I zbuluar në malet Atapuerca të Burgosit në Spanjë, dhëmbi, i datuar ndërmjet 243 mijë deri në 300 mijë vjet më parë, përfaqëson dëshminë më të hershme të faunës së epokave akullnajore në gadishull. Ai u gjet në të njëjtin shtresë sedimentare dhe vegla prej guri, duke treguar se drerët nordikë dhe prodhuesit e hershëm të veglave jetonin në këtë vend në të njëjtën kohë
Fosili i dhëmbit të drerit nordik po ndryshon narrativën klimatike të Gadishullit Iberik. I zbuluar në malet Atapuerca të Burgosit në Spanjë, dhëmbi, i datuar ndërmjet 243 mijë deri në 300 mijë vjet më parë, përfaqëson dëshminë më të hershme të faunës së epokave akullnajore në gadishull. Ai u gjet në të njëjtin shtresë sedimentare dhe vegla prej guri, duke treguar se drerët nordikë dhe prodhuesit e hershëm të veglave jetonin në këtë vend në të njëjtën kohë.
Shkencëtarët nga Muzeu Kombëtar i Shkencave Natyrore (MNCN-CSIC), Qendra Kombëtare për Kërkime mbi Evolucionin Njerëzor (CENIEH) dhe Instituti Katalanas i Paleoekologjisë Njerëzore dhe Evolucionit Shoqëror (IPHES-CERCA) udhëhoqën studimin, duke arritur në përfundimin se fauna e ftohtë kishte një shpërndarje shumë më të gjerë sesa vetëm në malet Pirene dhe Kantaabrike gjatë valëve të ftohta të Pleistocenit të Mesëm.
“Zbulimi i një dreri nordik në këtë gjerësi gjeografike tregon se të ftohtat ekstreme ndikuan ekosistemet iberike më herët dhe më fuqishëm nga sa kishim menduar”, tregoi Jan van der Made, studiues në MNCN-CSIC. “Fosili ndihmon në saktësimin e datimit të vendgjetjes dhe dëshmon intensitetin e periudhave akullnajore që formësuan jetën në gadishull”, shtoi ai.
Zbulimi vendos Atapuercan brenda të ashtuquajturës “Stepë e Mamuthit”, një livadh që dikur shtrihej nga Evropa Perëndimore deri në Siberi dhe mbështeste specie të përshtatura për klimë të ftohtë, si rinocerontët e leshtë dhe drerët nordikë. Mbetje të ngjashme janë gjetur deri në jug të Madridit dhe Granadës, duke treguar se kushtet akullnajore depërtuan thellë në Evropën Jugore.
“Kjo punë na mundëson të gjurmojmë lëvizjen e faunës së ftohtë dhe të vlerësojmë se si grupet njerëzore u përshtatën gjatë Pleistocenit të Mesëm, rreth 800 mijë deri në 125 mijë vjet më parë”, tregoi Ignacio Aguilar Lazagabaster nga CENIEH.
Analizat laboratorike konfirmuan se dhëmbi i përkiste gjinisë “Rangifer”. Ekipi theksoi se, ndonëse shumë specie të epokave të akullnajave u tërhoqën drejt veriut gjatë periudhave më të ngrohta, Gadishulli Iberik shërbeu gjithashtu si strehë për kafshë dashamirëse të ngrohtësisë, duke zbuluar një histori komplekse biogjeografike. Duke dokumentuar një gjitar të përshtatur për klimë të ftohtë në Burgos më shumë se 250 mijë vjet më parë, studiuesit argumentuan se drerët nordikë ishin të pranishëm në të gjithë gadishullin dhe gërmimet e mëtejshme mund të ndihmojnë në përmirësimin e kuptimit të këtyre luhatjeve klimatike dhe reagimeve të njerëzve të hershëm.