Kulturë

Ndërtesa mbyllet për rinovim, Teatri e Baleti pa hapësirë për veprimtari

Ministria e Kulturës do t’ia vërë drynin Teatrit Kombëtar të Kosovës më 1 korrik ende pa e përcaktuar hapësirën se ku do të zhvillohet veprimtaria e dy institucioneve të paktën për dy vjet, sa edhe pritet të zgjasë procesi i rinovimit. Në ndërtesën e Teatrit veprimtarinë e vet e zhvillon edhe Baleti Kombëtar i Kosovës. Në bazë të komunikimit me publikun, sa i përket këtij procesi, vërehet edhe moskoordinim midis menaxhmentit të TKK-së, Këshillit Drejtues të këtij institucioni dhe MKRS-së. Ky do të jetë rinovimi i shtatë që nga paslufta

Ministria e Kulturës ka vendosur që ta mbyllë ndërtesën e institucionit më të lartë teatror në Kosovë në emër të rinovimit të tërësishëm. Një ndërmarrje e tillë për Tetarin Kombëtar të Kosovës qe paralajmëruar qysh në fillim të vitit nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Por MKRS-ja do t’ia vërë drynin Teatrit Kombëtar të Kosovës më 1 korrik, ende pa e përcaktuar hapësirën se ku do të zhvillohet veprimtaria e dy institucioneve të paktën për dy vjet, sa edhe pritet të zgjasë procesi i rinovimit. Në ndërtesën e Teatrit veprimtarinë e vet e zhvillon edhe Baleti Kombëtar i Kosovës. Prej fillimit të korrikut e deri në shtator të dyja institucionet, sikurse çdo vit, do të jenë në pushimin midis sezoneve. Në bazë të komunikimit me publikun sa i përket këtij procesi, vërehet edhe moskoordinim midis menaxhmentit të TKK-së, Këshillit Drejtues të këtij institucioni dhe MKRS-së. Ky do të jetë rinovimi i shtatë që nga paslufta.

Vendimi për mbyllje është marrë nga zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Bislim Bislimi. Në këtë dokument shkruhet se TKK-ja do të qëndrojë mbyllur nga 1 korriku “deri në përfundimin e rinovimit, përkatësisht konservimit/restaurimit të ndërtesës në përputhje me përfundimet e vlerësimit të gjendjes së reflektuar në raportin e hartuar nga Qendra Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe ekipit të profesorëve të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’”.

Në këtë dokument bëhet e ditur se veprimtaria e TKK-së dhe Baletit kombëtar të Kosovës do të zhvillohet në hapësira alternative, pa u cekur saktësisht ku.

Vendimi pos zyrave ministrore i është dërguar vetëm Këshillit Drejtues të TKK-së, jo edhe menaxhmentit.

Të martën Këshilli Drejtues i TKK-së ka lëshuar një njoftim në lidhje me mbylljen e ndërtesës. Aty është përmendur vendimi i MKRS-së dhe është thënë se gjendja faktike e sigurisë në të cilën punojnë punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës është alarmante dhe kjo e bën kërkesën për rinovim edhe më urgjente.

“Po ashtu, ju njoftojmë se aktiviteti i përgjithshëm artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet. Teatri Kombëtar i Kosovës e ka hartuar edhe planin e punës dhe të veprimit gjatë periudhës së rinovimit dhe në bashkëpunim të ngushtë dhe intensiv me MKRS-në është duke punuar për sigurimin dhe adaptimin e hapësirave alternative, ku do ta zhvillojë aktivitetin e vet”, shkruhet në njoftimin e Këshillit drejtues të institucionit. Por ky Këshill nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e KOHËS sa i përket planit të punës, që është përmendur në komunikatë. Anëtarja e Këshillit, Shkurtë Aliu, ka rekomanduar që për këto çështje të pyetet drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti.

As Sheremeti nuk ka pasur përgjigje konkrete për lokacionin ku do të funksionohet e as për planin. Por ka lënë të kuptohet se ende nuk dihet se ku do të zhvillojë veprimtarinë institucioni.

“Sa i përket planit të veprimit, ne si menaxhment i TKK-së në bashkëpunim të ngushtë edhe me stafin dhe pjesëtarë të trupës rezidente kemi përpiluar një plan veprimi, të cilin ia kemi paraqitur paraprakisht Këshillit Drejtues të TKK-së, e ky plan në qendër e ka sigurimin dhe adaptimin e një hapësire alternative në të cilën TKK do të veprojë derisa të zgjasë rinovimi dhe me këtë rast janë identifikuar edhe hapësira publike, të cilat do të mund të adaptoheshin dhe të njëjtat propozime si formë kërkese i janë dërguar MKRS-së”, ka thënë Sheremeti.

Sheremeti ka thënë se nuk do të jenë në rrethana të lehta, por rinovimi i TKK-së është i mirëseardhur dhe shpresojnë se do të përfundohet në kohë shumë të shpejtë.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se nuk ka diçka konkrete sa i përket hapësirës ku do të zhvillojë veprimtari institucioni. “Është paralajmëruar se këto ditë do të kemi takime dhe do të vendoset për lokacionin. Normalisht se do të duhej të përcaktohej sa më shpejt pasi duhet të përgatisim shfaqje të reja e po ashtu edhe të jemi para publikut me repertorin tonë të rregullt”, ka thënë ai.

Ministria e Kulturës nuk ka pasur përgjigje për çështjen e mbylljes së TKK-së gjatë ditës së hënë.

Rinovimi i planifikuar do të jetë i shtati me radhë për ndërtesën e TKK-së që është edhe monument. Elektrikja, ujësjellësi, rrjeti i kanalizimit, sanitaria e disa punë demoluese, si dhe suvatimi janë ndërhyrjet që janë bërë vjet në këtë institucion nëpërmjet një kontrate në vlerë prej 38 mijë e 600 eurosh.

MKRS-ja për 2020 kishte paraparë 100 mijë euro për rinovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me rishikim të buxhetit kjo shumë ishte shkurtuar përgjysmë. E për vitin 2021 qenë paraparë vetëm 50 mijë euro. Për sivjet MKRS-ja ka të ndara 200 mijë euro në emër të asaj që është quajtur Teatri i Ri Kombëtar.

Deri më 2020 ka ndodhur që të ndalej edhe puna shkaku se ujërat e zeza kishin vërshuar bodrumin e institucionit. Po ashtu janë rrezikuar sistemi elektrik e rezervuarët e ngrohjes qendrore.

Deri në dimrin e kaluar TKK-ja është ngrohur me naftë. E KOHA kishte raportuar se shpenzimi i 5 mijë litrave naftë për 10 ditë pune nga Teatri Kombëtar i Kosovës ka nxitur dyshime për keqpërdorim të lëndës djegëse për ngrohjen e ndërtesës.

Paraprakisht TKK-ja është rinovuar në verën e vitit 2015. Asokohe gazeta kishte raportuar se graniti i shkallëve e i pushimoreve në hyrje ishte tri herë më i lirë sesa ai që përcaktonte kontrata. Pos kësaj, pushimoret ishin shtruar me granit prej 2 centimetrash trashësi, përderisa kontrata përcaktonte që trashësia të jetë 4 centimetra. Ministria e Kulturës asokohe kishte ndërprerë punimet. Kishte arritur ta detyronte kompaninë që të paktën të ndryshohej trashësia e materialit, por jo edhe kualiteti.

Që nga paslufta e deri më tani objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës është rinovuar gjashtë herë. Punimet e deritanishme menaxhmenti i TKK-së dhe ai i Baletit Kombëtar të Kosovës, që janë nën një kulm, i kanë cilësuar arnime. Më 2010, në atë që u quajt rinovim, u shpenzuan 150 mijë euro. Rinovimi i parë pas luftës qe ai i vitit 2000, për të vazhduar edhe më 2004 dhe 2007. MKRS-ja kishte parashikuar rinovime edhe në pesë vjetët e kaluar, por ato nuk ishin realizuar.