Arbëri

Grupi i Krizave: Kosova po ia teston kufijtë e durimit BE-së

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Grupi Ndërkombëtar i Krizave, organizatë joqeveritare me mision për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve në raportin e fundit të publikuar të enjten, ka hedhur një vështrim mbi Kosovën, për të cilën ka thënë se po i teston kufijtë e durimit të Bashkimit Evropian.

Në raportin për Kosovën është theksuar se viteve të fundit janë problematizuar raportet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa janë përmendur sanksionet evropiane nga viti 2023 dhe suspendimi i dialogut të planifikuar strategjik nga SHBA-ja. Për të dyja, sipas raportit, fajtore janë “lëvizjet e Kurti për të centralizuar pushtetin dhe trajtimin e ashpër nga qeveria e tij për komunitetin etnik serb që jeton në veri, të cilët kanë shpresuar gjatë për autonominë e premtuar në marrëveshjet e shkuara, dhe për shkak të dështimit të tyre, edhe për bashkim me Serbinë”.

Në shkrim është thënë se për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe partinë e tij, Lëvizja Vetëvendosje, edhe “shtypja e serbëve” shërben si bazë për planet për ta “rindërtuar shtetin e Kosovës”. Aty është shtuar se që nga ardhja në pushtet më 2021, Kurti ka bërë disa lëvizje për ta vënë nën kontroll veriun. “Kontrolli i fortë” mbi këtë zonë, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave si qasje mund të jetë paralajmëruese për izolim të zgjatur ndërkombëtar për Kosovën. E sipas GNK-së, BE-ja është përpjekur ta shmangë këtë qëkur e ka nisur dialogun Kosovë-Serbi.

Për të ndihmuar në zbutjen e rreziqeve, sipas këtij raporti, BE-ja duhet të fokusohet në çështje më konkrete në dialog – përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme me theks në menaxhim kufijsh dhe njohjen e diplomave si dhe që të gjenden mundësi që Serbisë t’i jepet mundësia të ofrojë shërbime arsimore e shëndetësore për serbët që jetojnë në territorin e Kosovës dhe që Kosova të ketë të njëjtën mundësi për shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Pikë tjetër që duhet të ndjekë Kosova, sipas organizatës me seli në Bruksel, është që të shfrytëzojë joshjet e BE-së, sidomos në perspektivën e anëtarësimit e që të bëjë presion ndaj Kosovës për të mbrojtur pakicën serbe e të sigurojë autonominë lokale, përfshirë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rekomandim i tretë është që ndihmat financiare dhe mbështetja diplomatike për Kosovën të varen nga hapat konkretë për forcim të institucioneve dhe ndërtim të kapaciteteve shtetërore. Aty është thënë se duhet të ketë autonomi në institucionet si gjyqësori, transmetuesi publik e agjencitë e pavarura.

Raporti është marrë edhe me rrugën e Kurtit drejt pushtetit, duke thënë se ai dhe partia e tij kanë dyshuar në kornizën kushtetuese e institucionale të Kosovës për kohë të gjatë. Aty është thënë po ashtu se që nga ardhja në pushtet më 2021, “është përpjekur ta centralizojë vendimmarrjen, të fuqizojë anëtarët e besueshëm të partisë dhe të anashkalojë institucionet që i konsideron si të dështuara e të mbushura me nëpunës besnikë ndaj udhëheqësve të mëhershëm”.

Qeveria Kurti në raport është kritikuar edhe për “bllokim fondesh” për komunat. E pikërisht kjo “bllokadë”, sipas Grupit të Krizave mund të dëmtojë Kurtin në zgjedhjet e ardhshme që mund të mbahen qysh më 2026.

Për BE-në, ky grup ka thënë po ashtu se qëllim duhet të jetë të mbajë gjallë marrëveshjet e 2023-s. Problematike është parë qasja e Kurtit për reciprocitet të plotë.

Në fund është thënë se “është zor të shihet e ardhme pozitive për shtetin e ri pa përkrahjen nga BE-ja – përkrahje që me gjasë nuk do të vijë deri kur Qeveria e Kosovës të punojë për të rindërtuar besimin me Serbinë, t’i përmirësojë raportet me komunitetin serb dhe t’i përmbahet parimeve të qeverisjes së mirë që BE-ja t’i mbështesë”.