Kulturë

Rasti i Hamamit të Madh – thirrje për fuqizim të institucioneve vendore

Për studiues e punonjës të trashëgimisë kulturore, rasti i Hamamit të Madh të Prishtinës, projekti turk për ta shndërruar në “Muze të Hamamit të Pushtuesit” dhe më pas anulimi i këtij projekti, duhet të shërbejnë si thirrje për institucionet vendore që restaurimet e konservimet të mos i bëjnë me tenderë e projekte të huaja, por ta fuqizojnë rolin e tyre e të angazhojnë ekspertë

Anulimi i projektit turk për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë është mirëpritur nga ata që e kanë kritikuar atë. Vendimi i Komisionit të Ministrisë së Kulturës që projekti i agjencisë turke për zhvillim dhe rindërtim – TIKA është parë si hap i qëlluar pasi sipas fotografive të projektit, monumenti do të shndërrohej në “FATIH HAMAMI MÜZESİ” (Muzeu i Hamamit të Pushtuesit). Historianë e arkeologë që kanë dekada punë në trashëgimi kulturore kanë bërë thirrje që monumentet të restaurohen nga ekspertët e jo nëpërmjet tenderëve dhe organizatave që tjetërsojnë e përvetësojnë monumentet.

Ky vendim i Komisionit të Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave vjen pas ankesës që ka bërë Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në MKRS dhe gati tri javë pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëfinancim të projektit midis Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s turke.

Kur Komuna kishte publikuar fotografitë e pamjes së re të Hamamit të Madh, në raportimet e KOHË-s arkeologu Mehmetaj kishte thënë se projekti tashmë i anuluar, ishte një prej ndërmarrjeve më skandaloze.

“Vendimi i sotëm që t’i ndërrohet emërtimi vërtet është skandaloz. Do të thotë po i ngrihet muze Mehmet Pushtuesit, pasi ‘Fatih’ do të thotë pushtues, gjakpirësit më të madh të shqiptarëve. Nuk ka vrarë as Milosheviqi shqiptarë sa ka vrarë Mehmet Fatihu”, kishte thënë Mehmetaj më 25 mars, një ditë pas publikimit të fotografive të projektit. Sipas tij, veprimet e tilla mund të shpien deri te kërkesat e tjera. “Kjo vërtet nuk ka kuptim. Po bëhet një objekt i Turqisë. Me këtë logjikë nuk është çudi që nesër edhe serbët të kërkojnë që kisha në oborrin e Universitetit të Prishtinës të shndërrohet në muze të Milosheviqit”, kishte thënë Mehmetaj i cili para pensionimit ka qenë arkeolog në Institutin Arkeologjik të Prishtinës, e edhe drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë.

Të martën ka thënë se vendimi i MKRS-së për anulim të projektit është i drejtë dhe një lajm i mirë.

“Nuk duhet të lejohen organizatat e huaja dhe askush tjetër që të tjetërsojë trashëgiminë tonë kulturore”, ka thënë Mehmetaj. Sipas tij, agjencisë turke TIKA nuk duhet t’i lejohet që të restaurojë monumente.

“Ajo agjenci ka bërë kultorocid në monumente kur ka punuar në të kaluarën. Pastaj tenderët duhet të largohen nga trashëgimia kulturore, pasi zakonisht ata i marrin njerëzit joprofesionistë dhe tjetërsojnë monumentet”, ka thënë ai. Ka shtuar se trashëgimia kulturore duhet të restaurohet dhe konservohet nga ekspertët që janë të angazhuar në institucionet shtetërore.

Historiani Enver Rexha, i cili është drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, në mars kishte thënë se sipas historiografisë ndërkombëtare Sulltan Mehmeti i Dytë njihet si “Fatihu”, që në shqip i bie pushtuesi.

“Këtë nofkë e merr me rastin e pushtimit të Kostandinopojës apo Stambollit të sotëm. Ai ka pushtuar edhe trevat ballkanike. Me këtë Sulltan themelohet Perandoria Osmane”, kishte thënë Rexha.

Sipas tij, për turqit ka logjikë që monumenti i Kosovës të tjetërsohet deri në atë shkallë sa të jetë “Muze i Hamamit të Pushtuesit”. “Por kjo është e papranueshme për shtetin tonë dhe historinë tonë”, kishte thënë ai.

Të martën ka thënë se përshëndet vendimin e MKRS-së.

“Është dashur që institucionet të konsultohen që të mos vijmë deri në këtë epilog. Por vendimi i MKRS-së është shumë i mirë dhe ia vlen të përshëndetet”, ka thënë ai.

KOHA i ka adresuar pyetje TIKA-s qysh prej mbrëmjes së të hënës. Agjencia turke nuk është përgjigjur se si do të veprojnë pas vendimit të MKRS-së për anulim të projektit. Përgjigje nuk kanë pasur as zyrtarët e Komunës së Prishtinës. Me projektin e anuluar planifikohej të shpenzoheshin 1 milion euro. Prej tyre 500 mijë të Komunës së Prishtinës. Për këtë Komuna e TIKA ishin marrë vesh nëpërmjet një memorandumi të nënshkruar më 24 mars të këtij viti.

Komisioni i Ministrisë së Kulturës e ka aprovuar si të bazuar ankesës e parashtruar nga Inspektorati i trashëgimisë kulturore.

“Anulohet Vendimi nr. 22/2020, i datës 23.06.2021 i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për aprovimin e projektit kryesor për konservimin/restaurimin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje – Hamami i Madh i Prishtinës”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit. Për këtë projekt MKRS-ja kishte pranuar edhe një ankesë tjetër të bërë nga disa profesorë të Universitetit të Prishtinës. Vendimi ka hyrë në fuqi të hënën, kur edhe është nënshkruar nga anëtarët e Komisionit dhe është protokolluar. Komisioni ka gjetur një varg shkeljesh administrative dhe profesionale në vendimin e IKMM-së dhe projektin për restaurim dhe konservim të Hamamit të Madh.

Sipas vendimit të marrë nga Komisioni në përbërje të Vjollca Aliut, kryesuese dhe anëtarëve Merita Augustini-Ndrecaj dhe Bislim Bislimi, është vërtetuar se pjesa arsyetuese e vendimit të IKMM-së nuk është e hartuar në përputhje me kërkesat e përcaktuara me Ligjin për procedurën administrative. Më pas, në arsyetim janë renditur edhe disa shkelje profesionale e mungesë e dokumentacionit.

Para një dekade, pas shpenzimit të 800 mijë eurove, ishin ndërprerë punimet restauruese pasi u konstatua se monumenti i shekujve XIV dhe XV po humbiste autenticitetin.