Kulturë

Ministria mbylli objektin e Teatrit me alarmin për rrezikun e paqenë

Se gjendja e objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është e mirë, ka qenë konstatim i kahershëm. Por alarmante është deklarata e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, se në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës “ka rrezik edhe për publikun, edhe për aktorët, edhe për të gjithë”. Në raportin të cilit i referohet edhe ministri edhe Këshilli Drejtues i TKK-së, situata nuk është kaq alarmante. Për më tepër, as nuk rekomandohet të mbyllet objekti, siç u mor vendim në qershor. Tash e pesë muaj ky institucion teatror ende nuk ka bërë strehë. Pret që së shpejti të vendoset me qira, përderisa për restaurimin e TKK-së ende nuk ka projekt

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës bashkë me Ministrinë e Kulturës e kanë mbyllur ndërtesën e institucionit më të lartë teatror, duke nxjerrë konstatime të paqena. Të paktën profesionistët që janë thirrur për të bërë një vlerësim të gjendjes fizike të ndërtesës nuk kanë rekomanduar mbyllje. Nuk është konstatuar se ndërtesa si tërësi paraqet rrezik për punëtorët dhe publikun e as që gjendja është alarmante. Edhe tash, kur janë bërë gati pesë muaj prej mbylljes së objektit, TKK-ja praktikisht nuk është zhvendosur askund dhe pret të zërë vend në aneksin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, në amfiteatrin që dikur shfrytëzohej nga “American School of Kosova”. Baleti provat i mban në sallën e “Shotës”. Qiraja edhe për disa zyre të tjera ka nisur të ecë.

Historia që përfundoi me mbylljen e ndërtesës së TKK-së në qershor të këtij viti nisi më herët. Ministri aktual i Kulturës, Hajrulla Çeku, si kandidat për deputet në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, kishte shpalosur se kanë në program teatër të ri kombëtar. Pas emërimit në pozitën e ministrit të Kulturës, gjërat kishin ndërruar.

Ministri Çeku: Aty ka rrezik edhe për publikun, edhe për aktorët, edhe për të gjithë

Në janar të këtij viti do të deklaronte në KTV se “teatri i ri kombëtar është te Teatri Kombëtar”.

“Përafërsisht kah fundi i marsit mbyllet Teatri Kombëtar, pasi shkon në renovim”, kishte thënë ai më 21 janar në emisionin “Desku”.

E në qershor, një raport i profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës u përdor për ta mbyllur ndërtesën e Teatrit.

Ministri Hajrulla Çeku para dy javësh ka thënë se profesorët universitarë kanë punuar për disa muaj për ta konstatuar gjendjen e TKK-së.

“Mbi atë raport tash ka nisur hartimi i projektit të renovimit të TKK-së. Mirëpo për shkak se raporti i profesorëve konstaton një gjendje alarmante në Teatër, ne e kemi mbyllë Teatrin. Aty ka rrezik edhe për publikun, edhe për aktorët, edhe për të gjithë. Prandaj kemi thënë se nuk mund të lejojmë të vazhdojmë tutje ta mbajmë të hapur derisa të bëhet projekti”, kishte thënë ai po në KTV te “Java sonte me Rronin”, më 5 tetor të këtij viti.

Konstatimet e ekspertëve në kontrast me përfundimet e Këshillit Drejtues dhe të Ministrisë

Por në raportin që zyrtarisht titullohet “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (tor) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”, fjala “alarmante” nuk ekziston fare.

Raporti prej 86 faqesh, i hartuar nga tetë profesionistë, që për autorë të parë ka inxhinierin e profesorin e Fakultetit të Ndërtimtarisë, Naser Kabashi, paraqet gjendjen aktuale të objektit që u ndërtua në vitin 1948, në fillim me destinim si shtëpi kulture, si dhe jepen rekomandimet. Sipas vlerësimit të tyre, janë dy raste ku rrezikohet jeta e punëtorëve: nga kabllot mbi kulm dhe nga mënyra e qasjes në kulm.

Raporti i detajuar shpërfaq gjendjen e secilës pjesë të ndërtesës. Nxirren përfundime se në shumicën e pjesëve ka nevojë për ndërhyrje. Për këtë edhe janë dhënë një varg rekomandimesh.

Grupi ka renditur masat për intervenime të menjëhershme për funksionalizim të hapësirave të TKK-së.

“Të largohen të gjitha pajisjet nga kaldatorja ekzistuese, si kaldajat, depozitat e naftës, kolektorët ekzistues, tubacioni dhe elementet e tjera përcjellëse; Të zhvendoset këmbyesi ekzistues i prodhuesit ‘Brunata’ në hapësirën ku ka qenë kaldatorja me të gjitha elementet përcjellëse; Salla e Teatrit duhet të furnizohet me ajër të përgatitur për 100 veta. Sasia e ajrit duhet të jetë 30 m3/h ajër për person; Në hapësirën e sallës së baletit nga sistemi ekzistues të shfrytëzohen kanalet ekzistuese të punuara nga P3, ndërsa ventilatorët ekzistues të zëvendësohet me rekuperator me pllaka me këmbyes dhe me kapacitet prej V=2000 m3/h”, shkruhet në raport. Si intervenime të menjëhershme rekomandohen edhe ndërrimi i 23 litarëve në skenë dhe jepen specifika se si duhet të jenë ata. Më pas rekomandohet inspektimi, funksionalizimi dhe ngjyrosja e pulexhove drejtuese që janë të vendosura në pjesën e poshtme dhe “inspektimi, riparimi (nëse është i nevojshëm), lyerja me yndyrë dhe ngjyrosja e pulexhove ngasëse që janë të vendosura në pjesën e sipërme të skenës”,

“Inspektimi, rregullimi (përshtatja) dhe ngjyrosja e udhëzueseve vertikale të kundërpeshave; Funksionalizimi i ndriçimit në tërë hapësirën ku operohet me mekanizmat e ngritjes/uljes; Vendosja e shenjave të paralajmërimit të rrezikut dhe udhëzimeve për operim me mekanizmat e ngritjes/ulës dhe; Testimi dhe certifikimi i këtyre mekanizmave nga një trup inspektues i akredituar”, shkruhet te intervenimet e menjëhershme. As në këtë rast nuk ceket se këto elemente që gjenden aktualisht aty rrezikojnë jetën e punëtorëve.

