Fatmira ka mbetur gjallë dhe është në luftë të vazhdueshme me veten për ta rrëfyer atë që i ka ndodhur para dy dekadash. Fati i saj është i ngjashëm me atë të 20 mijë të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Estetizimi i rrëfimit të saj përmes një vizioni artistik ka si qëllim përdorimin e artit për të shprehur revoltë ndaj mungesës së trajtimit të duhur të të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe për të theksuar domosdoshmërinë që ato t’i rrëfejnë përjetimet e tyre
“Vetëharrimi” është monodramë me bazë të fortë dokumentare, e shkruar nga dramaturgu Besim Rexhaj. Nën regji të Fadil Hysaj, lojë të aktores Sheqerie Buqaj dhe performimin në violonçel të Gresa Broqit, shfaqja që u dha premierë të hënën mbrëma në teatrin e qytetit të Prishtinës “Dodona” erdhi si një si pasqyrë e realitetit ngjyrosur me elemente teatrale.
Si për ironi të emrit të saj, jeta e Fatmirës është e kobshme. Është e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, viktimë e dhunës fizike por edhe psikike, pasi e ka parë me sytë e saj vrasjen e vajzës. Është edhe viktimë dhimbjesh shpirtërore, pasi traumat nuk e lënë të jetojë e qetë me familjen që i ka mbetur: vajzën tjetër dhe burrin e saj.
Dramaturgu Arian Krasniqi, i cili tekstin pati rastin që ta lexonte edhe si dorëshkrim, ka thënë se regjisori Fadil Hysaj, përmes kësaj shfaqjeje, e ka dëshmuar fuqishëm mjeshtërinë e tij.
“Personazhin të cilin e trajton profesori Besim Rexhaj është një grua, e cila na shfaqet në disa dimensione, edhe të emocioneve, edhe të aspektit psikologjik dhe atij sociologjik, duke na sjellë informata për tmerret e përjetuara. E shoh si tekst dhe si shfaqje revolte për mungesën e trajtimit të kësaj kategorie të shoqërisë, por edhe si domosdoshmëri që të flitet hapur, në kuptimin që të gjitha ato që janë dhunuar të flasin për atë që ka ndodhur, pasi përmes së vërtetës ne i shërbejmë kauzës për mbrojtjen e të drejtave të tyre”, ka thënë ai.
Sipas tij, teksti komunikon mirë me publikun dhe tregon dhimbjen e përjetuar para 20 vjetëve, pasojat e së cilës i vuan shoqëria edhe sot – sidomos të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Si shfaqje është e realizuar me një gjetje shumë interesante konceptuale dhe skenografike. Edhe elementi muzikor është inkorporuar shumë natyrshëm brenda shfaqjes, duke dyzuar personazhin kryesor – duke e ndarë në dysh – dhe duke ia mundësuar një lloj komunikimi me veten e saj”, ka thënë ai.
Fatmira ka mbetur gjallë dhe është në luftë të vazhdueshme me veten për ta rrëfyer atë që i ka ndodhur para dy dekadash. Fati i saj është i ngjashëm me atë të 20 mijë të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Jeta e saj është e ndarë në tri pjesë: në periudhën para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës.
Sipas regjisores Zana Hoxha, aktorja Sheqerie Buqaj ka dëshmuar se e ka aftësinë t’i shprehë disa gjendje nëpërmjet personazhit që ka ndërtuar, pasi ne shohim një grua të thyer në shumë dimensione.
“Natyrisht që u ngritën disa çështje, jo vetëm në aspektin e përjetimit personal, por mbi të gjitha në spektrin e mungesës së drejtësisë. Unë e pashë si një thirrje për ta përdorur artin si medium ku kërkohet drejtësi, jo vetëm të flitet për dhunimet, por edhe për kryesit e veprave makabre, që të dalin para drejtësisë dhe të dënohen”, ka thënë ajo.
Ka shtuar se njëherë e përgjithmonë kjo shoqëri duhet ta ndalë stigmën dhe t’i përkrahë gratë që kanë qenë përjetuese të dhunës së egër.
Në kulmin e mllefit të saj, Fatmira shprehet se pushtetarët që valojnë flamurin në nderim të heronjve të rënë për liri kanë harruar të përkrahin e mburren me fuqinë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Personazhi, gjatë shfaqjes, vë në pah personalitetet e shumta që mban në vete, si pasojë e lojës që i bën mendja. Fatmira, emri i së cilës nuk tregohet gjatë shfaqjes por që figuron vetëm në tekstin e dramaturgut Rexhaj, është e diagnostikuar me një sëmundje të rëndë psikike.
Vepra dramatike “Vetëharrimi” shënon të katërtën vepër të gjinisë dramatike në opusin krijues të Rexhajt, që vjen pas dramës “Vorbulla” dhe monodramave “Loja e pafund” dhe “Portreti i pakryer”.
Dramaturgu Besim Rexhaj ka thënë se drama ka një dimension dokumentari, pasi në trajtimin e temave të kësaj natyre nuk mund t’i iket dokumentaritetit dhe nuk ka arsye për ta bërë këtë.
“Por, ideja është që – sa të jetë e mundur atë që është shtresë ose dimension dokumentar – ta funksionalizojmë për qëllime artistike. Sepse duke e estetizuar atë që është dokumentare ne e kemi gjasën që ta krijojmë vizionin artistik dhe përmes tij të ushtrojmë ndikim të caktuar te publiku, që t’ia fitojmë zemrën atij”, ka thënë ai.
Atëherë kur Fatmira, personazhi i kësaj shfaqjeje, nuk ka fuqi ta tregojë rrëfimin e saj, loja e Gresa Broqit në violonçel dhe klithma e saj mjaftojnë për të dëshmuar se tregimi nuk ka një rrjedhë lumturie. Pikërisht violonçelistja integrohet mrekullisht brenda shfaqjes. Për një moment merr edhe rolin e aktores, kur me gjysmë zëri thotë: “Jeta? Për çfarë jete po më flet? Unë nuk jam e gjallë.”
E aty kur Broçi ndal lojën dhe fsheh kokën pas instrumenti të saj që i qëndron si mburojë, është aktorja Sheqerie Buqaj ajo që e inkurajon. E bën këtë duke marrë rolin e narratorit, psikologes, ose edhe duke shfaqur zërin që jehon brenda kokës së vetë personazhit. Ajo e nxit atë të flasë dhe pikërisht kjo gjë, sipas aktores Buqaj, shpërfaq edhe mesazhin kryesor të shfaqjes.
“Mendoj se kjo shfaqje duhet ta ketë këtë mesazh, që ato gra duhet të flasin, përndryshe nuk mund të lirohesh nga diçka që e mban brenda. Ashtu siç thuhet edhe në tekst, nuk është me rëndësi se si, por thjesht duhet të flasësh”, ka thënë ajo.
Fakti se jo të gjitha gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës kanë vendosur të flasin vihet në pah edhe përmes skenografisë. Skena është e ndërtuar nga disa dritare të varura. Vetëm tri janë të hapura. Dritaret e tjera i kanë roletat e mbyllura. Regjisori, i cili është kujdesur edhe për skenografinë, ka dashur që përmes tyre të tregojë se rrëfimet e tjera mbesin ende të padëgjuara.
Regjisori Fadil Hysaj ka thënë se harresa institucionale që i është bërë këtij krimi për të cilin flet edhe shfaqja është aleanca më kriminale që ka ndodhur mes kriminelëve dhe atyre që e kanë pasur për detyrë denoncimin e tyre.
“Nuk është se i ka privuar dikush këto gra të flasin, por klima që është krijuar përreth tyre, ambienti social e politik, mungesa e mbështetjes shtetërore për këtë kategori kanë qenë shkaqe që ato ta mbyllin gojën dhe të kërkojnë shpëtim në harresë”, ka thënë ai, duke theksuar se këto ngjarje nuk mund të harrohen.
Shfaqja përfundon me thirrjen e aktores që personazhi i saj të flasë e të tregojë se çfarë i ka ndodhur.
“Fol, se je e gjallë! Aq sa për t’i dëshmuar botës që 20 vjet më parë, këtu një dorë e tmerrshme krimi rrëmbeu gjithçka”, thotë në fund të shfaqjes aktorja Sheqerie Buqaj. E, duartrokitjet që erdhën më pas sikur qenë miratim i kërkesës së saj. Mjaftueshëm të buta sa për t’i lënë asaj të vendosë dhe mjaftueshëm të fuqishme sa për t’i treguar se do të gjejë përkrahje nëse vendos të flasë. Repriza e shfaqjes “Vetëharrimi” jepet të mërkurën mbrëma.