Kulturë

Zëri pasionant e pianoja virtuoze në dialogun elegant që kulmon shqip

Sopranoja Ana Naqe dhe pianisti Zamir Kabo me suksese në vende të ndryshme të botës, të mërkurën mbrëma janë ngjitur në skenën e “Chopin Piano Festit” në Prishtinë

Sopranoja Ana Naqe dhe pianisti Zamir Kabo me suksese në vende të ndryshme të botës, të mërkurën mbrëma janë ngjitur në skenën e “Chopin Piano Festit” në Prishtinë

“Chopin Piano Fest” në koncertin e tij të nëntë skenën e ka hapur për dy artistë shqiptarë, sopranon Ana Naqe që ka ardhur nga Belgjika dhe pianistin Zamir Kabo nga Austria. Ka qenë një lloj dialogu nëpërmjet gjuhës së muzikës që ka prekur vepra të shquara të literaturës botërore e i cili është veshur me tis shqip kur kanë jehuar “Agimet shqiptare” dhe “N’at zaman”

Ka një lloj harmonie që ndihet në eter, ende pa kulmuar tingujt. Dy artistë skenash të njohura e kanë këtë fuqi dhe ia dalin ta paralajmërojnë publikun pa e thënë asnjë fjalë. Njësoj, pa fjalë e pa prova, dy muzikantë të këtij kalibri komunikojnë edhe me njëri-tjetrin. Gjuha e tyre është muzika.

Pas netëve që u janë dedikuar performancave nga artistët e huaj, e mërkura është rezervuar për artistët shqiptarë. Nuk kishte se si të mungonte edhe ngjyra e kuqe në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare.

“Chopin Piano Fest” në koncertin e tij të nëntë skenën e ka hapur për dy artistë shqiptarë, sopranon Ana Naqe që ka ardhur nga Belgjika dhe pianistin Zamir Kabo nga Austria. Ata kanë komunikuar pastër mes vete, duke thurur në solemnitet tingujt e pianos dhe meloditë e zërit.

E lindur në Fier, Ana Naqe shquhet për zë të fuqishëm dhe prezencë skenike pasiononte. Ka kohë që po bën karrierë në Belgjikë në shtëpitë më të njohura operistike. Zamir Kabo është pianist klasik i lindur në Tiranë, i cili ka një karrierë ndërkombëtare që përfshin interpretime në Shqipëri, Maqedoni, Gjermani, Austri, Itali dhe Belgjikë.

Me të dalë të dy në skenë, shpërthyen duartrokitjet nga publiku, si shenjë miratimi që të gjithë janë gati, për t’u lënë hapësirë tingujve melodiozë që vijnë nga kombinimi i pianos me zërin. Kështu ata filluan ta interpretojnë pjesën “Allerseelen” nga Richard Strauss, me kërcitjet e pianos e me zërin dhe lëvizjet e sopranos në ritëm të tyre. Menjëherë pas saj, ata nisën performancën e dytë të natës, duke interpretuar pjesën “Unverganglichkeit” të Erich Korngold. Sopranoja mblodhi duartrokitjet dhe u largua prapa perdeve të sallës, duke ia lënë kështu skenën pianistit, i cili filloi ta luante solo në piano kohën e parë të sonatës “Op. 31 No. 2” të Beethovenit.

Sërish me harmoni tingujsh u kthye sopranoja, për të vazhduar edhe me një pjesë nga Erich Korngold, “Gluck das mir verlieb – Die Tote Stadt”, e pas saj, mes brohoritjeve të publikut, Naqe ka pasur një pyetje dhe vetë është përgjigjur. “E tani na duhet një këngë shqiptare apo jo?”. Përzgjedhja e këngës “Agimet shqiptare” të Avni Mulës ka qenë e qëlluar dhe publiku ia ka konfirmuar këtë.

Prishtina i ka bashkuar për herë të parë në skenë Ana Naqen dhe Zamir Kabon

Gjysmën e dytë të natës e filluan me një ngjyrim tjetër, duke e interpretuar pjesën “Casta Diva – Norma” të Vincenzo Bellinit, për t’i lënë vend “Rhapsodie Espagnole” të Lisztit, e luajtur solo në piano, për të cilën pianistit iu desh ta hapte kapakun e pianos për një shkallë më lart. Kështu kaluan deri te pjesa e parafundit e “natës shqiptare”, “La Luce langue – Macbeth” të Giuseppe Verdit dhe të gjithë e prisnin edhe një këngë në shqip. “N’at zaman” është përzgjedhur për ta mbyllur natën, një këngë shqiptare popullore, e përpunuar dhe e aranzhuar për kombinim të pianos me zërin.

