Kulturë

Projekti një milion eurosh e bën Hamamin e Prishtinës “Fatih Hamami Müzesi”

Me ngjyrë të bardhë në muret e jashtme dhe të brendshme – me hapësira në enterier ku shihen gurët e murit e gypat që përbëjë strukturën – Hamami i Madh i Prishtinës do të restaurohet nga agjencia turke për zhvillim dhe rindërtim – TIKA. Siç shihet në disa imazhe të projektit do të jetë “Fatih Hamami Müzesi” (Muzeu e Hamamit të Fatihut).

Të mërkurën për këtë janë marrë vesh Komuna e Prishtinës dhe TIKA. Bashkë do të investojnë aty një milion euro. Kjo shumë është llogaritur ta rrumbullakojë implementimin e projektit me të cilin synohet që monumenti të kthehet në formën origjinale. Ky investim do të vijë një dekadë pasi u shpenzuan 800 mijë euro në tentim për ta restauruar ndërtesën e më pas u konstatua se bëhej fjalë për shkatërrim.

Në fotografitë e publikuara nga Komuna del se në ballë të monumentit me germa të mëdha do të jetë e shkruar “FATIH HAMAMI MÜZESİ”. Do të ekspozohen mjete që kanë shërbyer kur Hamami ishte funksional si banjë publike.

Të mërkurën TIKA e Komuna kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për bashkëfinancim të Hamamit. Sipas memorandumit, 49.35 për qind e mjeteve do të jepen nga Komuna e 50.65 nga TIKA.

Ministria e Kulturës nuk ka qenë në dijeni për marrëveshjen e lidhur midis institucionit lokal dhe organizatës së Qeverisë turke.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se pas një kërkese që i kanë bërë TIKA-s vitin e kaluar për tri projekte, tash është nënshkruar marrëveshje për projektin e dytë.

“Në vitin 2015 kanë ardhur ekspertë turq, profesorë të trashëgimisë kulturore, kanë bërë vlerësimin e Hamamit, është përgatitur projekti dhe sot e nënshkruam një marrëveshje, ku ky projekt do të na kushtojë përafërsisht një milion euro dhe Hamami do të kthehet në formën origjinale që e ka pasur”, ka thënë ai. Sipas Ahmetit, fatkeqësisht nuk do të jetë Hamam në kuptimin klasik.

“Ne dëshirojmë që Komuna ta kthejë atë në hapësirë publike, ku do të mbahen ngjarje të ndryshme dhe do të jetë i hapur për kërkesa të publikut për konferenca, ligjërata e ngjarje të tjera”, ka thënë ai. Ahmeti ka thënë se me prokurim të TIKA-s plani është që punimet të nisin në maj.

Koordinatori i TIKA-s për Kosovë, Cihan Dinçer në ceremoni ka thënë se prej ditës së parë kur ka pranuar detyrën kishte gjetur të gatshëm projektin për Hamamin. Ka treguar po ashtu se sa i përket restaurimit te Xhamisë së Çarshisë të gjitha përgatitjet kanë përfunduar dhe pritet zbatimi i projektit.

“Shpresoj dhe besoj që pas nënshkrimit të memorandumeve do të shkojmë në procedurën e prokurimit të projektit të Hamamit. Kur shohim rrethinën e Hamamit shohim diçka që ka vlerë të madhe sa i përket trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ka thënë ai. Bazë për këtë është një memorandum i nënshkruar më 24 prill të vitit 2018 midis Komunës së Prishtinës, TIKA-s dhe Ministrisë së Kulturës. Marrëveshja dyfaqëshe ishte lidhur pesë vjet pasi u ndërprenë punimet në këtë monument, tek u konstatua se ai që u quajt restaurim ia ka humbur autenticitetin. Por pavarësisht kësaj, Ministria e Kulturës nuk ka qenë në dijeni të nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëfinancim.

Këtë e ka konfirmuar Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS. Ajo ka thënë se institucionet e MKRS-së do ta bëjnë mbikëqyrjen e implementimit të projektit.

“Në bazë të rregulloreve dhe ligjeve në fuqi, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore do të bëjnë mbikëqyrjen e projektit”, ka thënë ajo. Projekti ishte miratuar nga Komisioni i IKMM-së.

{gallery}

Aty do të ekspozohen mjete që kanë shërbyer kur Hamami ishte funksional si banjë publike

 

Në shkurt të këtij viti KOHA kishte raportuar se ishin dëmtuar xhamat e dritareve të monumentit.

Në planifikimet buxhetorë Komuna e Prishtinës për sivjet ka paraparë 500 mijë euro për Hamamin e Madh.

Në këtë monument të ndërtuar në shekujt XIV dhe XV gjatë viteve 2007-2009 ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit - fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes.

Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje, përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore - kaltër e verdhë.

“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti, është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe komunale të kulturës, si dhe nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës.

Image

Gjendja aktuale e Hamamit

Hamamit të Prishtinës autenticitetin ia humbi krejtësisht me ndërhyrjet e vrazhda kompania “Daja Rrah”, kur i betonoi muret e jashtme.

Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë. Për herë të fundit në mars të vitit 2013, dhe nuk kanë rinisur më. Gjendja e tanishme e këtij objekti është e rëndë. Përveç problemeve me të çara në fasadën që ia mbuloi autenticitetin, ky monument pesëshekullor ka probleme edhe në hapësirën brenda.

Në shtatorin e vitit 2012, Isa Mustafa, si kryetar i Komunës së Prishtinës, do ta vizitonte Hamamin e Madh të Prishtinës dhe do të thoshte se pas përfundimit të punimeve objekti do të shndërrohej në muze neolitik.

“Trashëgimia kulturore pa kufij” ishte tërhequr nga projekti për restaurimin e Hamamit tre muaj pasi kishte nisur puna.

Sali Shoshi kishte thënë se kur kanë parë që nuk ka seriozitet në proces, kanë vendosur të tërhiqen.

“Komuna në atë kohë filloi që të angazhonte kompani që nuk kishin lidhje me këtë punë. I lajmëruam institucionet dhe u tërhoqëm. Në fund u dëshmua që gjërat nuk ishin në rregull”, kishte thënë Shoshi vitin e kaluar.

Të mërkurën ai ka thënë se e rëndësishme është që projekti të ecë pasi objekti ka nisur të degradohet.

“Nuk i di detajet e hartimit të projektit dhe çfarë konsultash janë bërë me palët që kanë interes si komuniteti artistik dhe ai që jeton rreth Hamamit”, ka thënë Shoshi për KOHËN.

Ka shtuar se shpreson që TIKA do ta marrë seriozisht këtë punë dhe objekti jo vetëm të kryhet, por t’i kthehet publikut si një muze i qëndrueshëm.

“Shpresoj që edhe Komuna e Prishtinës i ka bërë analizat e mjaftueshme rreth qëndrueshmërisë së Muzeut se a ka eksponate të mjaftueshme dhe si do të menaxhohet ai muze”, ka thënë Shoshi.