Claudia Cardinale, bashkë me Sophia Lorenin dhe Gina Lollobrigidan, shpesh krahasoheshin si simbolet seksuale italiane të viteve ’60 dhe ’70, megjithëse ajo kishte një prezencë pak më të afërt dhe të thjeshtë në ekran. Aktorja u bë e famshme në vitet ‘60 dhe gjatë karrierës së saj luajti në më shumë se 150 projekte kinematografike, përfshirë filmat e shquar, “8½” dhe “Leopardi”. “Në shumë filma ajo bëhet një ikonë, diçka midis realitetit dhe fantazisë dhe kjo paqartësi e bën personazhin shumë intensiv”, është përshkrimi që ia ka bërë kritika
Claudia Cardinale qe një nga yjet kryesore të kinemasë italiane në vitet 1960, bukuria e së cilës u vlerësua nga regjisorët e njohur, Luchino Visconti, Sergio Leone dhe Federico Fellini, ndërsa fitoi titullin “vajza e ëndrrave” e Italisë.
Qe agjenti i saj, Laurent Savry, ai i cili konfirmoi lajmin për vdekjen e aktores, të martën. Shkaku i vdekjes nuk u bë i ditur. Në vjetët e fundit, Cardinale jetonte në Nemours, në jug të Parisit.
Gjatë një karriere gjashtëdekadëshe në Evropë, Cardinale luajti në më shumë se 150 filma. Ajo gjithashtu luajti në disa filma të Hollywoodit, përfshirë komedinë klasike të Blake Edwardsit, “The Pink Panther”.
Ishte femra ideale e Marcello Mastroiannit në filmin “8½” të Fellinit; e portretizoi pronaren e një shtëpie publike që financon një plan absurd të dashnorit të saj për të ndërtuar një shtëpi opere në xhunglën e Amazonës në filmin “Fitzcarraldo” të Werner Herzog; dhe një të ve pushkatare në filmin e Sergio Leones, “Once Upon a Time in the West”.
“Ja vajza që nuk dëshiron të realizojë filma”
Cardinale, bashkë me Sophia Lorenin dhe Gina Lollobrigidan, shpesh janë krahasuar si seks-simbolet e viteve ’60 dhe ’70, megjithëse kishte një prezencë pak më të afërt dhe të thjeshtë në ekran. Kështu e përshkroi kritiku italian i filmit, Massimo Benvegnù, në një intervistë.
“Yjet e asaj kohe, Anita Ekberg, Sophia Loren, Brigitte Bardot dhe Jayne Mansfield, që njiheshin si ‘maggiorate’, ishin gra me forma të theksuara”, shtoi ai. “Claudia ishte më natyrale dhe pak më reale”.
Por aktrimi nuk kishte qenë ëndrra e saj gjatë adoleshencës, dhe për një pjesë të karrierës pati vështirësi të fliste italisht, pasi ishte rritur duke folur frëngjisht.

Aktorja, emri i vërtetë i së cilës është Claude Joséphine Rose Cardinale, u lind më 15 prill 1938 në protektoratin francez të Tunizisë nga prindërit Francesco Cardinale dhe Yolanda Greco, emigrantë nga Sicilia. Ajo ishte më e madhja nga katër fëmijët e rritur në një komunitet të ngushtë sicilian në Tunis, kryeqyteti i Tunizisë. Babai i saj ishte inxhinier teknik për hekurudhën tuniziane, ndërsa e ëma kujdesej për shtëpinë.
Claudia ishte 18-vjeçare kur mori pjesë në një konkurs bukurie të organizuar pjesërisht nga nëna e saj, në Ambasadën Italiane në Tunizi. Ajo u shpall “vajza më e bukur italiane në Tunizi”. Shpërblimi ishte një udhëtim në Festivalin e Filmit në Venecia, ku u fotografua gjerësisht nga mediat italiane. Ajo më vonë tha se ishte për shkak të rrobave të banjës që kishte veshur atëkohë.
Megjithëse tashmë ishte shfaqur në disa filma, Cardinale në një intervistë u kishte thënë gazetarëve se nuk dëshironte të bëhej aktore.
“Pas kësaj, ajo u përfshi në ballinat e të gjitha revistave italiane të shoqëruar me tituj si: ‘Ja vajza që nuk dëshiron të realizojë filma’”, shpjegoi Benvegnù.
