Kulturë

Yjet Saimir Pirgu e Marigona Qerkezi në koncertin kryevepër

Saimir Pirgu e Marigona Qerkezi

Tenori Saimir Pirgu dhe sopranoja Marigona Qerkezi, të martën mbrëma, 10 dhjetor, në koncert në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, shoqëruar nga Orkestra e Operës së Kosovës, dirigjuar nga Elda Laro (Foto: Arben Llapashtica)

Kritika ka shkruar për të se kufi e ka vetëm qiellin. E ka konfirmuar këtë me koncertin e parë në Kosovë. Saimir Pirgu ka qindra epitete. Koncerti i tij bashkë me sopranon Marigona Qerkezi ka qenë një kryevepër që vetëm dy emra si këta dinë ta sjellin. Kushtet mbesin në hije, salla duket tepër e vogël. “Më mirë nuk e kisha menduar kurrë”, thotë Pirgu. “Një natë magjike”, thotë Marigona Qerkezi

Saimir Pirgu është i rangut të artistëve që e ndalin kohën. Prania e tij në skenë s’lë hapësirë për t’i ikur mendja publikut tjetërkund. E zotëron atë duke bërë që operat a ariet, kur interpreton në koncerte, të zbërthehen në thjeshtësinë e madhështisë së talentit e të përgatitjes. Interpretimet e tij s’janë veç ngjarje, por edhe festë për vendin që i bën nikoqirllëk. E një festë të tillë për të parën herë e kishte Prishtina të martën mbrëma. 

Ndjesia e festës provohet qysh kur nis të mblidhet publiku. Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve mbushet shpejt dhe kjo tregon se edhe një hapësirë me kapacitet shumë më të madh do të ishte plot. 

Por artisti me nam botëror s’ka dashur ndonjë improvizim në periferi të kryeqytetit e të interpretojë me mikrofon. Në koncertin e organizuar nga Opera e Kosovës ku bashkë me Pirgun ka interpretuar edhe sopranoja tashmë e njohur në skenat ndërkombëtare, Marigona Qerkezi, publiku ka qenë përballë dy emrave që në profesionin e tyre kanë alamet nami. Për Operën e Kosovës si institucion i ri e ende i pakompletuar, hyrja në turneun e albumit “Saimir” është vendosje në hartën globale të koncerteve të atij që kritika botërore e quan tenor që kufi ka veç qiellin.

Prania e Saimir Pirgut në Prishtinë nuk kufizohet veç me një interpretim. Mbi të gjitha, është thirrje për kultivim vlerash (Foto: Arben Llapashtica)

Intro në rrugëtimin e magjisë operistike

I pozicionuar te dera hyrëse e sallës, Pirgu i jep shenjë dirigjentes Elda Laro që të nisë loja e orkestrës. Më pas, ngadalë i ofrohet skenës, i përcjellë me ovacione. Me përvojë të gjatë në shtëpitë operistike më të njohura në botë, bashkë me perfeksionimin e teknikave vokale e skenike, Pirgu nis të interpretojë arien “La fleur que tu m'avais jetée”. Komunikimi i tij skenik bën që publiku ta ndiejë veten sikurse në cilindo qytet evropian që ka traditë operistike me shekuj. E qartë, salla s’është as për koncert të shkollave fillore, por prania e Pirgut i zbeh defektet. Lëvizjet e zëri i tij sjellin një copëz të operës së francezit Bizet në formën më të mirë të mundshme. Është aria që e ka kënduar edhe ai që i ka dhënë një prej shtyrjeve më të mëdha në karrierë, Luciano Pavarotti. Si student në Bolzano të Italisë në vitin 2000, Pirgu ishte zgjedhur që të interpretonte para Pavarottit e prej aty do të binte në syrin e legjendës së operës në botë. Për Pirgun e lindur në Elbasan më 1981 tashmë horizontet po hapeshin për në krejt shtëpitë operistike evropiane e deri te “Metropolitan Opera” në New York e Opera e Sydneyt. Albumi i fundit i Pirgut, “Saimir” prek operat në të cilat ka luajtur në dekadën e kaluar. 

Aria “Kuda, kuda, vy udalilis” e operës “Eugene Onegin” e Tchaikovskyt është po ashtu midis interpretimeve që Pirgu i ka zgjedhur për debutimin e tij në Prishtinë. Performanca e artistit që si fëmijë kishte ndjekur mësime për violinë, i jep tjetër karakter artit operistik. E zbërthen atë në krejt dimensionet qoftë edhe nëpërmjet një koncerti. 

