Kërkesë për barazi e paralajmërim për shtet dhe republikë i konsiderojnë demonstratat e 1981-s në Kosovë protagonistë, aktivistë e gazetarë të asaj kohe.
“Jugosllavisë i duhej vetëm një fitil që të ndizej. Gjithë ajo përndezje mbështetej mbi faktorin shqiptar që kërkonte republikën e vet...” ka thënë historiani Jusuf Buxhovi.
Në kuadër të ciklit të ri të “Rrëfime për Kosovën”, me skenar dhe regji të Fatmir Lamës, të premten në KTV, fokusi ishte te protestat e 81-tës. “Zgjimi i popullit” ishte titulli i dokumentarit që zbulon prapaskenat e vuajtjet e popullit deri në shpërthimin e madh që qe paralajmërim për fundin e Jugosllavisë dhe pabarazisë ndaj shqiptarëve.
“Kërkesa për barazi është thelbi i të gjitha kërkesave. A ka kërkesë më demokratike sesa kërkesa për të qenë i barabartë. S’kishte kërkesë ekskluziviste kundër dikujt apo për kushte më të mira”, ka deklaruar Hydajet Hyseni, ish i burgosur politik.
“Ishte thjesht kërkesë për barazi”, “1981-shi theu gjithçka”, janë disa nga deklaratat që gazetarë e aktivistë të asaj kohe shprehin në dokumentar. Ata thonë se përgjigja e Jugosllavisë, me dhunë, tanke e nxitje lufte, nxori në pah paralajmërimin se Jugosllavia po shkonte drejt fundit.
“Serbia ishte e përgatitur shumë kohë më parë, apo i kishte ndihmuar asaj atmosfere anti-shqiptare në Kosovë përmes makinerisë propagandistike të fuqishme të koncentruar në Beograd, sidomos përmes politikës së mediumeve që s’kursenin as shpifje e as rrena e trillime”, është shprehur doajeni i gazetarisë, Zenun Çelaj.
Ndikimi i “Rilindjes”, pritjet që kishte populli për demonstratat, pritjet për shpalljen Republikë, përballja me aeroplanët mbi Prishtinë, e komentet për përgjigjen rrënuese jugosllave mund t’i kuptoni përmes videos së mëposhtme: