“Aktualisht nuk na rrezikohen materialet e Bibliotekës e as ekspozita e Fondit për të Drejtën Humanitare”, ka thënë të premten pasdite, Munish Hyseni, drejtor i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, e cila ka pësuar prej reshjeve të fundit. Ujërat kanë shpërthyer në përdhese. “Po presim që të zgjidhet kjo çështje nga Ujësjellësi”, ka thënë ai
Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë është në hall me vërshime. Të reshurat e fundit i kanë nxjerrë telashe këtij institucioni. Prej së enjtes mbrëma, ujërat e kanalizimit kanë depërtuar në katin përdhese dhe autoritetet kanë thënë se po bëjnë përpjekje për ta zgjidhur këtë problem.
Të premten pasdite, drejtori i kësaj biblioteke, Munish Hyseni, e ka konfirmuar se së fundmi kanë pasur probleme me vërshime dhe se kanë ndërhyrë, por se ende nuk kanë bërë zgjidhje.
“Nuk jemi duke e ditur se nga po hyn uji”, ka thënë Hyseni duke shtuar se kanë kërkuar ndihmën e institucioneve kompetente. “Po presim që të zgjidhet kjo çështje nga Ujësjellësi”, ka thënë ai.
Objekti aktual i bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” u përurua shtatë vjet më parë. Rreth 2.5 milionë euro qe kostoja e tij.
Hyseni ka thënë se vërshimet deri tash nuk kanë rrezikuar materialet. “Aktualisht nuk na rrezikohen materialet e Bibliotekës e as ekspozita e Fondit për të Drejtën Humanitare”, ka thënë Hyseni. Në atë hapësirë prej vitit 2019 është ekspozita “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” e FDH-së, e cila sjell rrëfimin për fëmijët e vrarë në luftën e fundit 1998/1999.
Për objektin e ri të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” u deshën pesë vjet punime. U zhvendos aty prej objektit në lagjen “Tophane” që mbrohet si monument e ku veproi për 70 vjet. Për një kohë ish-objekti i “Hivzi Sulejmanit” i ndërtuar në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, u la pas dore deri vitin e kaluar kur iu nënshtrua restaurimit e të cilin bienalja nomade e artit “Manifesta 14” e mbajtur edicionin e kaluar në Prishtinë, e shndërroi në Qendër të Praktikës Narrative.
Objekti i ri i shtrirë në 5 mijë e 800 metra katrorë iu nënshtrua disa ndërhyrjeve pas inaugurimit në verën e 2016-s. Njëri prej tyre qe ai në dysheme më 2020.