AFP – Aktorja franko-italiane Claudia Cardinale, një legjendë e kinemasë së viteve 1960, ka vdekur të martën moshën 87-vjeçare pranë fëmijëve të saj në Nemours, pranë Parisit, ku jetonte, ka njoftuar agjenti i saj.
E lindur në Tunis, Claudia Cardinale punoi me më të mëdhenjtë, përfshirë Luchino Viscontin, Federico Fellinin, Richard Brooks, Henri Verneuilin dhe Sergio Leonen.
“Ajo na lë trashëgiminë e një gruaje të lirë dhe të frymëzuar, si në karrierën e saj si grua ashtu edhe si artiste”, citohet të ketë thënë agjenti i saj, Laurent Savry në një mesazh dërguar AFP-së.
Ashtu si shumë yje të tjera italiane të filmit, hyrja e Claudia Cardinales në këtë botë ndodhi nëpërmjet një konkursi bukurie.
Ajo ishte 17 vjeçe dhe studionte në Romë kur mori pjesë në një konkurs bukurie, i cili rezultoi në marrjen e një sërë rolesh të vogla në filma.
Interpretimet e saj të grave siciliane e bënë të dallohej nga producentët italianë, dhe kombinimi i bukurisë së saj, syve të errët e vezullues, seksualitetit shpërthyes dhe talentit të vërtetë në aktrim praktikisht i garantuan famën.
Filmat më të mirë dhe më të famshëm të Claudia Cardinale përfshijnë klasikët italianë si:”Rocco and His Brothers” (1960) dhe ”Leopardi” (1963) i Luchino Viscontit, filmin surrral ”8½” (1963) të Federico Fellinit dhe filmin epik perëndimor ”Once Upon a Time in the West” (1968) të Sergio Leones.
Vepra të tjera të vlerësuara dhe role të njohura përfshijnë paraqitjen e saj në komedinë e spiunazhit ”The Pink Panther” (1963) dhe filmin sfidues ”Fitzcarraldo” (1982) të Werner Herzog.
“Monument i kinemasë së viteve ’60” e ka cilësuar gazeta italiane “Corriere della Sera”.
“Seks-simbol dhe mbi të gjitha aktore e jashtëzakonshme që bëri historinë e kinemasë, Claudia Cardinale ishte diva që nuk e merrte veten seriozisht. Ajo ishte aq e talentuar dhe e fortë sa priste të bëhej shaka në televizion, në kohën e filmit bardhezi, në skenën ku binte në sy duke pretenduar se dinte të luante të gjitha instrumentet e orkestrës ose duke pranuar propozimin e Alberto Moravias që donte ta intervistonte ‘si një objekt’”, ka shkruar kjo gazetë.