Uebfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është duke e kryer funksionin e vet. Vazhdimisht nuk ka qenë plotësisht funksionale sa u përket rezervimit të biletave apo për ndonjë shërbim tjetër.
Por të martën në këtë faqe online nuk paraqitet asgjë që ka të bëjë me teatrin.
Me një klikim në “teatrikombetar.eu” shpërfaqet material pornografik. Imazhe të akteve pornografike e udhëzime për të vazhduar në faqe të tjera me këso materiale, dominojnë fund e krye. Në TKK – institucion ky që aktualisht nuk ka drejtor e as udhëheqës artistik – kanë thënë se nuk janë në dijeni për këtë problem.
“Shumë keq pasi jemi Teatër Kombëtar. Menjëherë do të shikojmë ta evitojmë këtë dhe besojmë se problemi do të eliminohet, megjithëse zor që varet direkt nga ne”, ka thënë një prej punonjësve në menaxhmentin e këtij institucioni.
Adresa “teatrikombetar.eu” është adresa që TKK-ja e shpërndan edhe në komunikata zyrtare. Por Teatri Kombëtar i Kosovës, ka edhe një tjetër uebfaqe, “teatrikombetar.org” e cila është funksionale.
Nja dy orë pas lajmit për uebfaqen e TKK-së, në faqen zyrtare në Facebook është postuar një reagim në emër të këtij institucioni. Në rreshtin e katërt të reagimit shkruhet se TKK-ja nuk ka të bëjë “aspak lidhur me linkun e ashtuquajtur teatrikombetar.eu”, pastaj kumton se gjatë mesnatës është sulmuar faqja e në fund kërkon falje për shqetësimin e krijuar.
“Stafi menaxhues i faqeve zyrtare të Teatrit Kombëtar të Kosovës në kompetencë të saj ka mirëmbajtjen e faqes në rrjetin social facebook, instagram dhe uebfaqes teatrikombetar.org. Të gjitha faqet e tjera të hapura në emrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë jorelevante me institucionin tonë. Andaj, TKK nuk ka të bëjë aspak lidhur me linkun e ashtuquajtur teatrikombetar.eu”, shkruhet në reagim teksa pa e cekur se cila adresë, njofton se “…faqja e TKK, gjatë mesnatës është sulmuar nga personat jokompetentë dhe është postuar linku në fjalë”. “Pas rastit jemi duke punuar në atë drejtim, lidhur me sigurinë e faqeve zyrtare të TKK-së. Në rast të përsëritjes së sulmeve të njëjta, rasti do t'u drejtohet organeve të rendit. Kërkojmë falje nga publiku për shqetësimin e krijuar!”, shkruhet në reagim.
Faqja së cilës i referohet TKK-ja në reagim, teatrikombetar.org, është e pafreskuar qysh prej vitit 2020. Ndërkaq ajo që u bë lajm të martën mbrëma, teatrikombetar.eu, herën e fundit u është dërguar mediave në nëntorin e vitit të kaluar, kur ftoi për konferencë me rastin e premierës së shfaqjes “Aroma e hënës”. Se cila është adresa e TKK-së, do të duhej të përcaktohej vetë institucioni, pasi në ftesat e fundit zyrtare i figuron ajo me materiale pornografike.