Me triptikun e ekspozitave me të cilat Muzeu i Artit në Haifa ka hapur sezonin, vend qendror zë edhe ajo e Adrian Pacit, me titullin “Still Voices”. “Fokusi im është se si njerëzimi krijon momente teatrore për të paraqitur nevojat e tyre më të thella”, thotë Paci
Trupi njerëzor është në fokus të tri prej ekspozitave që janë hapur të premten e 11 shkurtit në Muzeun e Artit në Haifa të Izraelit.
Kuratori i ekspozitës, dr. Kobi Ben-Meir, në sezonin e ri ka përfshirë një përzgjedhje të veprave në video-art të artistit shqiptar Adrian Paci, të cilat janë të gjitha të ekspozuara përtokë nën titullin “Still Voices” (Zëra të qetë) dhe një ekspozitë personale të Anna Lukashevskit, e cila ka vazhduar frymëzimin e saj me atë që ajo e quan si “Red Haifa” (Haifa e kuqe) dhe ato të ciklit “Types”.
Ben-Meir, i cili një kohë ka punuar edhe në Muzeun e Izraelit, në Jerusalem dhe ka njohuri të gjerë të artit gjerman, ka përfshirë shtatë vepra origjinale të fotografit gjerman August Sander, të cilat po ekspozohen së bashku me veprat e artistit turk Volkan Kiziltunç në “The Look” (Shikimi).
Sander, i cili është mjeshtër i vërtetë i portretit, është ai që ka ndryshuar plotësisht perceptimin e artit të fotografisë, me publikimin e librit të tij në vitin 1929 “Face of Our Time” (Fytyra e kohës sonë) në Gjermani. Në të ai u kishte kërkuar personazheve të tij që të shikonin direkt në kamerë dhe veshur me rrobat e profesionit të tyre, duke i vendosur më vonë në bazë të tyre, pa emra. Njerëzit e pastrehë i kishte vendosur si të fundit. Më pas, më 1985, Richard Avedon shkoi një hap më tutje me veprën e tij “In the American West” (Në Perëndimin amerikan) ku subjektet e tij i paraqet në një prapaskenë komplet të bardhë, pa ndonjë tregues të rolit të tyre shoqëror.
Ben-Meir ka vendosur Sander-in në paralele me Kiziltunç-in, i cili në veprën e tij “The Unspectular” (Jospektakolare) 2012, u kishte kërkuar banorëve të lagjeve të shkatërruara të Stambollit të qëndronin në këmbë para objektivit të kamerës për t’i kapur si portrete. Këta banorë nuk ishin në dijeni se po xhiroheshin, ndaj kur shikojnë në kamerë, shikuesit përjetojnë në atë çast një moment shumë njerëzor. Një studim të ngjashëm si ky e ka bërë edhe me veprën “The Look” në vitin 2014, që përbehet nga triptik videosh të shkurtra të familjeve të zakonshme turke të viteve 1960-1980.
Edhe
“Qysh sheh AI” provokon teknologjinë, lartëson njeriun
Fatkeqësisht, Kiziltunc nuk ishte prezent në konferencë pasi që kishte qenë i infektuar me COVID-19, mirëpo nëpërmjet telefonit shprehu mirënjohjen e tij për Ben-Meir dhe urimin që vizitorët të mund të njihen me ata me të cilët ka punuar.
Ky fascinonim me “çaste të vdekura” nuk është diçka e re. Në vitin 2006, Doron Solomons kishte prezantuar video-artin e tij të titulluar “Tonight’s Headlines” (Lajmet e mbrëmjes për sonte), ku shfaqeshin spikerët e “Channel 2”, mes titujve në çaste “të vdekura”. Ndërsa Boaz Arad, në veprën e tij “Hebrew Lesson” (Mësimi hebre) paraqet Hitlerin duke i kërkuar falje në hebraisht Jerusalemit. Çfarë e bën këtë ekspozitë më të veçante është përqendrimi në momente personale, private dhe johistorike. Ngrohtësia e videove familjare qëndron në kontrast të theksuar me imazhet digjitale, të cilat dokumentojnë gjithçka dhe nuk lënë asgjë mangët.
Ndryshe nga Sander, Lukashevsky i nderon njerëzit që pikturon duke i treguar publikut edhe emrat e tyre, edhe profesionin: Andrei - ndihmësi është një, Mali - sekretari është një tjetër.
“Unë pikturoj klasën punëtore”, thotë ajo. “Gjatë fëmijërisë sime isha e ekspozuar ndaj realizmit socialist dhe idesë se arti duhet të gërmojë thellë në plagët e shoqërisë dhe të gjejë zgjidhje”. Në piktura të tjera, Livneh, një burrë, është i paraqitur me vathë dhe thonj të ngjyrosur, si shenjë e seksualitetit ambigjnor. Në Yegor një burrë ka tatuazh në fytyrë, duke ndikuar që identiteti klasor është zëvendësuar me atë të brendshmin.
