Kulturë

Muzeu i Natyrës: 165 mijë euro shpenzime, tash në pikën zero

Kur janë bërë më shumë se dy vjet prej kur ka nisur ndërtimi i Muzeut të Historisë së Natyrës në Sllatinë të Fushë-Kosovës, në zonën e njohur si “Te pishat”, Ministria e Kulturës e ka kthyer krejt procesin në pikën zero. Gjithçka do t’i nënshtrohet rivlerësimit dhe do të fillohet nga studimi i fizibilitetit. MKRS-ja është në marrëdhënie kontraktuale me kompaninë që ka marrë përsipër ndërtimin. Kontrata peshon 2.4 milionë euro. Punimet e nisura në maj të vitit 2019 ishin ndërprerë në dhjetor të atij viti për të mos nisur më

Ministria e Kulturës ka vendosur që të ta kthejë në pikën zero projektin më të madh kapital të trashëgimisë kulturore, ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës. Për të arritur punimet deri në nivelin ku janë, deri sivjet janë shpenzuar 165 mijë euro. Por gjithçka do t’i nënshtrohet rivlerësimit. Do të fillohet nga studimi i fizibilitetit.

Krejt kjo është reflektuar në Projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Sa i përket Muzeut të Historisë së Natyrës, MKRS-ja atë e ka paraparë me përshkrimin “Muzeu i natyrës/studimi i fizibilitetit dhe projekti ideor”. Janë paraparë vetëm 50 mijë euro për këtë projekt kapital. Për dy vjetët pasues po ashtu janë paraparë nga 50 mijë euro të tjera.

Në anën tjetër, janë bërë më shumë se dy vjet prej kur ka nisur ndërtimi i Muzeut të Historisë së Natyrës në Sllatinë të Fushë-Kosovës, në zonën e njohur si “Te pishat”. MKRS-ja është në marrëdhënie kontraktuale me kompaninë që ka marrë përsipër ndërtimin. Kontrata peshon 2.4 milionë euro. Punimet e nisura në maj të vitit 2019 ishin ndërprerë në dhjetor të atij viti për të mos nisur më.

Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se si rezultat i mospërfundimit të punëve dhe mungesës së përmbushjes së planit dinamik nga kompania përkatëse, është iniciuar shkëputja e kontratës.

“Sa i përket këtij projekti, duhet të bëhet një rivlerësim i tërë procesit, në mënyrë që të bëhet studimi i fizibilitetit, i detyrimeve projektuese dhe i projektit, në mënyrë që të adresohen sfidat dhe të merret vendimi për hapat e mëtutjeshëm. Ridestinimi i buxhetit do të bëhet në bazë të rivlerësimit të projektit”, ka thënë Fetiu.

Gjatë vitit të kaluar Ministria e Kulturës nxori në punë punonjësit më 16 korrik, në ditën kur vendpunishtja në Sllatinë të Fushë-Kosovës ishte vizituar nga asokohe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi. Por realisht aty më nuk janë parë të tjerë pos rojtarit. Dumoshi, aktualisht deputete në Kuvendin e Kosovës, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS në lidhje me zhvillimet e reja për Muzeun e Historisë së Natyrës.

Problemet me projekt janë konsideruar si pengesa e parë. Por edhe ndarja e buxhetit për këtë investim nuk ka qenë asnjëherë në masën e planifikuar. Në maj të vitit 2019, kur ishte vënë guri themeltar, llogaritej që punimet të zgjasnin tre vjet. Ashtu e përcakton edhe kontrata e MKRS-së me punëkryerësin.

Ndërtimi i Muzeut të Historisë së Natyrës bëhet nga konsorciumi “NNR – Rukolli shpk” dhe “Call Home electronics shpk”. Gazeta i ka drejtuar pyetje kompanisë “Rukolli”. Por për një javë nuk ka marrë përgjigje.

Konsorciumi punëkryes ishte ankuar se një pllakë që në gjuhën e arkitekturës është konzollë , me katër metra gjatësi, nuk mund të vendosej siç është paraparë. Është pllakë betoni në anën veriore, që në formë ballkoni zgjatet katër metra, gjë që, sipas kompanive punëkryese, paraqet problem për statikën pasi nuk janë paraparë shtylla mbajtëse apo ndonjë formë tjetër që do të siguronte qëndrimin. Ky problem daton tash e gati dy vjet. Për këtë arsye në MKRS gjatë vitit të kaluar ishin mbajtur disa takime.

Muzeu i Historisë së Natyrës është projektuar nga kompania “Hidroing-DK SHPK”.