Cardinale u kthye në Tunizi për të jetuar me prindërit, duke refuzuar ofertat për aktrim. Kur ishte ende adoleshente u sulmua seksualisht nga një burrë i njohur, i cili e detyroi të hynte në një marrëdhënie abuzive që çoi në shtatzëninë e saj. Kështu bëri të ditur në një intervistë e bija e aktores, Claudia Squitieri. Në vitin 1957, kur po jetonte në Londër, e lindi djalin Patrick. Prindërit e Cardinales e rritën atë sikur të ishte vëllai i saj i vogël; të vërtetën ia treguan kur ishte 8 vjeç.
“E dashura e Italisë, vajza e ëndrrave tuaja”
Po atë vit, nënshkroi kontratë bashkëpunimi me producentin italian Franco Cristaldin dhe studion e tij filmike “Vides Cinematografica”, dhe kështu Claude e nisi karrierën e saj si Claudia Cardinale. Roli i parë që e bëri të famshme ishte në komedinë kriminale, “Big Deal on Madonna Street”, me regji të Mario Monicellit dhe e lansuar në vitin 1958. Brenda pak vitesh, ajo luajti në disa filma të rëndësishëm, si: “8½” të Fellinit dhe “The Leopard” të Viscontit.

“Kështu, ajo u bë e njohur si ‘e dashura e Italisë’, vajza e ëndrrave tuaja”, tha Benvegnù.
Cardinale gjithashtu luajti në filmin “La Ragazza di Bube” të Luigi Comencinit, një sukses te kritika dhe ana komerciale që e fitoi çmimin “Nastro d’Argento” në kategorinë për aktoren më të mirë, njëherësh nderimi i saj i parë prestigjioz në fushën e filmit. Ajo interpretoi Marën, një vajzë fshatare nga Toskana, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, bie në dashuri me një partizan të ri (i portretizuar nga George Chakiris), i cili duhet të fshihet pasi akuzohet për përfshirje në një vrasje të dyfishtë.
Në vitin 1966 u martua me Franco Cristaldin në Las Vegas, por nuk e konsideronte martesën si “zyrtare”, sipas vajzës së saj, edhe pse ai ia dha djalit të saj mbiemrin e vet.
Në filmin e Fellinit, ngjarja e të cilit zë vend në një llixhë luksoze, ajo kishte rolin e një aktoreje dhe muze të protagonistit në film, Marcello Mastroianni, i cili e portretizonte një regjisor të quajtur Guido Anselmi. Ai e sheh atë si mishërimin e gruas së tij ideale dhe e imagjinon si protagoniste të një filmi fantastiko-shkencor që planifikon të realizojë.
Ky përshkrim përshtatej mirë me mënyrën se si publiku e shihte Cardinalen, kishte thënë Vito Zigarrio, kritik dhe historian filmi në Universitetin e Romës.
“Në shumë filma ajo bëhet një ikonë, diçka midis realitetit dhe fantazisë dhe kjo paqartësi e bën personazhin shumë intensiv”, deklaroi Zigarrio.
Në dramën epike “The Leopard” të Viscontit, ajo luajti një debutuese të re siciliane që fiton zemrat e një ushtari (i portretizuar nga Alain Delon) dhe xhaxhait të tij (roli i luajtur nga Burt Lancaster). Në autobiografinë e saj të publikuar në vitin 2005, “Mes Étoiles”, aktorja shkroi: “Bukuria mësohet. Visconti më mësoi të jem e bukur. Më mësoi të kultivoj misterin, pa të cilin, sipas tij, nuk mund të ketë bukuri të vërtetë”.
Roli përcaktues i karrierës
Në vitin 1964, Cardinale bëri një kthesë në zhanrin komedi kur punoi për herë të parë me regjisorin amerikan, Blake Edwards, në filmin “The Pink Panther”. Pjesë e kastës ishin edhe aktorët: Peter Sellers, David Niven dhe Robert Wagner. Një tjetër rol përcaktues për karrierën e saj ishte tek “Once Upon a Time in the West”, ku e portretizoi një prostitutë nga New Orleans, e cila shpërngulet në jugperëndim për t’u martuar me një burrë, por kur mbërrin atje zbulon se ai është vrarë nga banditët. Ajo ishte e vetmja grua në një kast aktorësh burra të udhëhequr nga Charles Bronson dhe Henry Fonda.
“Cardinale e mbajti veten përballë këtyre aktorëve të mëdhenj, duke shfaqur te publiku një ndjeshmëri të thellë”, ka thënë Jay Weissberg, kritik amerikan filmi me bazë në Romë.
