Tash e dymbëdhjetë vjet, festivali i muzikës klasike “Seoul International Music Festival” bën bashkë vepra dhe muzikantë të njohur të muzikës klasike në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul. Çdo vit, programi pasurohet me bashkëpunime unike, premiera botërore dhe interpretime të veprave të njohura klasike.
Në mesin e premierave të sivjetme është edhe vepra “Forsaken” e kompozitorit nga Kosova Mendi Mengjiqi. Kompozimi 13-minutësh është një udhëtim me ngarkesë emocionale dhe përfundon me nota shprese, raporton KOHA.
“Seoul International Music Festival” përbëhet nga dy pjesë: Koncerti “Martin Stadtfeld’s Spring” që mbahet më 24 prill dhe pjesa kryesore e festivalit që këtë vit mbahet nga 20 tetor deri më 1 nëntor. Vepra e kompozitorit të shquar, autor i Himnit të Kosovës, do të interpretohet më 30 tetor nga orkestra e festivalit. Bashkë me “Forsaken”, në programin e natës së parafundit është edhe vepra “Misa Solemnis” (Lutje Solemne) e kompozitorit gjerman Ludwig van Beethoven. Veprat e gjeniut zënë pjesën me të madhe të programit, pasi që edicioni i sivjetmë i dedikohet 250-vjetorit të lindjes së tij.