Eta Morina, e cila drejton këtë kompani, në shkurt të këtij viti kishte thënë se është paraparë që konzolla të vendoset ashtu siç është në projekt. Sipas saj, inxhinieri i kompanisë së tyre ka konstatuar se një gjë e tillë mund të bëhet. Ajo kishte treguar se MKRS-së i kanë propozuar që të veprohet sipas projektit.

“Por tash mbetet që Ministria e Kulturës të vendosë se si t’ia bëjë”, kishte thënë Morina. Të martën ajo ka thënë se MKRS-ja mund të bëjë dhjetëra vlerësime, por projekti i dorëzuar nga kompania që ajo drejton nuk ka asnjë mangësi profesionale.

“Tjetër gjë është që kompanitë nuk duan ose nuk dinë ta ekzekutojnë. Është për të ardhur keq”, ka thënë Morina.

Problemet e MKRS-së me këtë projekt nuk pushojnë vetëm sa i përket zgjidhjes së problemeve profesionale midis kompanisë projektuese dhe atyre ndërtuese. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021, për këtë projekt janë ndarë 450 mijë euro. Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit 2020, kanë qenë të parapara 100 mijë euro nga buxheti i konsoliduar i shtetit dhe 162 mijë të tjera nga të hyrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Me rishikim të buxhetit për vitin e kaluar kishin ngelur veç 75 mijë euro.

Gazeta vazhdimisht ka raportuar se MKRS-ja nuk i kishte bërë mirë hesapet kur i kishte hyrë këtij projekti.

Kur ishte vënë guri themeltar në maj të 2019-s, gazeta e kishte pyetur ish-ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, se nga do të merren mjetet për një projekt mbi dymilionësh. Siç rëndom ka premtuar buxhet më të madh sesa ka pasur në dispozicion, ai e kishte përmendur rishikimin e buxhetit për vitin 2019 dhe planifikimet për vitin 2020. Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i cili ua kishte prerë shiritin nisjes së punimeve, javën e kaluar kishte thënë se pas përfundimit të fushatës elektorale për zgjedhje lokale do të mund ta komentonte procesin. Por nuk është përgjigjur as dy ditë pas zgjedhjeve.

Muzeu i Historisë së Natyrës fillimisht qe paralajmëruar të ndërtohej në kryeqytet, por MKRS-ja – që asokohe udhëhiqej nga ish-ministri Kujtim Shala – dhe Komuna e Prishtinës nuk ishin marrë vesh. Më 12 dhjetor të vitit 2016, Komuna e Fushë-Kosovës kishte marrë vendim për ta aprovuar kërkesën për caktimin e lokacionit. Parcela qe ndarë në hapësirën që quhet “Te pishat”, në fshatin Sllatinë e Vogël.

Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se nuk ka asnjë informacion në lidhje me zhvillimet e reja sa i përket projektit. “Atëherë qe vendosur që Muzeu të ndërtohej në territorin e Fushë-Kosovës, meqë Komuna e Prishtinës nuk po caktonte lokacionin në të cilin do të ndërtohej Muzeu”, ka thënë ai. Ka shtuar se mban mend që Komuna e Prishtinës nuk i kthente MKRS-së as përgjigje formale. “Si ministër, në lidhje me këtë dhe çështjen e lokacionit të Teatrit të Operës dhe Baletit, si dhe të Muzeut të Arteve Bashkëkohore, i kam shkruar në dy raste kryetarit të Komunës, por nuk kam marrë asnjë përgjigje”, ka thënë ai.

Muzeu i Historisë së Natyrës ishte parë si zgjidhje për mbi një mijë eksponate, kafshë e insekte të balsamosura, të cilat prej 21 dhjetorit të vitit 2017 janë vendosur në një shtëpizë prej dërrasash në hyrje të kompleksit “Eminxhik”, që ka katër objekte, në dy prej të cilave zë vend Muzeu Etnologjik. Për më shumë se 15 vjet eksponatet kishin zënë vend në depon e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku ishin zhvendosur në qershor të 2001-tës nga objekti i tyre në kompleksin e “Eminxhikut”, që prej atëherë është kryesori i Muzeut Etnologjik. Në vitin 2013 këto eksponate ishin nxjerrë nga bodrumi i Muzeut për herë të parë, 12 vjet pas luftës. Vetëm asokohe, siç kishte raportuar gazeta, 100 eksponate kishin përfunduar në bërllok, pasi ishin shkatërruar. Numri i tërësishëm ka qenë 1812 eksponate, meqë përfshihen edhe insektet. Një pjesë e tyre është bartur në Beograd, në kohën e luftës.