Cardinale u shkurorëzua nga Cristaldi rreth vitit 1975 për të jetuar me Pasquale Squitierin, regjisor i pavarur filmi i njohur për qasjen e tij provokuese.

“Në njëfarë mënyre ajo donte të emancipohej”, ka thënë Antonio Monda, drejtor artistik i Festivalit të Filmit në Romë. “Nuk donte të shihej vetëm si produkt i një producenti të madh”.
Në intervistat e mëvonshme, Cardinale e përshkroi marrëdhënien e saj me Cristaldin si të kontrolluar plotësisht. Sipas saj, ai diktonte pothuajse çdo aspekt të jetës së saj dhe mbante pjesën më të madhe të pagave që fitonte kur luante në filma të regjisorëve amerikanë.
“Isha thjesht një punëtore për të”, kishte thënë ajo për revistën “Variety”.
Marrëdhënia mes tyre u bë e tendosur dhe lidhja e saj e mëvonshme me Squitierin, çoi në atë që ajo e quajti përjashtim efektiv nga industria italiane e filmit. Cardinale kishte thënë se u largua për në Francë për të rifilluar karrierën, duke pranuar edhe role dytësore.
Aktorja luajti në dhjetëra filma të bashkëshortit të saj regjisor, Squitieri. Në vitin 1979 u bënë prindër të një vajze dhe qëndruan bashkë për 40 vjet, deri në vdekjen e tij në vitin 2017.
“Ishte një marrëdhënie jokonvencionale”, kishte thënë Claudia Squitieri për prindërit e saj.
Në fillimet e karrierës së saj, Cardinale ishte frymëzuar nga Brigitte Bardot, përkrah së cilës luajti në komedinë franceze të vitit 1971, “Les Pétroleuses”, me regji nga Christian-Jaque. Filmi, që parodizonte klishetë e Hollywoodit, përfshinte përplasje me armë mes grave dhe një sherr fizik të ashpër mes dy protagonisteve.
Rikthimi i shkëlqimit me suksesin në Cannes
“Bardot ishte idhulli i saj. Të gjithë prisnin një rivalitet të madh mes tyre, por në fakt ato u bënë shoqe shumë të mira”, kishte thënë Squitieri.
Në filmin “Fitzcarraldo” të gjermanit Werner Herzog, edhe pse në një rol dytësor, Cardinale ishte thelbësore për historinë që trajtohej në të. Aty erdhi në rolin e pronares së një shtëpie publike, që kishte besim të palëkundur në ëndrrën e dashnorit të saj për të ndërtuar një shtëpi opere në Amazonë.
Filmi fitoi çmimin kryesor në Festivalin e filmit në Cannes dhe i solli Cardinales një valë të re adhuruesish, duke e vendosur sërish në radarët e producentëve dhe regjisorëve më me nam.

Në vitet e mëvonshme, aktorja jetoi me djalin dhe vajzën e saj në Nemours, ku themeloi një fondacion me emrin e saj, e që mbështet artet që u kushtojnë vëmendje grave dhe mjedisit. Në vitin 2000 u emërua ambasadore e vullnetit të mirë nga UNESCO-ja, organizata kulturore e Kombeve të Bashkuara, e cila vlerësonte angazhimin e saj për përmirësimin e statusit të grave dhe vajzave përmes arsimit, si dhe për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Në vitin 2023, në bashkëpunim me “Cinecittà”, kompaninë kombëtare të filmit në Itali, Muzeu i Artit Modern në New York e organizoi një retrospektivë me 23 filma të karrierës së Claudia Cardinales.
Në moshë të shtyrë nuk mori më përsipër role kryesore, por vazhdoi të punonte rregullisht, veçanërisht në Francë, vendi që ajo e kishte bërë shtëpinë e saj të dytë.
“Nëna ime ishte shumë e përshtatshme. Ajo nuk ishte një grua e komplikuar, nuk kishte nevoja të mëdha, nuk ishte kapriçioze si një yll filmi. Ajo ishte shumë modeste në kërkesat e saj. Gjithmonë ndalej për të nënshkruar autografe për fansat. E urrente idenë e rojave personale; donte të ishte sa më afër njerëzve. E ndiente veten shumë të bekuar nga fati i saj”, deklaroi e bija e aktores, Claudia Squitieri.
Marrë nga “The New York Times”.