Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pritur të martën në Shtëpinë e Bardhë, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Takimi i cili ka nisur mes tyre në mesditë me kohë të Kosovës, po zhvillohet i mbyllur për media.
Mediat raportojnë se takimi pritet të jetë shumë më miqësor se ai i vitit të kaluar, gjatë të cilit Trumpi e kishte qortuar hapur Zelenskyn dhe i kishte thënë: "Ti nuk i ke letrat në dorë".
Kohët e fundit, administrata dhe figurat me ndikim të krahut të djathtë kanë shfaqur një qëndrim të ndryshuar ndaj Ukrainës, ndërsa Trumpi dhe Zelensky zhvilluan një takim miqësor në një samit të NATO-s në fillim të këtij muaji.
Administrata Trump duket se po e mbështet Ukrainën më shumë tani sesa në çdo moment tjetër të mandatit të dytë të presidentit.
Pas Zelenskyt, Trumpi do të takohet edhe me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili po qëndron po ashtu në Washington.
Është raportuar se tre liderët më pas do të marrin pjesë në funeralin e senatorit të ndjerë, Lindsey Graham.
Sipas Netanyahut, biseda me Trumpin ishte “një prej më të mirave”
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshkruar takimin me presidentin amerikan si “një prej bisedimeve më të mira” që dy liderët kanë pasur mes vete. Ai ka thënë se ka pasur koordinim të ngushtë për çështjen e Iranit dhe të tjera të sigurisë.
“Ishte një bisedë për partneritet të plotë, për mbështetje të ndërsjellë, me një mirëkuptim të qëllimit të përbashkët për të siguruar që Irani të mos ketë armë bërthamore, si dhe për qëllime të tjera”, ka thënë Netanyahu.
Ai u largua nga Shtëpia e Bardhë pas takimit që zgjati rreth një orë e gjysmë me presidentin Donald Trump. Zyrtarë të lartë morën pjesë në takimin që nuk ishte i hapur për gazetarë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i quajti bisedimet “pozitive dhe produktive”. Një zyrtar izraelit deklaroi se liderët po ashtu biseduan për bashkëpunimin SHBA-Izrael dhe “mundësi të ndryshme në Lindjen e Mesme”.
Zelensky thotë se pati takim të mirë me Trumpin
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se kishte pasur një takim të mirë me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë të martën.
Zelensky ka shkruar në Telegram se të dy liderët kishin diskutuar rëndësinë e mbrojtjes së ukrainasve dhe po ashtu se si SHBA-ja mund ta ndihmojë Ukrainën me sistemet e mbrojtjes nga raketat.
"Unë dhe presidenti diskutuam licencat për prodhimin e interceptorëve Patriot dhe disa ide të tjera që mund të ndihmojnë", ka thënë Zelensky.
Ai ka shtuar se do të ketë komunikim të mëtejshëm dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për "mbështetjen e fortë" nga SHBA-ja.
Përfundon takimi i Trumpit me Zelenskyn, nis ai me Netanyahun
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka arritur në Shtëpinë e Bardhë për një takim me presidentin amerikan, Donald Trump.
Takimi Trump-Netanyahu zhvillohet pas atij Trump-Zelensky, i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Si Zelensky ashtu edhe Netanyahu pritet të marrë pjesë në funeralin e senatorit të ndjerë amerikan, Lindsey Graham.