Ben-Meir vë në dukje se si veprat e Lukashevskit pasqyrojnë se sa mirë e njeh artistja historinë e artit, duke thënë se veprat e saj ngjasojnë me veprat e famshme evropiane si “Portreti i gazetares Sylvia von Harden” e Otto Dix, të vitit 1926, që i ngjason pikturës së saj “Anat” të vitit 2021, mirëpo vetë piktorja e kundërshton një gjë të tillë.
Ajo thotë se nuk citon asnjëherë nga historia e artit dhe as nuk i përket ndonjë shkolle të artit të post-modernizmit. Sipas saj, nëse ka ndonjë ngjashmëri, ato janë vetëm nga “gjaku i artistes” brenda saj. Ky është një aspekt unik i veprave të saj dhe diçka e rrallë në skenën artistike të Izraelit.
Në vitin 2010, Lukashevski dhe një grup piktoresh sovjetike krijuan së bashku “The New Barbizon” (Barbizoni i ri) të bazuar në stilin realist, gjë që ishte e pazakonshme – ngjashëm sikurse në shekullin e 19-të kur stili Barbizon çoi para Realizmin kundrejt pikturave të Romantikës që asokohe ishte stili më i popullarizuar i asaj kohe.
“Ka një lloj komunizmi në Haifa”, mahitet ajo, “sepse qyteti është më pak i kushtueshëm se Tel-Avivi, prandaj edhe mund të punoj këtu”.
Edhe
“Lavjerr’s” mat pulsin e çmimit të artit
Në anën tjetër Paci, artisti që jeton në Milano e që më herët kishte shfaqur veprat e tij në Muzeun Guggenheim, zgjodhi Haifan si vendin për të promovuar veprat e tij të vitit 2021, të titulluar “The Wanderers” (Bredhësit). Në të, dy ekrane të mëdha paraqesin dy realitete të ndryshme. Ai në të majtë paraqet kafshë të ndryshme duke kaluar rrugët e Shqipërisë, ndërsa në të djathtë paraqet disa njerëz duke shkuar në një dasmë.
Si fillim Paci (i lindur në Shkodër më 1969) thotë se ishte bezdisur për faktin se i duhej të priste kafshët për të kaluar rrugën, por më vonë kishte menduar “a nuk jemi të gjithë qenie të gjalla në një peizazh?”. Veprat përfshijnë edhe video-raportime të mediave ku shfaqen skena në të cilat natyra kishte ripushtuar qytetet gjatë COVID-it.
Në veprën e tij të 2018-s, “Broken Words”, Paci kishte xhiruar refugjatë sirianë tek dëgjonin historitë e tyre të ikjes e dhunës, të përkthyera në Italisht. Shikuesit dëgjojnë zëra origjinalë arabë nga shumë folës. Fjalët janë të prera dhe të turbullta sa nuk kuptohen fare; por ajo çfarë ata mund të shohin është reagimi fizik i tyre ndaj traumës së folur. Një përjetim i tillë zakonisht mungon kur dikush vetëm lexon një artikull për luftën që ndodh në kufij të një vendi.
Në “Interregnum”, 2017, Paci paraqet video-lajme që tregojnë një komb të tërë duke mbajtur zi për vdekjen e udhëheqësit të tyre, nga Stalini tek Enver Hoxha i Shqipërisë.
Në të, trupi fizik i njeriut që udhëheq një vend kapitullon, duke iu nënshtruar vdekjes – të njëjtit fat për të gjitha qeniet e tjera të gjalla.
“Fokusi im”, thotë ai, “është se si njerëzimi krijon momente teatrore për të paraqitur nevojat e tyre më të thella”.
Trupi i humbur shfaqet edhe një herë në veprën “Sue Proprie Mani” (Vetëm për të adresuarin). Në të, ekrane të stërmëdha paraqesin aktorë duke lexuar letra të padërguara nga ushtarë italianë në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Një nënë i kishte shkruar të birit për ta pyetur në kishte ftohtë ose a kishte uri, dhe se si mezi pret ta përqafojë kur lufta të përfundojë. Por fati i këtij ushtari nuk dihet.
Edhe
“Çfarë duhet të qëndrojë?” me artistë që pyesin për të kaluarën e të ardhmen
Sezoni i ri i Muzeut të Artit në Haifa është hapur më 11 shkurt dhe mbyllet më 25 qershor. Adrian Paci me dr. Kobi Ben-Meir një ditë pas hapjes solemne kanë mbajtur edhe takim me publikun dhe kanë diskutuar për veprat.
Marrë nga “Jerusalem Post”. Përktheu Flakrona Rexhepi. Titulli dhe nëntitulli janë të Redaksisë së KOHËS.