Këtë nivel Prishtina nuk e ka provuar ndonjëherë. Ose e ka provuar rrallë. Kosova ka zëra të shquar lirikë që po bëjnë karrierë në shtëpi të mëdha operistike botërore.

“Me të vërtetë e patë edhe vetë, publiku u kënaq e ne edhe më shumë. Kisha privilegjin që të ndaj koncertin me tenorin Saimir Pirgu. Është emocion i veçantë që pas rrugëtimit disavjeçar në vende të ndryshme, të interpretoj para publikut që më njeh si e vogël”, ka thënë sopranoja Marigona Qerkezi (Foto: Arben Llapashtica)

Pirgu: “Më mirë nuk e kisha menduar kurrë”

Pa pikë krekosjeje si njeri i skenave të mëdha, Pirgu me thjeshtësinë e tij i jep sharm edhe botës së muzikës klasike dhe e bën publikun më të interesuar për këtë art. 

“Interpretimi në vendin tuaj është përgjegjësi që të bindësh popullin tënd për atë që ke arritur. Duhen shumë vlera që ata të të mbështesin ashtu siç të kanë mbështetur që je shqiptar. Falë zotit, ne shqiptarët dimë të bëjmë opera e të bëjmë art. Jam këtu për të ndihmuar për tullën e parë të këtij institucioni”, ka thënë ai kur ka folur për Operën e Kosovës, themeluar më 2021. 

Është i drejtpërdrejtë dhe i qartë, përderisa prania e tij në Prishtinë nuk kufizohet veç me një interpretim. Mbi të gjitha, është thirrje për kultivim vlerash. Dhe vjen prej një artisti që e kanë për vlerë ta ketë në skenë edhe popujt që njihen në botë për talente të mëdha e kultivim operash si italianët a austriakët. Në tetor ka ndarë skenën në Operën Shtetërore të Vjenës me sopranon nga Kosova, Elbenita Kajtazi për të interpretuar “La Bohème”. Dy shqiptarë, njëra Mimì e tjetri Rudolfo në veprën ikonike të Giacomo Puccinit. Para disa vjetësh kishte ndarë skenën edhe me Ermonela Jahon në Operën Mbretërore të Britanisë së Madhe. 

E, të martën në koncertin në Prishtinë qe mysafir bashkë me Marigona Qerkezin, sopranon që është po ashtu pjesë e shtëpive të mëdha operistike në botë. 

Qerkezi shquhet për vokal dhe rikthimi në Prishtinë ka treguar se avancimi i saj në profesion është rrugës për të prekur majat. Ka interpretuar arien “Io son l'umile ancella” të operës “Adriana Lecouvreur” të Francesco Cileas. Paraqitja e Qerkezit qe po ashtu dëshmi e potencialit të zërave shqiptarë në botë. Që të dy iu drejtuan publikut edhe me krijimtari shqiptare. “Unë biri yt Kosovë” nga Feim Ibrahimi, nga Marigona Qerkezi qe më shumë një lloj mirënjohjeje e feste, sesa i përgatitur për një koncert. Përderisa “Fjalët e qiririt” nga Limoz Dizdari bënë që audienca të dëgjojë Pirgun edhe në shqip. 

Për Operën e Kosovës si institucion i ri e ende i pakompletuar, hyrja në turneun e albumit “Saimir” është vendosje në hartën globale të koncerteve të atij që kritika botërore e quan tenor që kufi ka veç qiellin (Foto: Arben Llapashtica)

Dyshja është bashkuar në skenë për duetin “O soave fanciulla” nga “La Bohème” për ta bërë dimensionin e operës edhe më të prekshëm për publikun.

“E kam zemrën mal. Jam kaq i emocionuar sa nuk di çfarë të them më shumë. Është hera ime e parë në Kosovë dhe më mirë nuk e kisha menduar kurrë”, ka thënë Pirgu. Ai është në një nivel të karrierës ku ndikimi i tij është jo i vogël. Formimi i tij tregon se ai edhe reagon në situata kur mendon se fjala e tij mund të lërë gjurmë. Ka bërë thirrje për tjetër kujdes institucional. 

