LAJMET E MBRËMJES

25 vjet nga bombardimet e NATO-s

Janë bërë 25 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tek kujtoi se intervenimi i Aleancës Veriatlantike në Kosovë ndalën fushatën e forcave serbe për shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës, 24 marsin 1999 e quajti ditë të shpresës së madhe.

Më 24 mars para një çerek shekulli nisi fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi bashkë me ambasadorët e akredituar në Prishtinë vendosën kurora lulesh në falënderim të ushtarëve të rënë për çlirimin e Kosovës, tha se 24 marsi 1999 ishte ditë e shpresës së madhe.

“24 marsi ishte vërtetë ditë e shpresës së madhe sepse për herë të parë aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocidal i Millosheviqit dhe së bashku me shumë e shumë shtete partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë dhe atë ditë të çlirimit ne do ta shënojmë më 12 qershor të këtij viti”, ka thënë Osmani.

Pasi falënderoi forcat e shteteve aleate të Kosovës dhe forcat e NATO-s që e shpëtuan popullin e Kosovës nga shfarosja, Osmani shprehu edhe shpresë për anëtarësim në këtë aleancë.

“Na erdhën në shpëtim e edhe sot qëndrojnë pranë nesh përderisa në punojmë bashkërisht në mënyrë që Kosova e sotme të jetë Kosovë që i bën, jo vetëm qytetarët e saj por edhe mburren me sukseset në zhvillimin e demokracisë, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Edhe një herë, faleminderit përjetësisht NATO. Kosova, besoj shumë shpejt do të ulet në NATO përkrah miqve të cilët na qëndruan pranë në momentet më të vështira dhe do ta kthejë këtë borxh duke ndihmuar në vendet e tjera sic po ndihmon edhe sot ushtria jonë duke shërbyer krah për krah me ushtrinë amerikane atë angleze dhe ushtritë e tjera dhe duke kontribuuar në paqe e stabilitet në vende të tjera të botës”, ka shtuar ajo.

Më 18 mars 1999 përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë nënshkruan Marrëveshjen e Rambouillet.

Por Slobodan Milosheviqi e refuzoi marrëveshjen e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare në Rambouillet, pavarësisht paralajmërimeve për bombardime për ta ndalur fushatën sistematike kundër popullatës civile në Kosovë.

Në ditët e para pas nisjes së fushatës së bombardimeve të NATO-s, Serbia vrau intelektualë e aktivistët kosovarë, përfshirë avokatin Bajram Kelmendin dhe të dy bijtë e tij, avokatin e aktivistin Urim Rexha dhe aktivistin e LDK-së Mark Malota në Gjakovë.

Disa prej veprimtarëve të vrarë fill pas nisjes së bombardimeve i ka kujtuar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Vepra e tyre nuk shlyhet prej kujtesës. E përkujtojmë dhe e ruajmë historinë e aktivizmit intelektual dhe angazhimit politik të verpimtarëve tonë ndër breza. I përjetshëm qoftë kujtimi për Agim Hajrizin, Latif Berishën dhe Bajram Kelmendin! Lavdi të gjithë atyre që u vranë nga Serbia pushtuese, në rrugëtimin tonë për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Bombardimet e NATO-s që zgjatën 78 ditë bënë që Serbia të zbrazej duke pranuar ta nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, pas së cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.