

E për seancat e mbyllura në Hagë, Trendafilova tha se sheh vetëm atë që e sheh publiku në uebfaqen e gjykatës dhe se gjykata po fajësohet pa arsye.

“Sa u përket seancave të mbyllura, epo e përmenda pak më herët që gjatë shumë seancave edhe mbrojtja ishte e gatshme për të hyrë në seancë private dhe kjo nuk duhet t’iu atribuohet vetëm gjyqtarëve... Dhe së fundi ishin 8 dëshmitarë, e trupi gjykues u tha jo dëshmitarëve, do të dëshmoni në flisni në publik e jo në seancë private, sepse duhet që ta ketë një qëllim kjo. Sidoqoftë, kjo vendoset rast-për-rast prej gjyqtarëve dhe ju them me plot përgjegjësi se janë të përkushtuar në atë që e bëjnë – në çdo minutë”, tha Trendafilova.

Gjykata Speciale ka në trajtim edhe rastin e Salih Mustafës, i dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte në Zllash. Ky dënim është më i larti për krimet e luftës në Kosovë, duke përfshirë edhe verdiktet përfundimtare të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi.

Ajo nuk përjashtoi as mundësinë e dënimit me burgim të përjetshëm.

“Dënimi më i rëndë me ligjin tonë është dënimi i përjetshëm dhe sigurisht që gjyqtarët do të udhëhiqen edhe prej Kodit Penal të Kosovës dhe gjyqtarët mund ta marrin në konsideratë, gjë që s’është aspak e obligueshme, qasjet e institucioneve të tjera, duke mos u ndalur te një prej tyre. Mirëpo korniza e përgjithshme në të cilën ky vendim duhet të merret ligji ynë që parasheh burgim deri në atë të përjetshëm dhe sigurisht Kodin Penal të Kosovës”, tha Trendafilova.

Aktgjykimi i Apelit për rastin e Mustafës është paralajmëruar për 14 dhjetor e Trendafilova tha se nuk e di se çka pritet prej këtij vendimi.