37 vjet burgim dhe 171 mijë euro gjobë ka shpallur Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”. Disa prej të akuzuarve u është ndaluar edhe mbajtja e funksioneve në administratë publike
Me 37 vjet burgim në total e 171 mijë euro gjobë, të enjten, janë dënuar 11 të akuzuar në rastin “Subvencionet 1”.
Trupi gjykues pranë Themelores në Prishtinë ndër të tjerë e ka shpallur fajtor edhe Luan Statovcin, ish-drejtorin e pagesave direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Atij i janë ndarë tetë vjet burgim – më së shumti.
"Gjykata të akuzuarit i gjykon, Luan Statovci për veprën penale marrje ryshfeti në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje nga neni 421 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 dhe lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënim me burgim prej tetë vjetëve dhe dënim me gjobë prej 50.000 eurosh. Koha e kaluar në paraburgim i llogaritet në kohën e dënimit të shqiptuar", tha Kujtim Krasniqi, kryetar i trupit gjykues.
Në këtë rast, të akuzuar janë zyrtarë të nivelit qendror, komunal dhe fermerë.
E për zyrtarët shtetërorë, gjykata shqiptoi edhe dënim plotësues me ndalim të ushtrimit të funksionit.
"Gjykata konform nenit 59 dhe 62 të KPRK-së të akuzuarve iu shqipton plotësues: të akuzuarit Luan Statovci, Sadat Shkodra – ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbimet publike prej 10 vjetëve. Kushtrim Zogajt, Berat Nikajt, Musa Nivokazit dhe Lulzim Hajdarit, ndalim të ushtrimit të funksionit në administratën publike në afat prej pesë vjetësh", tha Krasniqi.
Gjashtë nga të akuzuarit janë dënuar me burgim, gjithsej 31 vjet, derisa katër me burgim me kusht, kurse një është gjobitur.
Nga zyrtarët shtetërorë të dënuar me burgim janë: Luan Statovci – 8 vjet; Sadat Shkodra – 6 vjet; Berat Nika – 6 vjet; Kushtrim Zogaj - 3 vjet dhe Hasan Maxharaj – 3 vjet. Kurse me nga dy vjet me kusht janë dënuar: Musa Nivokazi e Lulzim Hajdari.
Zyrtari Jeton Sylaj është liruar nga të gjitha akuzat.
Nga grupi i të akuzuarve që nuk janë zyrtarë shtetërorë, Salih Statovci është dënuar me 5 vjet burgim, kurse Florim Nimanaj e Afrim Abazaj me nga një vjet me kusht, derisa Almir Abdurrahmani me gjobë.
Për këtë rast, Prokuroria pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit është rreth një milion euro.
Për mashtrim me subvencione, po zhvillohen edhe disa raste të tjera.