“Me këtë orkestër, me këta njerëz të mrekullueshëm, me Marigonën, është prioritet për këtë vend që t’i thërrasë të gjithë artistët që ka, që të jenë këtu sa më shumë dhe të begatohet ky vend”, ka thënë ai. Mungesën e kushteve për të interpretuar e ka parë si shumë të rëndësishme për ta përmendur dhe për të apeluar për ndryshim të realitetit. 

“Është e dukshme që Kosova ka nevojë për shumë institucione. Ata që e kanë për detyrë këtë duhet ta kenë prioritet, pasi është e domosdoshme”, ka thënë ai. Ka qenë i hapur për secilin që ka pasur dëshirë t’ia thotë dy fjalë. S’është prej atyre artistëve që pas ngjarjes kinse struket në qetësinë a mendjemadhësinë e tij.

Qerkezi: “Është një rikthim që e kam pritur”

“Magjike” është fjala e parë, me të cilën sopranoja Marigona Qerkezi e ka përshkruar krejt mbrëmjen. 
“Me të vërtetë e patë edhe vetë, publiku u kënaq e ne edhe më shumë. Kisha privilegjin që të ndaj koncertin me tenorin Saimir Pirgu. Është emocion i veçantë që pas rrugëtimit disavjeçar në vende të ndryshme, të interpretoj para publikut që më njeh si e vogël”, ka thënë Qerkezi. Këtë fakt e ka përshkruar si emocion të dyfishtë. 

“Është një rikthim që e kam pritur. Me zemër plot e bëmë këtë koncert”, ka thënë ajo. 

Për dirigjenten Elda Laro, koncerti qe një ngjarje shumë e mirë e që është mirëpritur nga publiku. 

“Ishte kënaqësi të dirigjoj një orkestër për këta dy solistë të mrekullueshëm. Të kthehem dhe të punoj me një orkestër të re më ka dhënë ndjesinë e kohës kur kemi filluar. Andaj jam shumë e lumtur”, ka thënë ajo. Ka dhënë edhe një tjetër përkufizim. “Ishte një koncert kryevepër”, ka shtuar ajo. 
Paraprakisht orkestra është përgatitur nga dirigjenti Edon Ramadani. Ai ka thënë se janë munduar shumë që të ketë progres dhe që të ketë edhe një orkestër krahas asaj të Filharmonisë. 

“Jam shumë i lumtur me progresin që është bërë në këtë moment. Është bërë si himn i komunitetit artistik, por nevoja për kushte është shumë e madhe. Salla ishte e mbushur e akustika nuk ishte e mirë. Esenciale është akustika dhe vendet e mjaftueshme për publikun. Sallat aktuale të improvizuara janë të pamjaftueshme për nevojat e kulturës muzikore”, ka thënë ai. Sipas Ramadanit, sidomos në raste kur kryeqyteti është nikoqir i artistëve të nivelit global, turpi është edhe më i madh sa i përket infrastrukturës. 

Koncerti i së martës me kërkesën e Saimir Pirgut ka marrë edhe një tjetër format. Krejt në fund, ai ka ftuar krejt këngëtarët lirikë të pranishëm në sallë, që të bashkohen në skenë (Foto: Arben Llapashtica)

“Ne kemi solistë të shkëlqyer dhe dy të sontshmit dëshmuan se si institucion mund të organizojmë koncerte të tilla. Kur kemi ardhje të solistëve të mëdhenj, botërorë, shpesh ndihemi të turpëruar se ku duhet të interpretojnë”, ka thënë ai. 

Koncerti i së martës me kërkesën e Saimir Pirgut ka marrë edhe një tjetër format. Krejt në fund, ai ka ftuar krejt këngëtarët lirikë të pranishëm në sallë, që të bashkohen në skenë. 

Ramë Lahaj, tenori kosovar që ka prekur majat e botës operistike e artistë si Zana Abazi-Ramadani, Jeta Çitaku, Flaka Goranci e profesoresha Merita Juniku janë bërë bashkë për ta interpretuar “Unë biri yt Kosovë”. E veçantë ka qenë dalja në skenë e Junikut pas insistimit të madh të Lahajt. Krejt bashkë kanë mbyllur ngjarjen, duke i ofruar publikut një emocion të veçantë. Ftesa e Pirgut për një moment të tillë qe mesazh më vete. E interpretimi i përbashkët, dëshmi e një potenciali të artistëve shqiptarë, midis të cilëve edhe atyre që kanë marrë botën nëpërmjet talentit. Mesazh për kultivimin e vlerave jo veç si art, por edhe si frymë.