Kulturë

Vendimi që rrëzon projektin për Hamamin e Madh, i pakuptueshëm për Komunën

Komuna e Prishtinës ka rënë në hall. E ka të paqartë vendimin e Ministrisë së Kulturës. Për zyrtarët komunalë del të jetë konfuz vendimi nëpërmjet të cilit është anuluar vendimi që miratonte projektin e agjencisë turke për zhvillim dhe rindërtim – TIKA për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë. Është vendimi i Komisionit të Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave kundër vendimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.

“Anulohet Vendimi nr. 22/2020, i datës 23.06.2021 i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për aprovimin e projektit kryesor për konservimin/restaurimin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje – Hamami i Madh i Prishtinës”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit të së hënës. Në arsyetimin prej gjashtë faqesh tregohet se projekti i aprovuar kishte probleme të mëdha, andaj nuk duhej miratuar nga IKMM-ja.

Por Komuna nuk e ka të qartë çfarë ka ndodhur. Këtë e ka bërë të ditur të mërkurën.

“Komuna e Prishtinës ju njofton që projekti i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sa i përket restaurimit të Hamamit të Madh në Prishtinë nuk është anuluar, mirëpo është anuluar vendimi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nga Komisioni i Ankesave në IKMM”, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga Adrian Berisha, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunë.

Sipas komunikatës, “anulimi i vendimit nuk vjen si pasojë e emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës, siç po shkruhet në disa media, por shkaku i disa problemeve të tjera në projekt, si: paramasa, plani dinamik, etj.”.

Komuna njofton se këshilltari për media i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka deklaruar për media që “projekti është pezulluar”. “Ndërsa, Komisioni i Ministrisë së Kulturës deklaron se është anuluar vendimi i IKMM-së, që nënkupton se projekti është hedhur poshtë. Pezullim do të thotë që projekti mund të rishikohet dhe të plotësohet, përderisa në vendim të komisionit kjo nuk shkruhet”, shkruhet në komunikatë.

Po nëpërmjet kësaj komunikate, Komuna e Prishtinës kërkon sqarim të menjëhershëm rreth “këtyre deklaratave që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën e për të cilat vendime Komuna e Prishtinës nuk është njoftuar paraprakisht, por lajmin e ka kuptuar nga mediat”.

“Fakti që qytetarët po dezinformohen dhe mediat informohen para institucionit për një vendim të tillë është shqetësues”, shkruhet në komunikatë.

Çështjen e ka sqaruar Qerim Ondozi, këshilltar i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Projekti është anuluar. Është transmetuar gabimisht deklarata ime”, ka thënë Ondozi.

Vendimi i Komisionit të Ministrisë së Kulturës është marrë pas ankesës që ka bërë Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në MKRS, dhe gati tri javë pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëfinancim të projektit midis Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s turke. Sipas fotografive të publikuara nga Komuna, monumenti do të shndërrohej në “FATIH HAMAMI MÜZESİ” (Muzeu i Hamamit të Pushtuesit). Për këtë kishte reagime të forta.

Por vetë zyrtarët komunalë, më datën 26 mars, kishin reaguar duke përgënjeshtruar njëri-tjetrin.

Adrian Berisha kishte reaguar në “Facebook”. Tërthorazi e kishte konfirmuar edhe atë se TIKA ka synuar që Hamamit t’ia ndërrojë emrin.

“TIKA ka bërë kërkesë për restaurim të objektit dhe në ketë kërkesë kanë paraqitur edhe idenë e ndryshimit të emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës. Kërkesa për restaurim është aprovuar, por kërkesa për ndryshim të emrit është refuzuar nga Instituti Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), duke u thirrur në faktin se nuk mund t’i ndryshohet emri një objekti kaq të rëndësishëm”, kishte shkruar ai.

Pak më vonë, kryetari Shpend Ahmeti kishte reaguar duke thënë të kundërtën e Berishës. “Nuk kanë kërkuar e as që kërkojnë që Hamami të jetë Muze e as që të quhet në një mënyrë apo tjetrën. Nuk do të jetë as Muze i Sulltanit e as Muze i dikujt tjetër. As që është diskutuar ndonjëherë”, kishte shkruar ai dy ditë pasi kishte nënshkruar memorandumin nëpërmjet të cilit bashkë me TIKA-n do të investonin një milion euro në monumentin e shekullit XIV-XV.