Në Britani, aktivistët janë duke e ngjitur për kryevepra, përfshirë edhe “The Hay Wain” të John Constable. Në Gjermani, protestuesit janë ngjitur edhe për “The Massacre of the Innocents” në “Alte Pinakothek”, në Münich. Në Itali, punimet në Uffizi, në Firence dhe në Muzetë e Vatikanit janë vënë në shënjestër.
Tani, protestuesit në Londër kanë gjetur një mënyrë të re për ta tërhequr vëmendjen për kauzën e tyre: hedhjen e kanoçeve me supë domatesh mbi kryevepra.
Pak pas orës 11 të së premtes, dy anëtarë të “Just Stop Oil”, një grup që synon të ndalojë nxjerrjen e naftës dhe të gazit në Britani, hyri në dhomën nr. 43 të Galerisë Kombëtare në Londër, hapën dy kanoçe me supë domatesh “Heinz” dhe i hodhën ato në “Sunflowers” të Vincent van Gogh, një nga thesaret e koleksionit të Muzeut. Është një nga gjashtë seri me luledielli që Van Gogh besohet se i realizoi më 1888 dhe 1889.
Teksa lëngu ngjyrë portokalli pikonte poshtë lustrimit që mbronte pikturën, dyshja leu duart me ngjitës dhe e mbërtheu veten në murin poshtë veprës. Në videot e incidentit të publikuara në internet, vizitorët e Galerisë mund të dëgjohen duke thënë “Oh, zot!” dhe duke e kërkuar ndihmën e sigurimit; njëra nga aktivistet mban fjalim ku i pyet vizitorët nëse “janë më shumë të shqetësuar për mbrojtjen e një pikture, apo mbrojtjen e planetit dhe të njerëzve?”
Brenda pak minutash, ngjarja tërhoqi vëmendjen e mbarë botës dhe shumë përdorues të mediave sociale shprehën shqetësimin për gjendjen e pikturës. Megjithatë, Galeria Kombëtare, nëpërmjet një deklaratë me e-mail ka sqaruar se vepra nuk është dëmtuar, përveç “disa dëmtimeve të vogla në kornizë”. Aktivistët janë arrestuar, shtohet në deklaratë.
Mel Carrington, zëdhënëse e “Just Stop Oil”, ka thënë në një intervistë telefonike se qëllimi i grupit kishte qenë të fitonte publicitet dhe të nxiste debat rreth krizës klimatike dhe veprimeve të nevojshme për ta ndaluar atë.
“Luledielli” i Van Gogh nuk kishte asnjë lidhje me ndryshimet klimatike, ka thënë ajo. Është thjesht “një pikturë ikonë, nga një piktor ikonik” dhe një sulm ndaj saj do të krijonte tituj. Por zgjedhja e supës ishte simbolike, ka thënë ajo. “Në Britani, shumë qytetarë po luftojnë për t’i paguar faturat e karburantit dhe ushqimit për shkak të inflacionit në rritje dhe disa nuk mund të përballojnë as të ngrohin një kanoçe supë. Qeveria duhet t’i ndihmojë njerëzit të përballen me krizën e kostos së jetesës, në vend që të mundësojë nxjerrjen e karburanteve fosile”, ka thënë ajo.
Carrington ka thënë se aktivistët kishin kontrolluar paraprakisht nëse vepra ishte e mbuluar me xham, kështu që spërkatja me supë nuk do të shkaktonte dëme dhe mund të fshihej lehtë. Dhe “Just Stop Oil” ka planifikuar veprime të mëtejshme, ka shtuar ajo.
Marrë nga: “The New York Time”. Përktheu: Mirjetë Sadiku