Me urdhër të Prokurorisë Speciale, autoritetet kanë kryer bastisje në 11 lokacione dhe kanë arrestuar tetë doganierë e një polic, të dyshuar për korrupsion. Burime të KOHËS thanë se aksioni është zhvilluar edhe në katër lokacione në veriun e Kosovës dhe se disa nga të arrestuarit kanë punuar në Mitrovicë
Janë arrestuar 8 zyrtarë të doganës dhe një polic kufitar, nën dyshimin për vepra korrupsioni.
Aksioni i asistuar nga Policia ka nisur në orët e para të së shtunës dhe është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale e në koordinim me Drejtorinë e Hetimeve brenda Doganës dhe me Inspektoratin Policor.
Sipas një informate të përbashkët të lëshuar nga institucionet që morën pjesë në aksion, hetimet për 9 zyrtarët kanë nisur para disa vjetësh nën dyshime për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”.
“Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë (9) zyrtarë, tetë (8) nga të cilët janë zyrtarë të Doganës dhe një (1) zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit në njëmbëdhjetë lokacione janë sekuestruar 20 plomba zyrtare të doganës; 10 telefona së bashku me 4 sim kartela; një pistoletë me leje e kalibrit 9 milimetra me tre karikatorë dhe 9 fishekë; 16 copë municion jozyrtar.
Burime të KOHËS thanë se aksioni është zhvilluar edhe në katër lokacione në veriun e Kosovës dhe se disa nga të arrestuarit kanë punuar në Mitrovicë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.