Zbatimi i Ligjit të Kosovës për të huajt është një nga dy temat që emisari i BE-së, Peter Sorensen, i ka diskutuar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai i përshkroi takimet si të mira. E, Vuçiq i është ankuar për, siç ka thënë, pasigurinë e popullit serb si pasojë e masave të Kosovës, të cilat i ka quajtur të njëanshme
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, të enjten, është pritur në Beograd nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe nga kryenegociatori i këtij vendi, Petar Petkoviq.
Në njoftimin e bërë në platformën X, Sorensen i ka përshkruar takimet si të mira, për avancim të diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut si dhe analizimin e përparimit në zbatimin të Ligjit të Kosovës për të huajt.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“U pajtuam për nevojën që të mbetemi të angazhuar dhe të punojmë së bashku për përfitime konkrete për të gjithë”, ka shkruar Sorensen.
Muajin e shkuar, Sorensen vizitoi Prishtinën, dhe pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, u kumtua marrëveshja për mënyrën e zbatimit të Ligjit për të huajt në raport me serbët. Marrëveshja parasheh lehtësira të përkohshme, përfshirë leje qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë dokumentet e identitetit të lëshuara nga strukturat paralele për qëllim aplikimi për këtë leje.
Gjatë pritjes në Beograd, Vuçiq i është ankuar emisarit të BE-së, për siç ka thënë, pasigurinë e popullit serb si pasojë e masave të Kosovës që i ka quajtur të njëanshme.
“Theksova se masat e njëanshme të Prishtinës, si dhe aplikimi i rregulloreve pa respektuar rrethanat reale në terren dhe pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz mbi popullin serb dhe institucionet vitale serbe në Kosovë”, ka shkruar Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se e ka shprehur nevojën për vazhdim të dialogut dhe për parandalim të veprimeve, që sipas tij, e minojnë procesin.
Takimi i fundit i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, është mbajtur në Bruksel në shtator të 2023-tës.
Takimi i radhës u aranzhua në qershorin e 2024-tës, por ai nuk ndodhi. Kryeministri Kurti ka kushtëzuar takimet me dorëzimin paraprak të organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, me nënshkrimin e marrëveshjes së 2023-tës, si dhe me tërheqjen e letrës së ish kryeministres Ana Bernabiq dërguar vendeve anëtare të BE-së me të cilën theksohet se Serbia nuk zbaton pjesë të këtij dokumenti që lidhen me anëtarësimin e Kosovës në OKB.