Për Ana Naqen është hera e parë që këndon në Prishtinë, si dhe performanca e parë e përbashkët me Zamir Kabon.

“Isha tepër e lumtur të jem e ftuar në këtë festival, është hera ime e parë që këndoj në Prishtinë, një emocion tepër i madh, sepse edhe ky program është i ri dhe është hera e parë që unë performoj me Zamirin, një larmi programi, duke filluar nga ‘Lied’, për të përfunduar në dramatikë, si edhe arie dhe këngë shqiptare nga Shqipëria dhe këngë popullore që e mbyllëm në fund. Jam tepër e lumtur që jam këtu, më pëlqeu shumë Prishtina, edhe njerëzit janë tepër të ngrohtë, shumë të dashur, të qetë, edhe atmosfera: kjo sallë e bukur ka një eho dhe një akustikë shumë të bukur, u kënaqa jashtë mase dhe e shijova shumë këtë këngë”, ka thënë sopranoja Naqe për KOHËN në fund të programit.

Ka treguar edhe përvojën e saj muajin e kaluar me rolin e Emma Bovaryt në operën “Bovary” në Teatrin Mbretëror “La Monnaie” në Bruksel

“(Ky festival) është komplet gjë tjetër, sepse këtu ka edhe shumë ngjyra të tjera, në çdo pjesë që këndova ka një personazh tjetër të ri, domethënë është ndryshe, sepse atje isha duke performuar një personazh nga fillimi deri në fund, ndërsa këtu çdo pjesë ose arie ka personazhin e vet”, ka krahasuar ajo. Bashkëpunimi me Zamir Kabon, sipas saj, ishte fantastik.

“Zamiri është pianist e një njeri fantastik dhe shumë i hapur, dialoguam direkt, nuk kishim nevojë as për prova, direkt e ndiem shumë mirë njëri-tjetrin se çfarë donim të bënim dhe shkoi vaj”, ka shtuar sopranoja më tej.

Piansti Zamir Kabo ka treguar sa emocion i veçantë është për të ky festival, duke qenë se ka pritur një kohë të gjatë për këtë. Ndonëse ka qenë më herët në Kosovë, për të është hera e parë që vjen në Prishtinë.

“Ishte një emocion i veçantë, sepse kishim kohë që bisedonim për një bashkëpunim dhe më në fund u realizua, për mua nuk është hera e parë që vij në Kosovë, por është hera e parë që vij në Prishtinë dhe ishte një kënaqësi e veçantë, sidomos në një festival që tashmë është kthyer në traditë dhe është një gjë shumë e rëndësishme për skenën kulturore shqiptare”, ka thënë pianisti Zamir Kabo për KOHËN pas përfundimit të programit.

Ata kanë komunikuar pastër mes vete, duke thurur në solemnitet tingujt e pianos dhe meloditë e zërit

E “të frytshëm artistikisht” e ka quajtur bashkëpunimin me Ana Naqen.

“Sepse ne mësojmë nga njëri-tjetri dhe sidomos nga një këngëtare me kaq përvojë mësoj gjithmonë gjëra të reja”, ka shtuar ai më tej.

Drejtoresha ekzekutive e festivalit, Besa Luzha, ka treguar se sa e rëndësishme është që njërën nga mbrëmjet t’ua dedikojnë tërësisht artistëve shqiptarë.

“Si gjithmonë, në festivalin tonë, në çdo edicion e kemi një mbrëmje të rezervuar për artistët shqiptarë kudo që janë nëpër botë. Profesoreshë Lejla Pula i gjen dhe i fton. Zamirin ka kohë që kemi dashur ta ftonim, në kohën e pandemisë qëlloi që ai nuk mundi të vinte të luante dhe tani mezi kemi pritur ta shohim në skenën e Prishtinës dhe bashkëpunimi i tij me Ana Naqen, një soprano e jashtëzakonshme që ka korrur suksese të mëdha në teatro të ndryshëm prestigjiozë operistikë në Evropë. Ata kanë ardhur dhe kanë shpalosur para nesh një program tejet serioz të këngëve solo, të arieve të bukura operistike dhe natyrisht edhe këngët artistike shqiptare, si ajo ‘Agimet shqiptare’ të Avni Mulës, si dhe këngën popullore të përpunuar ‘N’at zaman’, të cilat si perla të muzikës shqipe nuk kanë se si të mungojnë në repertorin tonë”, ka thënë Luzha për KOHËN.

Edhe gjashtë koncerte do të mbahen në netët në vazhdim, për t’ia vënë kapakun programit të përbërë nga 15 të këtillë në këtë edicion të “Chopin Piano Festit”, e deri në fund të tij, netët e ardhshme do të sjellin artistë të tjerë ndërkombëtarë, si dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.