Gati një muaj pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur t’ia përgjysmojë buxhetin projektit për Muzeun e Historisë së Natyrës, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka vizituar vendpunishten.
Me Ligjin për ndarjet buxhetore të këtij viti ishin përcaktuar 100 mijë euro nga buxheti i konsoliduar e 162 mijë të tjera nga të hyrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Nëse deputetët e miratojnë rishikimin e buxhetit në kornizat aktuale, për Muzeun e Historisë së Natyrës do të jenë veç 75 mijë euro në dispozicion.
Projekti në total kushton 2.4 milionë euro. I bie që, nëse Ministria e Kulturës vazhdon me këtë ritëm, duhen së paku 3 dekada që të përfundojnë punimet që ishin llogaritur të konkretizoheshin për tre vjet.
Puna e nisur në maj të vitit të kaluar ishte ndërprerë qysh në dhjetor. Ka rinisur këtë javë.
Edhe
Një ditë punime për një vit në ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës
Ministrja e Kulturës e shoqëruar nga kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, zvarritjet i ka arsyetuar edhe me disa probleme në projektim.
Ngecje ka pikërisht te kjo pjesë, ku parashihet një lloj ballkoni prej katër metrash pa kurrfarë mbajtësesh. Punëkryerësit thonë se kjo pjesë mund të shembet nëse realizohet në këtë mënyrë.
E sa i përket shkurtimit të buxhetit, ministrja ka thënë se në të ardhmen ky projekt do të jetë prioritet.
Kompania punëkryerëse nuk është e kënaqur me mbarëvajtjen e punimeve. Ata nuk kanë dhënë ndonjë afat se kur mund të përfundojë projekti. Inxhinieri Abedin Mehmeti ka thënë se buxheti është një prej komponentëve që ndikon në mbarëvajtjen e punës.
Edhe
Ministria mbetet në “analizimin” e projektit të Muzeut të Historisë së Natyrës për më shumë se një vit
Muzeu i Historisë së Natyrës, që po ndërtohet në hapësirën e njohur si “Te pishat” në Sllatinë, në Fushë-Kosovë, ishte parë si zgjidhje për mbi një mijë eksponate, kafshë e insekte të balsamosura.
Eksponatet prej dhjetorit të vitit 2017 janë vendosur në një shtëpizë dërrasash në hyrje të kompleksit “Eminxhiku” në Prishtinë, që ka katër objekte, në dy prej të cilave zë vend Muzeu Etnologjik.