Kulturë

Zjarret rrezikojnë Parkun Arkeologjik të Finiqit

Zjarri ne Finiq

Sipas Ministrisë së Kulturës, rezulton se asnjë prej monumenteve të Parkut Arkeologjik të Finiqit, të cilat janë të vizitueshme nga vizitorët, nuk janë prekur nga zjarri. Kjo, sipas kësaj Ministrie, për shkak se të gjithë monumentet kanë pasur një perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni

Një zjarr i madh ka përfshirë Parkun Arkeologjik të Finiqit gjatë pasdites së të enjtes. Sipas njoftimeve të autoriteteve shqiptare, në zonën ku ka nisur fillimisht zjarri, ka ullishte të mbjella nga banorët e zonës, si dhe banesa të banorëve. Më pas zjarri është përhapur në kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, në drejtimin perëndim-lindje.

Autoritet kanë njoftuar se më pas, për shkak të erës në atë zonë, drejtimi i zjarrit shkoi në drejtimin verilindje, duke përfshirë të gjithë kodrën e Parkut Arkeologjik, në drejtimin verior. Kanë bërë të ditur se zjarri u përhap edhe në drejtim veri-jug, duke djegur vegjetacionin që rrethon kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, si dhe dy krahët e rrugës që të çon në drejtim të Parkut, prej depos së ujit e deri tek biletaria.

Por, sipas Ministrisë së Kulturës, rezulton se asnjë prej monumenteve të Parkut Arkeologjik të Finiqit, të cilat janë të vizitueshme nga vizitorët, nuk janë prekur nga zjarri. Kjo, sipas kësaj Ministrie, për shkak se të gjitha monumentet kanë pasur një perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni.

“Gjithashtu edhe biletaria e Parkut Arkeologjik të Finiqit nuk është prekur nga zjarret, pasi edhe biletaria ka perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, por gjithashtu, biletaria është e pajisur edhe me mjetet përkatëse, mbrojtëse kundër zjarrit”, ka njoftuar kjo ministri.

Sipas këtij institucioni, një faktor tjetër që ka ndikuar në mosdepërtimin e zjarreve në monumentet e Parkut Arkeologjik janë edhe itineraret brenda Parkut, ku në asnjë prej tyre nuk ka prezencë vegjetacioni, që të ndihmonte në depërtimin e zjarrit.

“Aktualisht nuk ka asnjë vatër zjarri në Parkun Arkeologjik të Finiqit, në monumentet e vizitueshme të këtij parku, pasi është bërë e mundur shuarja e tij nëpërmjet ndërhyrjes nga ajri me helikopter, nga toka me zjarrëfikëse, ku kanë qenë në ndihmë edhe punonjësit e Sektorit në Sarandë (në varësi të DRTK Vlorë) dhe të Parkut Arkeologjik të Finiqit”, shkruhet në njoftim. 

Në mbrëmjen e së enjtes është njoftuar se e vetmja vatër aktive është në skajin më verior të Parkut Arkeologjik, nën kodër, pranë fshatrave Blerimas dhe Buronjë, ku në këtë zonë nuk ka asnjë prezencë monumenti të njohur deri më sot, si dhe ku po ndërhyhet nga ajri me helikopter dhe nga toka me zjarrfikëse, për shuarjen e tij.

Sipas të dhënave të Bashkisë së Finiqit, kërkimet arkeologjike në Finiq zbuluan se ky qytet , si në antikitet dhe më vonë, zhvilloi një aktvitet kulti të vrullshëm sa në idhujt të cilët mishërohen në sendet gjetura aq dhe në ortodokset e krishtere që pasuan. 

“Pak metra larg Bazilikës ekzistojnë mbetje kishe kristiane, ndërsa në vendin e quajtur ‘Palea Avli’ mbijetojnë rrënoja tempujsh paleokristianë me mozaikë të larmishëm. Tempulli episkopik i Finiqit në nderim të emrit të Virgjëresha ‘Zoodochos Pigi’ duket që në fillim se ishte ndërtuar mbi një bazilikë më të vjetër dhe më vonë u rindërtua i ri me të njëjtin emër në qendër të qytezës që ndodhet në shpatet e malit”, shkruhet në ueb-faqen e Bashkisë. 

Aty jepen sqarime se gërmimet e arkeologëve në Finiq zbuluan banesën karakteristike me dy peristile të shekullit III para Krishtit. Banesa kishte prerje tërthore thuajse katërkëndëshe dhe mbulon një sipërfaqe prej 700 metra katrorë dhe përbëhet nga një oborr i madh katërkëndësh me peristil, rreth të cilit rreshtohen disa ambiente të vogla.

Mbishkrimet e monedhave dëshmojnë për shkëmbimet tregtare të Finiqit me qytete të lulëzuar gjatë shekujve IV-I para erës sonë.