Më pas si rekomandime jo të menjëhershme janë ndërhyrjet në shumë pjesë, si nyjat sanitare, kanalizimi, rregullimi i gjeneratorit, i ormanit shpërndarës të rrymës, ndriçimi i banjave dhe i disa hapësirave të tjera.

Bazuar në këtë raport preliminar, Këshilli Drejtues i TKK-së, me në krye Visare Aliun, në fillim të qershorit ia ka rekomanduar MKRS-së “mbylljen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, renovimin e plotë të tij dhe sigurim të hapësirës alternative për vazhdimin e aktivitetit...”. Ky rekomandim është bazuar në raportin e profesorëve, e në “gjendjen faktike të sigurisë në të cilën punojnë punëtorët e TKK-së, e cila është alarmante”.

Në shkresën që Këshilli Drejtues ia ka nisur ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe ish-zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm, Bislim Bislimi, janë edhe dy arsye të tjera mbi të cilat bazohet rekomandimi: “Konsultimet tona të vazhdueshme me menaxhmentin dhe punëtorët e TKK-së dhe të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe zotimin tuaj (MKRS v.j.) për renovimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës”. Mbi këtë rekomandim prej 2 qershorit, Ministria e Kulturës, më 13 qershor, ka nxjerrë vendim për mbyllje të ndërtesës. Në arsyetimin e vendimit të nxjerrë nga ish-zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm, Bislim Bislimi, sqarohet se deri te ky vendim është ardhur bazuar në kërkesën e Këshillit Drejtues drejtuar ministrit të Kulturës, “si rezultat i gjendjes së vlerësuar si e rënduar dhe e papërshtatshme, gjegjësisht me rrezik akut për punonjësit e institucioneve (TKK dhe BKK), si dhe pas konsultimit me kabinetin e ministrit”.

Kabashi: Asnjëherë nuk është rekomanduar të mbyllet ndërtesa

Profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Naser Kabashi, ka thënë se detyra e tyre ka qenë të vlerësohet gjendja e pozicioneve dhe hapësirave që kërkojnë renovim të gjeneralizuar, të pjesërishëm ose imediat. Sipas tij, asnjëherë nuk është rekomanduar të mbyllet ndërtesa e as nuk është konstatuar se objekti paraqet rrezik për punëtorët, duke përjashtuar rastin e ngjitjes në kulm dhe atë të kabllove mbi kulm.

“Për koncepte të tjera të MKRS-së, sa i përket asaj që duan të bëjnë, është muhabet tjetër. Sikur të vëreja jostabilitet momental si inxhinier, do të mbaja përgjegjësi sikur të mos e thosha se ndërtesa paraqet rrezik. Ai është një raport preliminar dhe meqenëse TKK-ja është mbyllur gjatë hartimit të projektit restaurues, do të mund ta konstatojmë gjendjen edhe më mirë dhe të plotësohet edhe më shumë raporti ynë”, ka thënë Kabashi.

Për mbyllje të menjëhershme nuk kishte qenë menaxhementi i TKK-së që përmendet nga Këshilli Drejtues.

Drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, më 31 maj i kishte propozuar Këshillit Drejtues një plan të veprimit. Sipas shkresës, plani vjen si rekomandim, duke u bazuar në diskutimet dhe konsultimet paraprake me anëtarët e Këshillit, me punëtorët dhe pjesëtarët e ansamblit rezident. Sipas këtij dokumenti, bartja e aktivitetit të TKK-së në një hapësirë tjetër do të duhej të bëhej në janar të vitit që vjen.

Pro mbylljes së ndërtesës nuk ka qenë as Baleti Kombëtar i Kosovës, që përmendet në rekomandimin e Këshillit Drejtues të TKK-së.

Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, ka thënë se atij dhe Këshillit Drejtues nuk u është kërkuar në formë zyrtare ndonjë opinion në lidhje me renovimin e TKK-së.

“Një herë kam qenë në një mbledhje të KD të TKK-së, ku e kam potencuar nevojën që e kemi pasë për ndërhyrje në zhveshtore dhe sallë. Por diçka tjetër as përmes e-mailit zyrtar dhe as përmes ndonjë takimi nuk kemi pasur. Praktikisht, sot më 20.10.2022, e kam dërguar një e-mail në drejtim të MKRS-së, për të kërkuar sqarim se çka po ndodhë me renovim. Për asgjë s’jemi të informuar si BKK”, ka thënë ai.

Që nga paslufta e deri më tani, objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës është rinovuar gjashtë herë. Më 2010, në atë që u quajt rinovim, u shpenzuan 150 mijë euro. Më pas ishte një renovim i vitit 2015, rinovimi i parë pas luftës qe ai i vitit 2000, për të vazhduar edhe më 2004 dhe 2007. Para një viti po ashtu është përmbyllur një renovim i nyejve sanitare dhe banjave të Baletit.