Amir Rrahmani i ka munguar Kosovës në tri ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Rrahmani mungoi “Dardanëve” në dy ndeshjet me Suedinë dhe Slloveninë. Kosova fitoi dy herë kundër suedezëve, ndërsa barazoi pa gola kundër sllovenëve.
Kapiteni Rrahmani i mungoi Kosovës për shkak të lëndimit të pësuar në duelin me Zvicrën në Basel muajin e kaluar.
Rrahmani ka munguar po ashtu në gjashtë ndeshje të Napolit.
Por Rrahmani ka thënë se ka përcjellë të gjitha ndeshjet e Kosovës dhe Napolit gjatë kësaj periudhe.
Ai ka thënë se i ka përcjellë me ankth dhe frikë ndeshjet e Kosovës dhe Napolit.
“Tani mund ta them - ankth i jashtëzakonshëm. Kur familjarët e mi më thoshin se ishin të emocionuar që më shihnin duke luajtur, nuk mund ta besoja, nuk mund ta kuptoja ndërsa luaja. Por tani i kuptoj ata në mënyrë të përkryer sepse vuaj kur jam në tribuna dhe akoma më keq kur i shoh shokët e mi të ekipit në televizor duke luajtur. Ekziston një emocion shumë i fortë, një frikë dhe ankth që nuk mund ta shpjegosh. Më ndodh si për Napolin ashtu edhe për ekipin tim kombëtar, Kosovën. Kur je në fushë, nuk mendon për këto gjëra sepse je i përqendruar në lojë, mendon për gjëra të tjera. Por kur nuk luan, e përjeton si një tifoz i flaktë. Janë emocione të ndryshme, por sigurisht pothuajse po aq intensive”, ka thënë Rrahmani për mediumin lokal të Napolit “Cronache di Napoli”.
Ai nuk e di nëse do të kthehet në fushë në derbin kundër Interit më 25 tetor. Ai thotë se është duke punuar të rikthehet sa më shpejtë në fushë.
“Ndihem më mirë dhe po punoj për t’u rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur. Ende nuk e dimë se në cilën ndeshje do të jem në gjendje të kthehem, por duhet të jemi të përgatitur dhe, mbi të gjitha, të mos rrezikojmë asgjë. Kam qenë jashtë për një kohë të gjatë, kështu që duhet t’i marrim gjërat ngadalë. Dhe nuk ka rëndësi se në cilën ndeshje, por që të kthehem sa më shpejt të jetë e mundur dhe, mbi të gjitha, të jem i sigurt në fushë”, është shprehur Rrahmani.
Napoli pa Rrahmanin në qendër të mbrojtjes ka pësuar për dy ndeshje nëntë gola në gjashtë ndeshje.
“Nuk është çështje Rrahmani apo ndonjë lojtari tjetër. Kur e gjithë skuadra mbrohet, është gjithmonë më e lehtë për mbrojtësit sepse kanë më pak punë për të bërë. Pastaj, sigurisht, në futboll ka edhe detaje që vendosin një lojë”, është shprehur ai.
Rrahmani me Napolin ka fituar dy tituj të kampionit gjatë shtatë vjetët sa është pjesë e klubit. Ai ndihet lider i ekipit italian.
“Po, ndihem si një udhëheqës. Sepse, na pëlqen apo jo, kam qenë te Napoli për shumë vite dhe pak prej nesh kanë kaq shumë përvojë. Sigurisht, secili ka përgjegjësinë e vet për të qenë udhëheqës dhe secili e bën këtë në mënyrën e vet: disa janë më të zhurmshëm, të tjerë më të qetë. Por në fund të fundit, të gjithë jemi të bashkuar nga ideja për ta çuar Napolin edhe më lart”, thotë ai
Ai thotë se Napoli është shtëpia e tij.
“Napoli është shtëpia ime. Kam kaluar këtu 11 muaj dhe vetëm një muaj në shtëpi në Kosovë. Po, Napoli është një shtëpi e re”, ka theksuar Rrahmani.
Ai thotë se u zhgënjye me humbjen e Napolit nga Milani në San Siro.
Rrahmani ka folur edhe për mundësitë e Napolit këtë edicion në Ligën e Kampionëve.
“Shpresojmë të arrijmë nivelin më të lartë të mundshëm, si në të gjitha garat e tjera. Po punojmë për të arritur më të mirën tonë, në mënyrë që të gjithë të jenë të lumtur”, ka thënë Rrahmani.
Rrahmani 31-vjeçar ka 12 gola të shënuar me fanellën e Napolit, ndërsa ka kontribuuar edhe me pesë asistime.
Rrahmani me Napolin është në bisedime për vazhdimin e kontratës. Aktualisht me Napolin ka kontratë deri në vitin 2027.